E hënë, 5 Tetor, 2026
Libra

Për “IKANAKËT”/ Mario Desiati, një fitues i çmimit “Strega” në Tiranë. Nga Albana Nexhipi Lekaj

· 6 min lexim ·
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

Pak ditë më parë, në ambientet e sallës “Sotir Kolea” në Tiranë, u zhvillua një takim që për jetën kulturore të kryeqyetit, shënoi një ngjarje për t’u veçuar.

Shkrimtari Italian Mario Desiati, autor i 11 romaneve, fitues i çmimit “Strega” (2022) në Itali, qe i pranishëm  në këto ambiente, për të promovuar me lexuesit librin me të cilin e fitoi këtë çmim, “Spatriati”, ardhur në shqip me titullin “Ikanakët”, me përkthimin e përkthyeses së njohur Albana Nexhipi Lekaj, nën kujdesin e shtëpisë botuese “Dituria”.

Në bashkëbisedimin e tij me gazetarë, intelektualë e lexues, Desiati ndau mendimet e tij mbi romanin, por jo vetëm sa i takon ngjizjes së tij, por edhe perspektivës si lexues, duke e vënë theksin tek roli katarsistik i veprës.

Mobileri

Spatriatë në dialektin e Martina Frankës, u shpreh Desiati, është ai që nuk është si të tjerët, që  është jashtë rregullave, dhe kjo ndryshon nga vendi në vend. Po jap disa shembuj. Çfarë është “spatrietë” në Martina Franka, sepse kjo ka qenë fjala më e përdorur ndaj meje, që kur kam qenë fëmijë. Vishesha me ngjyra shumë femërore, isha “spatrietë”. Kur isha i ri mbaja një orë rozë. Shokët më thoshin “spatrietë”. Kur isha 40 vjeç, ime më më thoshte nuk e di ç’punë bën, në të pëlqejnë burrat a gratë, nuk e di ku rron, “spatrietë”. Kam një fëmijë “spatrietë”. Je 50 vjeç nuk ke fëmijë. Prapë “spatrietë”. Në Pulia, fjala “spatrietë”, ka një konotacion negativ, kurse në vende të tjera ka një nuancë pozitive. Unë në roman e kam përdorur si në kuptimin negativ të Martina Frankës, ashtu edhe në në mënyrë që ta çliroja prej këtij negativiteti.

Teksa romani “Spatriati”, “Ikanakët” në shqip, hap një debat të fortë mbi çështjet identitare e ato të fesë, që jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali janë konsideruar tabu e të debatueshme, Desiati gjatë takimit me shkrimtarët e lexues shqiptarë, rrëfeu se detyra e letërsisë nuk është të gjykojë, të thotë kush është i mirë apo i keq, kush është e duhura apo e gabuara, por të rrëfejë një histori, të cilën më pas e ka në dorë lexuesi ta gjykojë.

Përpara se të jem shkrimtar, jam lexues, u shpreh ai. Pra kur më pyesin ç’bën në jetë, unë them lexoj. Bëj edhe gjëra të tjera që nuk mund t’i tregoj, por kryesisht lexoj dhe si lexues, kërkoj një shkrimtar që nuk gjykon. Dhe më pëlqejnë shkrimtarët që u vjen keq për personazhet e tyre, sepse më ndihmojnë edhe mua si lexues të më dhimbsen. Por kur je duke rrëfyer një histori, nuk arrin të jesh i ftohtë e të mos gjykosh, e ndonjëherë ke qejf ta thuash kur dikush është i keq apo  i mirë. Por edhe këtu, unë besoj tek morali i shkrimtarit që nuk ka moral, që rrëfen edhe zonat e errëta, pa thënë që ajo është e keqja. Në këtë roman, dy personazhet janë dy të rinj, dy të rritur, që përpiqen t’ia mbathin prej peshës së gjykimit. Por gjykimi nuk është i shkrimtarit, por i shoqërisë ku ata jetojnë. Kjo shoqëri ka një sërë rregullash të pashkruara, dhe këto rregulla të pashkruara, nëse i tradhton, je “spatrietë”, i dalë nga binarët, ikanak.

Në bisedën e tij, Desiati rrëfeu edhe detaje nga procesi i shkrimit të veprës letrare, duke pohuar se për ta shkruar veprën “Ikanakët”, i janë dashur thuajse 5 vjetë, dhe jo sepse nuk dinte si ta ngjizte atë, por për të ruajtur balancën stilistike të zërit siç shprehet ai.  

Në një roman ku ka dy protagonist, ka një problem serioz. Kush e rrëfen këtë histori? Këta personazhe mund të rrëfeheshin edhe prej një personi të tretë, por unë zgjodha një tjetër zë, fals, që ta bënte rrëfimin. Them fals, sepse romani duket i rrëfyer nga Françesko, por në momentin kur flitet për Klaudiën, duket si një person në vetë të parë, por është prapë personi i tretë që rrëfen, edhe pse duket si i pari. Pra, po, si Klaudia ashtu edhe Françesko, janë dy anë të së njëjtës medalje dhe ky libër më ka marrë shumë kohë për ta shkruar, jo për kohën që nevojitej për ta shkruar historinë, por për të ruajtur ekuilibrin stilistik të zërit, për të bërë që ai të jetë i besueshëm për lexuesin. Sepse në fillim, romani është romani i Klaudiës. Unë doja të shkruaja një roman për Klaudiën që jeton në Martina Franka, kurse  Françeskoja qe thjesht një personazh dytësor, por ai më ndihmoi për të shkruar për Klaudiën, e kështu u bë edhe ai protagonist i librit. Unë jam autor që shkruaj shumë boca, ku ndryshojnë vendet personazhet, ku ndryshon madje edhe koha e librit, derisa arrij tek romani im. Dhe në në fakt, si “Ikanakët”, ashtu edhe ky i fundit që sapo u botua në Itali, koha e shkrimit ka qenë pesë vjet.

Periudha e emigrantëve shqiptarë në fillim të viteve ’90 në Pulia të Italisë me anijen “Vlora”, të cilën Mario Desiati e prek në romanin e tij “Ikanakët”, nuk mbeti pa u prekur as në këtë takim. Vetë Desiati rrëfeu se emigrimi i shqiptarëve në Pulia ka qenë shumë i rëndëishëm, dhe ka dhënë një dorë të pazëvendësueshme për zhvillimin e zonës së Pulias.

Në jetën time personale, u shpreh ai, ka qenë i rëndësishëm edhe emigrimi i shqiptarëve në Pulia. Dhe mbi këtë unë kam shkruar, madje kam pasur një debat të fortë mbi temën në itali. Unë vij nga një zonë, që deri vonë cilësohej periferik në Itali. Këtyre 20 viteve të fundit, Pulia është bërë më qendër e debatit politik e kulturor, në kinema, është një nga vendet më të rëndësishme ku xhirohen filma, turizmi është zhvilluar, pra është një zonë ndryshe dhe më e mirë se 40 vite më përpara. Tani do të them një fjali që sa herë e them në Itali krijon debat, kurse këtu e ndjej që do të pritet mirë. Pulia është përmirësuar edhe falë 1991-it. Ka një komunitet shqiptar që është tejet i fortë, shumë prej tyre janë larguar, por shumë kanë mbetur, dhe ne e kemi ndihmuar shumë  njëri-tjetrin.

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top