E hënë, 28 Shtator, 2026
Libra

Të rritesh (nuk) do të thotë të lexosh më pak. Çfarë na tregon anketimi i 1 791 fëmijëve dhe adoleshentëve për leximin në Shqipëri

· 8 min lexim ·
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

Një analizë objektive e situatës së botimeve për fëmijë në Shqipëri 2025, tregut të këtij libri dhe sidomos qëndrimeve dhe sjelljeve të lexuesit ndaj librit, motivimit të tyre, marrëdhënies midis nivelit të leximit dhe faktorëve social-ekonomikë, kulturorë, të gjinisë etj. 

Ky shkrim është pjesë e studimit “Qasja e lexuesit të vogël dhe të ri në librin artistik në Shqipëri. Motivimet, qëndrimet dhe faktorët socio-kulturorë”, ndërmarrë nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë dhe mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, që ka në fokus marrëdhënien e fëmijëve dhe adoleshentëve shqiptarë me librin dhe leximin.

Mobileri

Raporti synon të shkojë përtej pyetjes së thjeshtë “A lexojnë fëmijët dhe të rinjtë?” dhe të kuptojë si ndryshon marrëdhënia e tyre me librin gjatë rritjes: çfarë i nxit të lexojnë, çfarë i largon nga leximi, çfarë roli luajnë familja, shkolla dhe biblioteka, si ndikon koha e kaluar përpara ekraneve, çfarë presin vetë të rinjtë nga librat dhe cilët janë faktorët që mund t’i afrojnë ose t’i rikthejnë të rinjtë te libri.

Të dhënat që paraqiten më poshtë janë vetëm një pjesë e rezultateve të këtij studimi. Por ato nxjerrin në pah një dukuri që meriton vëmendje të veçantë: ndërsa në fëmijëri marrëdhënia me librin mbetet e fortë, me hyrjen në adoleshencë leximi fillon të humbasë terren.

Të rritesh (nuk) do të thotë të lexosh më pak

Çfarë na tregon anketimi i 1 791 fëmijëve dhe adoleshentëve për leximin në Shqipëri

Ka një moshë kur libri duket ende si një mik i natyrshëm. Fëmijët e marrin në dorë me kureshtje, hyjnë me kënaqësi në historitë e tij, qeshin e emocionohen me personazhet, kërkojnë aventura të reja. Pastaj, diku gjatë rritjes, diçka ndryshon. Libri fillon të humbasë terren. Koha për të nuk mjafton kurrë, vëmendja shpërndahet dhe ekrani bëhet gjithnjë e më i pranishëm.

Kjo është një nga të dhënat më domethënëse që del nga studimi “Qasja e lexuesit të vogël dhe të ri në librin artistik në Shqipëri. Motivimet, qëndrimet dhe faktorët socio-kulturorë”, i realizuar me mbi 1 791 pyetësorë të vlefshëm (nga 2 030 pyetësorë të shpërndarë), prej të cilëve 864 me fëmijë të moshës 6-10 vjeç dhe 927 me të rinj 11-16 vjeç. Studimi përfshin shkolla në Lezhë, Shkodër, Korçë, Tiranë, Pogradec, Vlorë, Durrës, Mat dhe përpiqet të kuptojë jo vetëm nëse fëmijët dhe të rinjtë lexojnë, por edhe si lexojnë, çfarë lexojnë dhe, sidomos, pse me rritjen shumë prej tyre largohen nga libri.

Në vitet e para marrëdhënia me librin është ende e fortë. Por kalimi për në adoleshencës shënon një ndryshim të dukshëm: leximi jashtë detyrimeve shkollore dobësohet dhe entuziazmi për librin bie. Nuk kemi të bëjmë me një shkëputje të menjëhershme, por me një largim gradual. Kjo gjë është pasqyruar ndjeshëm edhe në tirazhet dhe numrin e titujve të botuar për këtë grupmoshë. Nga anketimi që u bë midis disa botuesve del që “Tirazhet e botimit te librave ne 2-3 vitet e fundit janë ulur mesatarisht nga 20-30%. Nëse tirazhet për grupmoshat 6-10 kanë pësuar një ulje të lehtë, për grup moshat 11-16 vjeç janë ulur në mënyrë drastike, në disa raste edhe më shumë se 50%”.

Dhe pikërisht këtu lind pyetja më e rëndësishme: çfarë ndodh ndërmjet fëmijërisë dhe adoleshencës?

Përgjigjja e parë që japin vetë të rinjtë është mungesa e kohës. 46,8% e atyre që lexojnë pak ose aspak e lidhin këtë me faktin se nuk kanë kohë. Por “nuk kam kohë” nuk duhet kuptuar gjithmonë fjalë për fjalë. Koha e adoleshentëve sot është një hapësirë për të cilën konkurrojnë shkolla, aktivitetet, miqtë, telefoni, rrjetet sociale, videot, lojërat dhe platformat digjitale. Librit i duhet të gjejë vend mes të gjitha këtyre. Telefoni, natyrisht, është pjesë e kësaj historie. Ekrani i tij po hyn edhe brenda kohës së leximit. 80% e lexuesve adoleshentë shprehen se bëjnë shpesh një aktivitet tjetër, ndërsa lexojnë një libër: dërgojnë mesazhe, shohin video, përdorin rrjetet sociale, luajnë etj. Sigurisht, në njëfarë kuptimi të rinjtë lexojnë në këtë kohë, madje lexojnë shumë më tepër se dikur. Problemi është se të lexosh informacione duke bërë scroll  nuk është njësoj si të lexosh një libër. Pra, problemi nuk është vetëm sa orë kalojnë të rinjtë përpara ekranit (TV dhe smartfon), por ç’lloj vëmendjeje i japin ata librit. Leximi kërkon kohë, qetësi dhe përqendrim. Bota digjitale, përkundrazi, na mëson të kalojmë me shpejtësi nga një informacion te tjetri, nga një imazh te një video, nga një njoftim te tjetri.

Studimi nxjerr në pah edhe një dallim që meriton vëmendje: vajzat lexojnë dukshëm më shumë se djemtë. Ndër adoleshentët, 49,7% e vajzave thonë se u pëlqen shumë të lexojnë, kundrejt vetëm 27% të djemve.

Kjo nuk është thjesht një statistikë. Është një sinjal për shkollën, familjen, bibliotekat dhe botuesit. Nëse një pjesë e madhe e djemve fillon të largohet nga libri që në adoleshencë, duhet të pyesim veten jo vetëm pse ata nuk lexojnë, por edhe nëse po u ofrojmë librat që mund t’i tërheqin drejt leximit. Më parë thuhej se lexuesi, fillimisht, edukohet në familje, sepse prindërit u kanë lexuar libra kur ishin të vegjël ose sepse kishin një bibliotekë në shtëpi, ose sepse shihnin prindërit kur lexonin. Por vitin 2026, 25 % e të rinjve thonë se asnjëri prej prindërve nuk lexon libra. Pra, modeli i familjes ka pësuar një tronditje të fortë dhe “kriza” e leximit të fëmijëve pasqyron natyrisht edhe rënien e dëshirës për lexim te të rriturit.

Në këtë pikë, bëhet vendimtar roli i shkollës, që  është institucioni që mund të arrijë çdo fëmijë, pavarësisht nga niveli ekonomik dhe kulturor i familjes. Shkolla mund ta afrojë fëmijën me librin, por mund edhe, pa dashje, ta bindë se leximi është thjesht një tjetër detyrë. Një libër që rekomandohet me detyrim për t’u lexuar, për t’u përmbledhur apo për t’u analizuar sipas një skeme të gatshme, rrezikon të humbasë pikërisht atë që e bën leximin të pazëvendësueshëm: kënaqësinë e zbulimit.

Edhe bibliotekat shkollore janë një element i rëndësishëm. Nuk mjafton që një bibliotekë të ekzistojë, madje as vetëm të pasurohet. Ajo duhet të jetë e gjallë, e hapur dhe motivuese për nxënësit. Dhe libri nuk duhet të shfaqet vetëm si detyrim, analizë teksti apo detyrë shtëpie. Bibliotekat shkollore të pasura dhe të përditësuara, koha e lirë për lexim dhe aktivitetet promovuese që e lidhin librin me kënaqësinë dhe kureshtjen, mund të luajnë një rol vendimtar.

Sigurisht, përgjegjësia nuk është vetëm e shkollës. Është e institucioneve që hartojnë politikat kulturore dhe arsimore. Është e bibliotekave publike. Dhe, natyrisht, është edhe jona, ebotuesve. Ne duhet të pyesim vazhdimisht veten se çfarë u ofrojmë fëmijëve dhe të rinjve. A i njohim vërtet interesat e tyre? A vazhdojmë t’u propozojmë librat që ne mendojmë se duhet të lexojnë, apo dimë të dëgjojmë edhe atë që ata vetë kërkojnë? Sepse të krijosh një lexues nuk do të thotë thjesht t’i vësh një libër në dorë. Duhet ta ndihmosh të gjejë librin e tij. Një botues i rëndësishëm shqiptar për librat për fëmijë dhe adoleshentë, shkruan: “Ne botojmë titujt më të shitur të letërsisë së huaj për këtë moshë, tituj të njohur ndërkombëtarisht dhe që kanë promocion të fortë. Këta bëjnë përjashtim në shitje, por kuptohet që nuk janë shumë.”

Vitet e fundit, libraritë në Shqipëri konstatojnë një dukuri gjithnjë e më të dukshme: një pjesë e të rinjve, veçanërisht adoleshentët, i blejnë dhe i lexojnë librat në gjuhën origjinale, kryesisht në anglisht. Në pamje të parë, kjo mund të perceptohet si një zhvillim shqetësues për gjuhën shqipe dhe për tregun vendas të librit. Megjithatë, përvoja e vendeve të tjera tregon se fenomeni është më kompleks dhe nuk është aspak specifik vetëm për Shqipërinë. Por këtë do ta shtjellojmë në vijim.

Nga Idajete Hamzallari,

Grup pune

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top