Jo më larg se dje isha e ftuar në emisionin “Jetë Shqiptare” në RTSH, ku do flitej për rastet e dy burrave që kishin vendosur ta mbushnin shtëpinë me kamera e të ruanin ditët e natë gratë e familjarët e tyre
Në fakt të tilla ngjarje më dhembin aq shumë në shpirt (se besoj që asnjë burrë apo grua në botë, nuk do donte ta shkatërronte kurrë familjen që ngre), ndaj përgjithësisht e shmang të folurën për to, por kësaj radhe vendosa të flas, sepse në thelb mendoj që motivi kryesor i ndodhive të tilla, janë probleme të shëndetit mendor, të cilit tek ne zakonisht i vihet kapak me justifikime të tilla “hë, se është pak nervoz”, “të do, pa bën kështu”, “po dhe ti, pse ia kthen, lere të flasë ai, se qetësohet”, etj., e aty ku filli është më i dobët ekonomikisht, intelektualisht, apo në pikëpamje të realizimit të vetes sociale, këputet e na nxjerr në pah të tilla episode, të trishta padyshim, por që duhet me patjetër të nxisin politika sociale, si për rehabilitimin e njërës palë, ashtu edhe të tjetrës.
Thënë kjo, në këtë shkrim, dua të merrem paksa me atë urdhërore që feks në çdo panel e diskutim ku flitet për dhunën ndaj grave: “NDAJE!” “MERR FËMIJËT DHE IK!”, e cila me sa duket thuhet sa për të kaluar radhën, se gratë e shkreta (shumica), e dinë të tërë, nuk mund ta ndërmarrin kaq lehtë një vendim të tillë, me nga dy-tre-katër fëmijë në kurriz.
Jam mëse dakord që kur një çift nuk funksionon, duhet të ndahet, se është në të mirën e të dyve, e në të mirën e fëmijës po ashtu, por halli është ku të vejë gruaja me gjithë kalamaqtë në moshë të njomë, kur nuk ka asnjë shtëpi ku të fusë kokën, asnjë bazë financiare apo me ndonjë bazë financiare të pamjaftueshme, për të vijuar jetën normalisht?
Ku të përplasen pra këto gra?
Në këtë pikë, asnjë nuk ndihet. Heshtje. “Nëse kanë një familje të mirë, mund të mbështeten tek ajo”, shpjegon psikologia e ftuar dje në emision. Po nëse nuk e kanë një familje? Se jo të tërë ata që ndahen mund t’i kenë gjallë prindërit, jo të tërë mund t’i kenë me një bazë ekonomike të mirë, ca mund t’i kenë pleq, me nga 120 mijë lekë të vjetra pension, 240 të dy. Imagjinoni tani si mund të kullandrisen, po t’u shkojë edhe çupa, pa punë, me 4 kalamaq!
Jam dakord që familja është baza, por kjo sidomos në pikëpamje psikologjike, pra sido të jetë vendimi i gruas, ta dijë që familjarët i ka përherë në krah, por në pikëpamje financiare, jo gjithmonë familja mund t’i përgjigjet, ndaj e VETMJA bazë, për situata të tilla, në një vend me një ekonomi kaq të varfër familjare saç është Shqipëria, duhet të jetë SHTETI.
Vetëm SHTETI me politikat e veta, mund t’ua lehtësojë procesin e ndarjes grave që kuptojnë se rrojtja me bashkëshortët nuk po shkon në udhën e mbarë, duke shmangur kështu edhe shumë raste feminicidi, që në jo pak raste burojnë edhe prej faktit që gratë vijojnë të rrojnë me partnerë të dhunshëm, pikërisht se nuk kanë ku të fusin kokën.
Pra SHTETI, SHTETI, dhe vetëm SHTETI, me politikat e tij sociale, nxitur dhe vënë në punë prej Ministrisë së Mirëqenies Sociale e asaj të Ekonomisë e Arsimit, mund ta lehtësojë procesin e rehabilitimit të një gruaje që mendon se duhet të ndahet prej bashkëshortit.
Vetëm SHTETI mund t’i ofrojë asaj më pakta mbështetje finaciare për një vit, sa ajo të mëkëmbet, qira, ushqim, veshmbathje, për të dhe fëmijët, mbështetje për shkollimin e fëmijëve e edukimin e tyre, që dora-dorës që fëmijët rriten e bëhen të aftë për punë, të zbehen. Mandej lehtësi punësimi për gratë e divorcuara, të cilave për një farë kohe do t’u duhet të bëjnë edhe burrin, edhe gruan, edhe babanë edhe nënën, e ndoshta do t’u nevojitet të jenë me fleksibël me oraret a me turnet.
Por grave në Shqipëri u thuhet vetëm “DIVORCOHU!”, “LËRE!”, dhe kurrë ndonjëherë variantet se ku mund të trokasë për ndihmë ajo, për të vijuar jetën normalisht bashkë me fëmijtë.
Tani pyetja që vijon është: a ekzistojnë politika të tilla në Shqipëri? Nuk e di, dhe nuk mendoj se ekzistojnë. Po të ekzistonin, mendoj se do ishin dëgjuar, se rastet e feminicidit do ishin më të pakëta e se gratë nuk do vijonin të rronin dhunën e bashkëshortëve, por do ta kishin kokën lartë e do vijonin jetën bashkë me fëmijët. E meqë nëse nuk ekzistojnë, them se ky është një moment i mirë për reflektuar e për nisur disa syresh, sikur rehabilitimin nëpër banesat sociale me një qira minimale dhe një mbështetje financiare vjetore si fillim, sa të mëkëmben, sa të gjejnë një vend pune, sepse në gjykimin tim nuk do shpiket rrota, mjaft të ndiqen praktikat e vendeve të zhvilluara dhe mbështetjen që u japin ato grave të divorcuara.
Dhe tani një gjë të FUNDIT! Personalisht më ngre nervat kjo fjalia “Të kthehet tek prindërit”, a thua se vajza është fustan që e ke dhënë me qira, e kur nuk e përdor më tjetri, ta kthen mbrapsht. Jo mor zotëri jo!!! Vajza është një qenie që ka investuar në krijimin e një familjeje të re shqiptare, që është bërë nënë e ka frymë shqiptarësh për të rritur, shqiptarë që nesër pasnesër mund të na nderojnë a të na turpërojnë të tërëve. Ndaj ajo duhet me se s’bën të ketë mundësinë që, përmes politikave sociale shtetërore, ta kapërcej këtë vështirësi për të vijuar përpara e jo për t’u kthyer pas. E kjo është një pikë për të cilën duhet të lobojnë gratë e burrat bashkë, që bijat e të tërëve nesër të mos ngecin në të tilla halle. Po kështu thjesht “NDAHU!”, nuk mjafton. Mundësitë reale që gratë kanë pas divorcit, kjo po, do të ndryshonte statistikat e feminicidit e do të jepte një dorë edhe në trajtimin e problemeve të shëndetit mendor tek partnerët e dhunshëm!
Linku i plotë i emisionit: