Londër, fund i viteve shtatëdhjetë. Kamila është grua dhe nënë e lumtur (ajo dhe Andrew kanë dy fëmijë, Tomin dhe Laurën), kurse Karli është ende beqar. Mbretëresha është e shqetësuar dhe pressing është i fortë nga të gjitha anët; lordi Moutbatten e bind t’i propozojë të mbesës, ledi Amanda Patricia Victoria Knatchbull-it, por Karli vendos ta bëjë pasi xhaxhai i vdes gjatë atentatit të IRA-s dhe ajo nuk ia pranon propozimin. Pastaj, pas disa aventurave të tjera jo të denja për t’u përmendur, ja ku del si me magji emri i të ëmblës Diana, mbesë e ledit Fermoj, mikeshë dhe njeri i besuar i nënës mbretëreshë. Gjithçka duket se po shkon për mirë. Mbretëreshës i pëlqen e reja Spencer, e konsideron “njëra nga ne”, dhe bindet se Karli edhe mund të fillojë ta dojë dalëngadalë. Gabimi më i madh i bërë prej Madhërisë së Saj në vlerësim, në jetën personale e politike.
Camilla Shand Parker Bowles: sërish ajo! Emri i saj kthehet në veshët e sovranes pikërisht prej Dianës, e cila i kërkon ndihmë për t’i dhënë fund marrëdhënies jashtëmartesore të Karlit, ndërkohë që martesa e tyre është drejt shkatërrimit. Në të vërtetë gruaja është shfaqur në jetën e princit shumë më parë. Më saktë më 1979-n, për hir të miqve dashamirë, të cilët teksa shohin Karlin të shkatërruar nga humbja e xhaxhait, lord Mountbatten-it, i kërkojnë ta telefonojë e ta ndihmojë: “Askush më mirë se ti nuk mund ta bëjë”. Dhe kështu Kamila shfaqet sërish në skenë, si mikeshë dhe njeri i besuar. Disa biografë thonë se princi i ka kërkuar të kthehen së bashku, e se ajo i është përgjigjur ‘jo’, duke e nxitur t’i thërrasë mendjes se mund të humbasë fronin për shkak të saj, duke i premtuar se sido të ishte, ajo do të mbetej “e tija përjetë”. Shumë njerëz, po ashtu edhe mbretëresha, e kuptojnë që mes të dyve është rindezur sërish shkëndija, teksa i shohin të vallëzojnë në një festë të organizuar për tetëdhjetë vjetorin e nënës mbretereshë, më 1980-n. Skena nuk mund të ngatërrohet dhe bën që shoqëruesja e princit, Anna Wallace, të shpërthejë e nxehur ndaj tij: “Mos guxo kurrë më të më injorosh! Kurrë më në këtë mënyrë! Askush nuk më trajton dot kështu. As ti!” thuhet se i ulëriti ajo në fytyrë. Në një tjetër ballo, është burri i Kamilës ai që hedh kunja: “Madhëria e tij është shumë afër gruas sime dhe gruaja ime duket shumë e afërt me të”, vëren me ftohtësinë dhe sarkazmën e një tradhëtie mëse të qartë.
Ishin miq apo të dashur që atëherë? Diana, kur i dorëzon kujtimet e saj Andrew Morton-it, këmbëngul për hipotezën e dytë: Kamila ka qenë përherë, edhe përpara martesës. Pak ditë përpara dasmës në fakt, kishte zbuluar mes gjërave private të dhëndrit të ardhshëm, një byzylyk gruaje me inicialet GF, ‘Gledis dhe Fredi’, pseudonimet që dy të dashnorët përdornin në intimitet, duke iu referuar shfaqjes së tyre të preferuar “The Goon Show”, ose sipas disa të tjerëve, pseudonimi që i kishte vënë princi të dashurës së tij, ”Girl Friday’. Mbrojtja e tij është e dobët: “Po, është për të, por nuk është gjë tjetër, veçse një dhuratë për një mikeshë të vjetër”. Pak kohë më pas, Diana shquan tek pulset e Karlit një çift butonash me inicialet CC dhe luan mendsh. Sipas Penny Junor, biografes së Kamilës, ledi D ishte e fiksuar pas saj, aq sa mendonte të prishte dasmën: mendjen ia kishte kthyer e motra, e cila e kishte bërë të kuptonte se tashmë ishte vonë, me fytyrën e saj stampuar në miliona suvenire.
Ndërgjegjësimi i Dianës në fakt mbërrin vonë. Kur ajo nis të takohet me Karlin, Kamila është në rrethin e ngushtë të miqëve dhe i ofron miqësinë e saj. Tek e reja Spencer, gruaja sheh “një budallaqe të lehtë për t’u manipuluar” , pra gruan e përsosur për mikun dhe të dashnorin e saj. Kur ai niset për në Zelandë të Re, pak përpara dasmës, ia beson nusen e re Kamilës, e cila ofrohet t’i bëjë mentoren, dhe një ditë e fton për drekë, për t’i mësuar se si të përshtatet me disa zakone të familjes mbretërore e të fillojë sërish kalërimin, për t’i plotësuar dëshirën të shoqit. Kur gazetarët përgjojnë një telefonatë direkte dashurie të princit me Londrën, e marrin për të mirëqenë që nga ana tjetër e linjës ishte Diana, ndërkohë që vite më pas zbulohet identiteti i vërtetë i atij zëri femëror. Dyshimi qe ngulur në kokën e Dianës qysh përpara se të martoheshin, por do t’i duhen shumë vite derisa të gjejë forcën e të përballet me “Rotvelierin” – kështu e quan shemrën e saj – hapur: “E di çfarë po ndodh mes tim shoqi dhe teje dhe dua që ti ta dish këtë”, i thotë një mbrëmje asaj, në shtëpinë e disa miqve. “Ke gjithçka që mund të dëshirohet. Tërë burrat e botës janë të dashuruar pas teje dhe ke dy fëmijë të bukur, çfarë do më shumë?”, ia kthen Kamila. “Dua tim shoq!”
Deri këtu, pisllëqet lahen brenda familjes. Mbretëresha i di të gjitha, por shpreson se koha do të sjellë qetësi në jetën e princërve të Galesit, edhe ngase, në krye të Mbretërisë, ka gjëra të tjera për t’u marrë, e sidomos një tjetër grua për t’u përballur: Margaret Thatcher-in, zgjedhur në maj të 1979-s kryeministre, në krye të një qeverie të vendosur “ta kuronte” vendin me masa drastike, të cilat brenda një periudhe të shkurtër sollën një recension të fortë dhe një numër të lartë të papunësh. Është annus horribilis, viti 1992, ai që e vë mbretëreshën me shpatulla pas muri. Sa u takon çështjeve sentimentale të trashëgimtarit të fronit, opinioni publik vihet në dijeni të detajeve më intime të martesës së Karlit me Dianën, falë librit të Morton-it, i cili e cilëson Kamilën si dashnoren e tij dhe në pjesën më të madhe edhe fajtore të palumturisë së mbretëreshës së popullit. Nuk është më koha për ta hedhur vështrimin tjetërkund. Lajmi që i biri është kthyer sërish në krahët e Kamilës, i zgjon të famshmen “Uindsor temper”. E thërret dhe, fjalë për fjalë, i ulëret në fytyrë që t’i japë fund kësaj marrëdhënieje, por sado autoritare të ishte ulërima, Karli, i rritur tashmë, nuk është i gatshëm t’i bindet pa kushte të ëmës sovrane. Një vit më pas, imazhi i tij si trashëgimtar i fronit, prek pikën më të ulët me “Camilla-Gate”, shpërthyer kur shtypi përgjon dhe publikon një bisedë private tyren: “Do doja të rroja brenda pantallonave të tua, me pak fjalë. Do ishte shumë më e thjeshtë!”, i thotë princi të dashurës së tij. “Ke qejf të kthehesh në tokë në formën e një palë të mbathurash grash?”, ia kthen Kamila. Dhe ai: “Mos e dhëntë zoti! Në një Tampax, këtë do të doja për fat”. Për t’u mbrojtur, Karli rrëfen variantin e tij të historisë në një intervistë televizive: “Kam tradhtuar? Po”, pranon duke iu drejtuar prezantuesit Jonathan Dimbleby, “por vetëm kur martesa ime kishte marrë fund”.
Gjithësecili është i lirë të besojë variantin që preferon për të ndjekur fillin e historisë deri në verën e 1998-s, kur Diana ka vdekur tashmë prej një viti dhe djemtë e saj, për hir të dashurisë për të atin, vendosin ta presin Kamilën në familje. Uillami dhe Herri e ftojnë në festën surprizë organizuar për pesëdhjetëvjetorin e të atit. Ka rrjedhur shumë ujë nën urë: Kamila tashmë është një grua e divorcuar. I shoqi Andrea ia bëri valixhet gati dhe e përcolli jashtë pak pas intervistës televizive të princit. Karli kishte biseduar me të bijtë përpara se Diana të vdiste, duke ua prezantuar si njeriun me të cilin kishte dëshirë të rrinte, sepse që kur ishte rikthyer në jetën e tij, e kishte bërë të lumtur më shumë se kurrë më parë. Djemtë e kuptuan, edhe pse Karlit, që ta përballonte këtë bisedë, i qe dashur të pinte shumë xhin tonik, shumë më shumë se zakonisht.
Kështu, atë gusht të 1998-s, pra goxha përpara se Karli të festonte gjysmën e shekullit jetë, ja ku janë princat tek luajnë si aktorë në skenë përkrahë aktores Emma Thompson, në një pjesë satirike shkruar prej Stephen Fry dhe kushtuar personazheve të familjes mbretërore angleze. Në rresht të parë gjendet Kamila. Shijon spektaklin, bën gëzuar me shambanjë, kërcen me të zotin e festës në strehën e Highgrove, që Diana e kishte urryer ngahera. Pranimi që i bën gruas princi Uilliam, nxit faljen edhe nga pjesa më e madhe e publikut: pas vdekjes së të ëmës, ai është më i dashuri mes Uindsorëve, popullaritet ky i matur nga një tregues pëlqimi 99%. Dhe kur ai është i gatshëm ta falë gruan që u shkatërroi martesën prindërve të vet, thonë nënshtetasit, kush jemi ne që të mos e bëjmë?
Kush nuk është ende gati për ta mirëpritur Kamilën në familje, është mbretëresha. Karli është i frustruar nga vendosmëria e të ëmës për të mos e takuar, dhe tërbohet kur merr vesh se ajo ka ndërmend ta përjashtojë nga festimet zyrtare të ditëlindjes që përmendëm më sipër. Princesha Margaretë, tezja e tij, përpiqet të ndërhyjë, por vendimi i Elizabetës nuk lejon mundësi rishikimi. Kështu, i dëshpëruar nga ajo që ai e cilëson si situatë të patolerueshme, Karli i afrohet të ëmës një natë teksa ajo është ulur në sallonin e saj në Balmoral, për t’i kërkuar ballë për ballë që ta zbusë urrejtjen ndaj gruas që do. Përgjigja e saj është e ashpër, e ndikuar me gjasa edhe prej një doze të madhe Martini që i qe shërbyer: “Nuk kam për ta falur kurrë tradhtinë tënde, as atë grua të ligë, që nuk të lejoi të la ta mbaje në këmbë martesën tënde. Nuk dua të kem të bëj me të!”
I mundur, Karli lufton i tërhequr. Nuk kalon shumë kohë përpara se konti i Karnarvonit, stërvitësi i kuajve të garve të mbretëreshës dhe miku i saj i ngushtë, të ofrohet për të ndërmjetësuar; por pasi e diskuton situatën me Madhërinë e Saj, përfundon duke mbajtur edhe ai anën e saj. Mbi këtë temë është e vendosur, e madje i refuzon të birit edhe lejen për t’u transferuar në “Clarence House” pas ndarjes me Dianën në 1992-in, duke e konsideruar fyese idenë që të mirëpriste të dashurën e tij në çatinë që bashkëndante me nëntëdhjetë e dyvjeçaren nënën mbretëreshë. I jep “York House” të Saint James-it, një strehë e ftohtë dhe e parehatshme, të cilën ai e rregullon me ndihmën e arreduesit Robert Kime. Për herë të parë në jetën e tij, nuk mund të mbështetet tek ndihma e pakushtëzuar e të gjyshes, edhe më e egër se e ëma sa i takonte persekutimit të Kamilës, edhe për shkak se ish burri i saj Andrew Parker Bowles, vazhdonte të ishte i ftuari i saj nëpër pritje. Frustrimi e shpie Karlin drejt mendimeve të errëta, duke menduar se e tërë shtëpia Uindsor po thurte intriga kundër tij, nisur që prej të vëllezërve, të vendosur të mos mbanin anën e tij. Në Krishtlindjet e 1996-s, mbërrin deri atje sa të mendojë se Eduardi dhe Andrea po planifikonin “rënien” e tij, duke ushqyer urrejtjen e mbretëreshës ndaj Kamilës. Sa për Anën, zakonisht e gatshme për ta mbështetur, ajo nuk ia fal pranimin publik të tradhtisë, ndaj ia refuzon ndërmjetësimin.
E mbyllur në heshtjen e saj tradicionale, edhe mbretëresha vuan dhe është e paqetë për situatën: “Nuk mund ta besoj atë që po më ndodh”, i thotë në 1997-n sekretarit privat Robert Fellowes i cili, kujtojmë, është kunati i Dianës. Biseda intimiduese e Karlit – “Mbretëresha duhet të kapë me ritmin, apo jo?” – nuk shërbeu për gjë, sepse Fellowes nuk kishte simpati as për të e as për Kamilën: “Ata të dy janë njerëzit më egoistë që kam takuar”. Marrëdhëniet nënë e bir e mbërrijnë kulmin e farsës, kur Karli fton e të dashurën për darkë gjatë mbledhjes së fondeve në Pallatin Buckingham, pa ia përfshirë emin në listë. Mbretëresha nuk do shkonte, por gjithësesi do kishte kundërshtuar nëse gruaja do të ulej në tryezë me të. Kështu, ai lë një vend bosh dhe Kamila vjen dhe e zë. “Kur Ma’am mungon, minjtë kërcejnë”, u thotë i kënaqur princi të ftuarëve, duke u mburrur si një fëmijë që sapo i ka punuar një rreng të ëmës.
I vetëm, por i vendosur ta bënte të ligjshme praninë e të dashurës së tij, Karli punëson një ekspert komunikimi, Mark Bolland-in, për të vënë në punë një strategji të mirëfilltë: t’i bënte nënshtetasit t’ia pranonin gruan, duke i krijuar asaj një rol ‘ad hoc’ në skenën publike. “Fushata Kamila” nis me lidhjen e emrit të saj me “National Osteoporosis Society”, patronazhiste e së cilës bëhet që prej 1997-s e presidente në 2002-in: çështja e duhur për t’i shpenzuar forcat, sepse kjo sëmundje e dhimbshme i kishte rrëmbyer si të gjyshen, ashtu dhe të ëmën. Plani duket se funksionon. Kur në korrik të 1997-s organizon festën në Highgrove për të festuar pesëdhjetë vjetorin e tij, një sondazh i tabloidit “Mirror” zbulon që 67% e britanikëve është në favor të martesës së tyre, me një pestën e 500 vetave të bindur se kishin ndryshuar ide mbi zonjën Parker Bowles gjatë vitit të fundit. Sidoqoftë, një muaj më vonë ledi Diana vdes në aksidentin me makinë dhe populli nis një proces të menjëhershëm lumturimi të personazhit. Në dhimbjen e në mërzinë e ndjerë, publiku kërkon dikë ndaj të cilit të drejtojë gishtin dhe e gjen fillimisht tek mbretëresha, që e mban veten dhe bijtë e princeshës larg lotëve të Londrës, e më pas tek Kamila, që luajti një rol të fuqishëm në bërjen e palumtur të jetës së të ndjerës Diana. Shtypi nis ta rrethojë, derisa e shndërron në të burgosurën të shtëpisë së saj, duke e detyruar Karlin t’i vërë një agjent mbikqyrës e mbrojtës.
Pilafi nuk mban më ujë. Mbretëresha thërret të birin dhe i kërkon të komunikojë publikisht heqjen dorë nga e dashura, e bindur nga Fellowes, i cili marrëdhënien e Karlit me Camilla Parker Bowles e cilësonte të dëmshme për të ardhmen e monarkisë. Por princi ka mësuar t’i thotë “jo” të ëmës. “Kamila nuk negociohet”. Dhe nuk do të heqë dorë, as nga Kamila e as nga froni!
*Pjesa e mesipërme është shkëputur nga libri “Elizabeta dhe të tjerat, dhjetë gra për të rrëfyer mbretëreshën e vërtetë”, i autores Eva Grippa, botuar nga Botimet Jozef, përkthyer nga Albana Nexhipi Lekaj. Ndalohet publikimi pa cituar botuesin.