E dielë, 21 Qershor, 2026
Microgreen

Makarona Strozzapreti “Armand”

· 2 min lexim
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

Makaronat që do t’ju propozohen sot, mbajnë emrin  e Shef Mondit,  Armand, dhe janë një recetë vërtetë speciale, për këdo që do të bëjë një pjatë të shpejtë makaronash, me tejet shije.

Ja cilët janë përbërësit:

Për 4 persona

Makarona Strozzapreti, 320 gr

Proshutë krudo, 180 gr

Domate qershizë të freskëta, 500 gr

Majdanoz, 2 tufa të grira

Verë e bardhë, ½ gotë

Vaj ulliri,

Spec djegës,

Hudhra, 1 thelp

Hedhim në një tigan vajin dhe hudhrën e prerë në copa të vogla, dhe e lëmë të marrë ngjyrë të artë.

Pasi hudhra të zverdhet, e heqim, shtojmë specin djegës të coptuar, proshutën krudo të prerë në kubikë të vegjël dhe gjysmën e majdanozit të grirë. I përziejmë për rreth 2 min në zjarr të fortë, e më pas e shuajmë me verën e bardhë, të cilën e lëmë të avullojë për rreth 2 minuta.

Ndërkohë vëmë tenxheren me ujë në zjarr. Pasi uji të marrë valë, e rregullojmë me kripë, dhe hedhim makaronat, duke u kujdesur t’i përziejmë që të mos ngjiten.

Presim domatet në kubikë të vegjël dhe i hedhim mbi salcën që po përgatitet.

Që zierja e domateve të jetë më e shpejtë dhe të bëhet më mirë, shtojmë 5 lugë gjelle nga uji i makaronave që po ziejnë.

Kullojmë makaronat dhe i hedhim në tiganin ku kemi salcën. Shtojmë majdanozin e mbetur dhe i trazojmë mirë, derisa salca dhe makaronat të përzien mirë.

I shërbejmë të ngrohta.

Sugjerim: Kjo recetë eshtë mirë të mos shoqërohet me djathë të grirë, pasi i mbulohen shijet dhe aromat. Nëse ju pëlqen me djathë të grirë, është mirë të përdorni Parmixhano Regiano, një lugë gjelle për racion.

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top