
Franca ka fajësuar Iranin për sulmin kibernetik të muajit të kaluar, ndaj frigoriferëve të supermarketeve, i cili çoi në prishjen e produkteve në rreth 700 pika shitjeje. Parisi është zotuar të vendosë sanksione si kundërpërgjigje, ndërsa Teherani, të martën, e hodhi poshtë akuzën, duke e quajtur atë “të pabazë dhe armiqësore”.
“Ky ishte një sulm me përmasa dhe agresivitet të paprecedentë,” u tha gazetarëve të hënën ministri i Jashtëm, Jean-Nowl Barrot. Ai e përshkroi atë si sulmin e parë kibernetik në shkallë të gjerë, kryer me qëllim sabotimi në territorin francez.
“Kjo përbën një goditje të rëndë ndaj interesave të kombit dhe sigurisë së popullit francez”, u shpreh Barrot. Ai shtoi se Franca ka thirrur ambasadorin e Iranit dhe synon të vendosë sanksione hakmarrëse “në nivel evropian”.

Ndërkaq, të martën, Ministria e Jashtme e Iranit, të martën, e hodhi poshtë fuqishëm akuzën e qeverisë franceze, duke pretenduar se ajo “ka për qëllim të largojë vëmendjen e opinionit publik nga politikat shkatërruese të Francës ndaj Iranit”. Teherani, u shpreh ajo më tej, “nuk do të hezitojë të ndërmarrë masat e nevojshme dhe të duhura për të mbrojtur interesat e veta kombëtare dhe sigurinë kundër veprimeve të huaja të paligjshme ,” shtoi ajo.
I pyetur të martën mbi reagimin e Iranit dhe pse Franca është e sigurt që sulmi qe vepër e Iranit, Barrot tha se Franca e ka konstatuar “me bindje” që pas tij qëndron Trupa e Gardës Revolucionare Islamike, duke shtuar se nuk dëshiron ta zbulojë mënyrën se si është arritur në këtë përfundim.
Barrot theksoi se Garda Revolucionare “natyrisht” do ta mohojë përgjegjësinë, sepse “ata kanë frikë nga kundërpërgjigjja që ne mund të japim, dhe që do të japim”.
Sipas BFMTV-së, një media partnere e CNN-it, sulmi kibernetik i tetorit ndodhi kur hakerët u lidhën nga distanca me frigoriferët dhe ngrirësit e supermarketeve, duke rritur temperaturën e tyre përmes aktivizimit të cikleve të shkrirjes. Kjo çoi në humbjen e sasive të mëdha të produkteve të freskëta dhe të ngrira, e madje shkaktoi edhe zjarr në disa prej pajisjeve ftohëse.

