Të shohësh se ç’po bëjnë ata andej nga Big Brother, është kthyer thuajse në rutinë tashmë, kur një nga programet që furnizon më së shumti kronikën rozë në vend, “Big Brother VIP Albania”, po futet në muajin e dytë vetin.
Nuk dua të humbas këtu në përsiatje të tipit sa interesant është ky format krahasuar me të tjerët më parë, se nuk dëshiroj t’i bëj analizë atij dhe mesazheve që ai shpërndan për audiencën, por, teksa videot dhe lajmet mbi të bombardojnë këdo e parreshtur, nga çdo media vizive e rrjet social i mundshëm, vendosa t’ju sjell në vëmendje që shkrim të Umberto Eco-s, studiuesit të medias, shkrimtarit, semiologut e publicistit të njohur italian, që titullohet “Vëllezërit e Mëdhenj janë dy”.
Është një shkrim që Eco e ka publikuar në vitet 2000 në fakt, fillimisht në gazetën “Espresso”, e mandej edhe tek libri “Pape, Satan Aleppe”, por që të nxit të reflektosh edhe sot dita, mbi se kush janë të vëzhguarit në të vërtetë, teksa ky reality show kryen rrugëtimin e vet.
“Aspekti çedukues i Big Brother-it”, shkruan Eco teksa përpiqet të analizojë moralin e këtij reality show, “mçifet gjëkundi tjetër, e pikërisht tek titulli që dikush e ka zgjedhur për këtë lojë. Ndoshta shumë spektatorë nuk e dinë, që kjo e Big Brother-it, është një alegori e sajuar prej Orwell-it në librin e tij “1984”: Vëllai i Madh ishte një diktator (emri i tij evokonte Babanë e Vogël, domethënë Stalinin), i cili i vetëm (ose me një nomenklaturë të ngushtë njerëzish”, qe i aftë të spiunonte tërë nënshtetasit e vet, minutë për minutë, kudo gjendeshin. Situatë absurde, që të kujton Panoptikonin e Benthamit, ku burgosësit mund t’i spiunonin të burgosurit, kur këta të fundit nuk e dinin se kur po i spiunonin”.
“Tek Vëllai i Madh i Orwellit”, thotë Eco , “pak veta spiunojnë të gjithë. Kurse tek ky televizivi, të gjithë mund të spiunojnë ata pak. E kështu mësohemi me Vëllanë e Madh si diçka shumë demokratike e përgjithësisht të këndshme. Por, teksa bëjmë këtë, harrojmë se pas shpatullave tona, ndërkohë që ne shohim emisionin, gjendet Vëllai i Madh i vërteti, ai me të cilin merren kongreset mbi privacinë, bërë prej grupesh të ndryshme pushteti, që kontrollojmë kur futemi në një sajt në internet, sa paguajmë me kartën e kreditit në një hotel, kur blejmë diçka me postë, kur na diagnostikohet një sëmundje në spital, e madje edhe kur vërdallosemi në ndonjë supermarket, monitoruar prej ndonjë televizori të brendshëm. Dihet që, nëse këto praktika kontrollohen rigorozisht, pas shpatullave të secilit prej nesh, mblidhet një shumë e paparë të dhënash, që do të na bënin krejtësisht transparentë, duke na hequr çdo lloj intimiteti e rezervimi”.
“Teksa shohim vëllanë e madh në TV”, vazhdon Eco, “jemi tek e fundit, si një bashkëshort që, i sikletosur paksa, po konsumon një flirt të pafajshëm në një bar, pa e ditur në fakt, që partneri tjetër, po ia vë brirët tamam. Titulli VËLLAI I MADH, na ndihmon kështu që të mos e dimë, ose edhe ta harrojmë, që fiks në atë moment, dikush po na qesh pas shpatullave”.
E pra, ja, këto më vijnë ndërmend kur dëgjoj për audiencën e lartë të këtij reality show, i cili, me gjasa nuk di asgjë nga këto që thotë Eco-ja, apo ndoshta dhe nuk e vret mendjen. Sidoqoftë, pak po e sigurt, organizime kaq të mëdha televizive, natyrisht nuk synojnë vetëm kënaqjen e audiencës.