Është arrestuar ditën e sotme në kuadër të operacionit “Trashëgimia”, një shtetase shqiptare me inicialet V. LL, 30 vjeçe, banuese në Tiranë, për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”. Sipas deklaratës bërë nga Policia e Shtetit, zonja apo zonjusha në fjalë kishte vendosur në dispozicion të disa shtetasve të huaj llogarinë e saj bankare, me qëllim mashtrimin e shtetasve shqiptarë në hapësirën virtuale. Për këtë qëllim, ajo ka dërguar dhe kartën e saj bankare, së bashku me kodin përkatës, jashtë territorit të Shqipërisë, me qëllim tërheqjen e shumave monetare prej këtyre shtetasve.
Vetë ajo përfitonte 10% të shumës monetare për veprimet që kryente së bashku me ta.
Nga verifikimet e kryera prej Njësisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, rezultojnë se janë dëmtuar disa shtetas shqiptarë, të cilët janë identifikuar plotësisht nga policia.Po ashtu ekzistojnë dyshimet që deri më tani ky grup, të ketë arritur të dëmtojë shtetas shqiptarë dhe të huaj në shuma të ndryshme, në një total prej 100.000 eurosh, pa përjashtuar faktin që kjo shumë mund ndryshojë me vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve.
Si bie pre e këtij mashtrimi?
Për të ndihmuar njerëzit, Njësia e Hetimit Kibernetik, ka bërë me dije se një mashtrim i kësaj natyre nis dhe procedon sa më poshtë:
Një person që pretendon të jetë avokat nga jashtë shtetit ose pretendon të jetë ndonjë nëpunës tjetër ligjor ju dërgon një mesazh nëpërmjet postës elektronike (e-mail), një mesazh në rrjete sociale ose një letër. Ata ju tregojnë se një person i pasur nuk është më dhe ka lënë pas një shumë të madhe parash duke përmendur dhe emrin tuaj.
Avokati është duke administruar trashëgiminë dhe nuk ka qenë në gjendje të identifikojë asnjë nga të afërmit e personit që nuk është më. Si rezultat, paratë do të shkojnë për qeverinë ose nuk mund të tërhiqen. Avokati sugjeron që, ai mund t’ju ndihmojë që ju të tërhiqni trashëgiminë dhe pastaj mund të ndani paratë midis jush.
Mashtruesit do të theksojnë nevojën për fshehtësi dhe do t’ju paralajmërojnë të mos i tregoni askujt tjetër në lidhje me marrëveshjen. Për t’ju nxituar në kryerjen e veprimeve dhe në të njëjtën kohë të ndërmerrni një vendim të nxituar, ata gjithashtu do të theksojnë nevojën për të vepruar shpejt duke vendosur dhe afate në raste të caktuara.
Sidoqoftë, nuk ka asnjë trashëgimi dhe personi që ju kontakton nuk është avokat ose nëpunës ligjor, ai thjesht po krijon një terren për të arritur qëllimin e tij, pra të mashtrojë personin që po komunikon.
Nëse ju i përgjigjeni mashtruesve, ata do t’ju kërkojnë të paguani tarifa të ndryshme, si për shembull: taksat, tarifat ligjore, tarifat bankare etj, në mënyrë që ata të mund të lirojnë trashëgiminë ekzistuese, me qëllim që ju ta zotëroni atë.
Sa herë që bëni një pagesë, mashtruesit do të nxjerrin arsye pas arsyeje se përse trashëgimia nuk mund të paguhet nëse ju nuk do të bëni një pagesë tjetër. Nëse kërkoni që këto pagesa të merren nga trashëgimia që ju po përfitoni, ata do t’ju japin gjithashtu arsye pse tarifat nuk mund të merren nga trashëgimia juaj dhe pse duhet të paguhen paraprakisht.
Nëse hezitoni të paguani një tarifë ose deklaroni se nuk mund ta përballoni atë, mashtruesit do t’ju bëjnë presion duke ju kujtuar se sa afër jeni për të marrë një shumë parash shumë më të madhe se tarifat që keni dorëzuar tashmë, dhe nga sa keni paguar tashmë.
Mashtruesit mund të kërkojnë gjithashtu detajet tuaja të bankës në mënyrë që ata të mund të paguajnë trashëgiminë direkt në llogarinë tuaj bankare. Por, nëse dorëzoni detajet e bankës tuaj, mashtruesit mund t’i përdorin ato për qëllime të tjera kriminale.
Njësia e Hetimit të krimeve Kibernetike, u bën thirrje njerëzve të njoftojnë në në adresën e postës elektronike [email protected], ose në numrin e telefonit 0694155552 në programet e komunikimit social si ËhatsApp, Viber etj, nëse kanë re pre e mashtrimeve të tilla, ose kanë marrë imelje apo mesazhe që u paraprijnë atyre.