
Policia e Shtetit ka njoftuar prishjen e një ndërtimi pa leje në zonën e Karaburunit. Sipas saj,aksioni është në vazhdën e prishjes së ndërtimeve pa leje në zonën e bregdetit.

Njoftmi i plotë i Policisë së Shtetit
Ndërtimet pa leje në zonat bregdetare nuk do të tolerohen, përgjegjësia shkon te ndërtuesit dhe strukturat që kanë detyrimin ligjor për parandalimin e tyre
Pasditen e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, së bashku me Kryeinspektorin e IKMT-së, Afrim Qendro, morën pjesë në operacionin për prishjen e një ndërtimi pa leje, “beach bar”, në zonën e Karaburunit.
Drejtori i Përgjithshëm Skender Hita:
“Jemi sot këtu, në Karaburun, së bashku me përfaqësuesit e IKMT-së dhe strukturat e Policisë së Vlorës, pasi kemi evidentuar një ndërtim të paligjshëm.
Ky ndërtim ka 4 muaj që është konstatuar nga strukturat e Policisë së Vlorës dhe rasti është referuar në Prokurorinë pranë Rrethit Gjyqësor. Më pas, në bashkëpunim me IKMT-në, janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe sot ndodhemi këtu për prishjen e këtij ndërtimi të paligjshëm.
Njëkohësisht edhe në rastin e disa ditëve më parë në Himarë, së bashku me IKMT-në, ne sërish prishëm një ndërtim të paligjshëm që ishte aty dhe përgjegjësia nuk u ndal vetëm te personi që kishte ndërtuar atë objekt, por ajo u shtri edhe te strukturat përgjegjëse për parandalimin dhe goditjen e këtij fenomeni, siç ishte zinxhiri komandues i Komisariatit Himarë dhe strukturat e IMT-së së Bashkisë Himarë.
Po sot, në këtë rast, ne kemi arrestuar njërin prej autorëve që ka bërë këtë ndërtim, kemi shpallur në kërkim bashkautorin tjetër.

Në këtë rast, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka qenë në tejkalim të kushteve të saj ligjore, në lidhje me dhënien e lejeve përkatëse për “beach bar”-in që ka dhënë apo dhe për aktivitetet e tjera të paligjshme të ushtruara në këtë zonë.
Çdo qytetar, në rastet e ndërtimeve pa leje apo të krimeve mjedisore të tjera, para se të mendojë të bëjë një krim të tillë, më mirë t’u drejtohet organeve kompetente për marrjen e lejeve përkatëse dhe zhvillimin e aktivitetit të tyre normal.”
Objekti prej druri po ndërtohej nga shtetasit O. Sh. dhe S. D., të cilët ishin proceduar penalisht më parë dhe kishin tejkaluar afatin kohor për prishjen vullnetare.
Gjatë operacionit, u vu në pranga njëri prej ndërtuesve, shtetasi S. D., ndërsa ortaku i tij, shtetasi O. Sh., u shpall në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.

