
Ekzaktësisht dhjetë vite pas referendumit që konfirmoi largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, Londra dhe Brukseli kanë hedhur hapin e parë drejt një faze të re afrimi.
Në përfundim të një samiti të mbajtur në kryeqytetin belg, udhëheqësit evropianë dhe kryeministri britanik, Andy Burnham, nënshkruan një deklaratë të përbashkët që shënon zyrtarisht një “fillim të ri” të marrëdhënieve dypalëshe – një marrëveshje që vetë kreu i qeverisë britanike, nuk hezitoi ta quante “historike”. “Është një ditë e mirë për Britaninë e Madhe, një ditë e mirë për Evropën, si dhe për njerëzit, qoftë në Evropë, qoftë në Mbretërinë e Bashkuar.”, u shpreh ai.
Qëllimi i marrëveshjes është kapërcimi i fërkimeve të viteve të fundit, duke hedhur themelet për një bashkëpunim pragmatik dhe të strukturuar. Dokumenti përfundimtar përcakton tri shtylla thelbësore mbi të cilat do të rindërtohet dialogu: lehtësimi i barrierave tregtare në sektorin agro-ushqimor, krijimi i kanaleve të reja për të nxitur lëvizshmërinë e të rinjve midis Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian, si dhe koordinimi lidhur me politikat mjedisore dhe reduktimin e emetimeve.

Marrëveshja për këtë “fillim të ri” me BE-në është “e dobishme për të dyja palët”, theksoi kryeministri britanik.
Ndërkohë, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se “jemi në një pikë kthese. Kemi bërë zgjedhjen politike për të forcuar marrëdhënien tonë dhe kjo duket qartë në rezultatet e këtij samiti.” Sidoqoftë, zbatimi i këtyre marrëveshjeve do të kërkojë kohë: masat që lidhen me produktet bujqësore-ushqimore nuk do të hyjnë në fuqi para vitit 2028, ndërsa lehtësimet për vizat për të rinjtë pritet të zbatohen midis viteve 2028 dhe 2030.
Vëmendje ndaj të rinjve: Marrëveshja që lidhet me të rinjtë është veçanërisht e rëndësishme. Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar kanë përmbyllur negociatat për një program të ri lëvizshmërie për të rinjtë, i cili do t’u mundësojë 200,000 të rinjve — nga 100,000 për secilën palë — të qëndrojnë në territorin e palës tjetër për një periudhë deri në tre vjet, për të punuar, studiuar, kryer vullnetarizëm ose thjesht për të udhëtuar. Programi, i njohur si “Skema e Përvojës për të Rinj” (Youth Experience Scheme), përbën një nga arritjet kryesore në procesin e afrimit midis Londrës dhe Brukselit pas Brexit-it.

