E enjte, 11 Qershor, 2026
Microgreen

Pure bathësh me çikore, qepë dhe speca (gatim vegjetarian)

· 3 min lexim
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

\n\n

Nga shef Mondi

Pureja e bathëve me çikore është një recetë shumë e përhapur në rajonin e Pulias, në Itali dhe tejet e shishme. Për fat, ne i kemi të tërë përbërësit, që një recetë të tillë, ta gatuajmë edhe në shtëpitë tona.

Per 4 persona

Bathë të thatë të pastruar, 400 gr

Çikore të freskëta, 400 gr

Qepë të kuqe, 200 gr

Speca jeshilë e të kuq, 200 gr

Bukë 2 feta, në kubikë

Vaj ulliri, sipas dëshirës

Kripë, sipas dëshirës (për skuqje dhe për purenë)

Fillimisht lajmë mirë bathët dhe  fusim në ujë të ftohtë, ku i lëmë të zbuten për 10 orë (1 natë përpara se t’i gatuajmë). Pastaj ua derdhim ujin, i shpëlajmë mirë me ujë të rrjedhshëm, i hedhim në një texhere të bollshme, dhe i mbulojmë me ujë të ftohtë, deri pak më sipër bathëve. I vëmë në zjarr të ulët, i mbulojmë me kapak, dhe i lëmë të zjejne për rreth 2 orë (nëse nevojitet, i shtojmë pak ujë gjatë zjeries). Gjatë gatimit, do lëshojnë një shkumë të bardhë, të cilën e heqim me kujdes.

Ndërkohë, lajmë, pastrojmë dhe ziejmë në ujë me kripë, çikoret për rreth 10 minuta. Më pas i kullojmë dhe i vendosim në një enë.

Qërojmë dhe lajmë qepët. I presim në formë rrethore dhe i skuqim me vaj ulliri të bollshëm, derisa të marrin ngjyrë të kuqërremtë. I heqim nga vaji dhe i vendosim në një letër kuzhine, që  t’u pijë vajin e tepërt.

Lajmë specat, u heqim bishtin me farat. i thajmë me një letër kuzhine dhe i skuqim në vajin e ku skuqëm qepët. Pasi të jenë skuqur, i heqim nga vaji dhe i vendosim sërish në një letër kuzhine, që t’u pijë vajin e tepërt.

Skuqim edhe kubiket e bukës derisa të bëhen kërce. I kullojmë, dhe i vendosim po ashtu në në një leter kuzhine, që t’u ikë vaji i tepërt.

Ndërkohë bathët janë gatuar. Me ndihmën e një luge druri, i përziejmë derisa të kthehen në pure. I japim shije puresë me kripë e vaj ulliri (rreth 30 ml), pastaj e shërbejmë duke e shoqëruar me çikoren, qepën, specat dhe bukën e skuqur

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top