Një vendim i çuditshëm e ka kthyer sërish vëmendjen sot tek Partia Demokratike dhe situata e brendshme e saj, ku duket se përçarja mes dy fraksioneve të saj, sa vjen e po thellohet.
Përmes një njoftimi për shtyp, kreu i PD-së (trashëguar nga Basha) Enkejled Alibeaj, ka përjashtuar ditën e sotme katër deputetë nga grupi parlamentar i PD-së, me pretendimin se ata, edhe pas një viti, nuk janë distancuar ende nga ngjarjet e 8 janarit të vitit që shkoi, kur mbi PD-në e Bashës, ushtruan dhunë demokratët e Berishës.
Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Alibeajt, Nga dita e nesërme, Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi, Belind Këllici dhe Agron Shehaj nuk do të jenë më pjesë e grupit parlamentar të PD-së.
Njoftimi i plotë i zyrës së Alibejt
Sot, më datë 10.01.2023, ka përfunduar afati 1 vjecar për distancimin e plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj Partisë Demokratike të deputetëve të pezulluar Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj. Në mungesë të aktit të distancimit, sipas vendimit nr.1 dhe nr. 1/1, datë 10.01.2022 të Kryesisë së Partisë dhe konfirmimit të Këshillit Kombëtar dhe Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në mbledhjen e datës 15.01.2022, nga sot hyn në fuqi masa e largimit zyrtarisht të tyre nga Grupi Parlamentar. Për këtë qëllim, është njoftuar zyrtarisht Kuvendi i Shqipërisë që deputetët Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj nuk janë më pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike duke filluar nga data 11.01.2023.