E martë, 26 Maj, 2026
Microgreen

Dardhë me verë të kuqe, nga shef Mondi

· 2 min lexim
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

Sugjerimi i shef Mond Kikinos këtë të dielë, është një recetë tejet e shijshme e shumë e thjeshtë, e cila fare mirë mund të bëhet edhe pjesë e menusë së festave që kemi përpara, si Krishtlindja apo Viti i Ri.

Për 4 persona nevojiten:

  • Dardha me lëng, të pavrara, 4 copë
  • Ujë – 200 ml
  • Sheqer – 200 gr
  • Verë e kuqe e plotë – 300 ml
  • Karajfil – 3 copë
  • Shkop kanelle – 1 copë
  • Yll anise – 2 copë

Nisim nga shurupi i verës ku do të gatuhen dardhat.

Në një tenxhere të thellë me diametër 20 cm (që dardhat të gatuhen më mirë), hedhim sheqerin ujin dhe verën. I përziejmë mirë derisa të tretet sheqeri. Shtojmë aromat dhe e vendosim në zjarr të marre valë.

Ndërkohë lajmë dhe qërojme dardhat nga lëkura, duke u kujdesur që të mos u heqim bishtin, dhe i vendosim ne tenxheren ku po ngrohet shurupi.

I lëmë të gatuhen në zjarr mesatar për 20 minuta, duke u kujdesur që me ndihmën e një luge t’i lagim dardhat me shurup dhe t’i lëvizim duke i kthyer here pas here.

I heqim dardhat me kujdes, me ndihmën e një luge, dhe i vendosim në një tas.

E lëmë shurupin e verës në zjarr edhe 10 minuta, të tjera duke e perzierë vazhdimisht, që të shterojë dhe të lidhet.

E heqim nga zjarri dhe e lëme të vaket.

Vendosim dardhat në pjatë, u hedhim sipër 2 deri në tre lugë shurup vere, dhe i shërbejmë të vakëta.

Mund të shoqërohen me biskota gjalpi të copëtuara, krem pastiçerie dhe nje gjethe bar blete të freskët (melisa), ose me një kupë akullore me vanilje.

*Ruhen në frigorifer deri në tri ditë;

* Vera mund të jetë një Merot, Pinot ose një verë tjeter e kuqe e plotë, sipas dëshirës.

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top