Po rrisim një rini të frikshme, të pamëshirshme e të paedukatë.
Vihuni, fjala bie, në një situatë të sikletshme, kërkojini dikujt, në një lokal, tek RIngu ta zëmë, një qendër tregtare mu në mes të Tiranës, një prizë, ku të karikoni thjesht celularin a kompjuterin e të pini një kafe.
Ose- ose, uluni, fjala bie, po tek Ringu, tek ato kolltuqet e masazhit, se ju janë lodhur këmbët, e doni të merrni veten për pesë minuta. Mbani mend po nuk ju erdhi ndonjë djalosh i ri, roja domethënë, t’ju thotë zonjë ngrihuni nga kolltuku, ose fusni lekët që të uleni. Do thoni ju “po kështu i kanë thënë!”. Dakord. Por mënyra e komunikimit, fjala bie si gjithnjë, “zonjë, si jeni? Ndiheni mirë. Ndjesë që ju bezdis, por ky është një kolltuk me pagesë. Nëse nuk fusni monedhën, bën pip-pip, e bezdis të tjerët që janë pranë”, do qe më njerëzore..
Hiç, asnjë ndjesë, asnjë më fal, zonja mund të jetë me tension të lartë, të jetë duke vuajtur ndonjë parainfarkt, t’i merren mendtë a ku di unë, se kot nuk ulet robi në mes të qendrër tregtare, po hiç, hiç, thjesht një “Ngrihu se është me lekë!” dhe diskutimi mbyllet. Zonja a zotëria në siklet, a ju që po i lexoni këto radhë, uleni përdhe, dhe aty me hallin tuaj, as mos prisni as ambulancë e as gje prej gjëje.
Ose, po tek Ringu, meqë pata eksperiencën të kaloja një paradite atje, të rastis që ke një takim të rëndësishëm, por xhaketa që ke marrë me vete të është zhubrosur. Merr vesh që aty është një pastrim kimik. Urra! Po u them shpejt një hekur me avull tek shpatullat e tek pjesa përpara, sa t’ia ulë pak ato vijat e palosjes, dhe shkon. E reja që ndodhet aty, jo vetëm që përton ta bëjë se “ka punë”, por edhe kur e bën, një hekur si ai që bëjmë në shtëpi, me avull, jo hekurosje profesionale, të jep faturën, 5 mijë lekë të vjetra, kaq e kemi hekurosjen e xhaketës!
Pra kujdes tek Ringu. Celularët t’I kini të karikuar, këmbët të palodhura, e xhaketat e hekurosura, përndryshe, mbeteni mu në mes të Ringut, e nuk ka të ri a të re qe shërben atje që t’ju thotë një llaf. Por nejse. Mora Ringun, por druaj se të rinjtë, shumica madje, po shndërohen të tërë kështu.
Thellë- thellë ky është një elemend që dëshmon injorancën e tyre. Ata nuk janë të paedukatë, ata janë të paditur, ata nuk e dinë që të përpiqesh të jesh i sjellshëm me dikë në nevojë, ose që thjesht ka ngecur diku, është një vlerë e shtuar për secalin prej tyre, si në pikëpamje të formimit njerëzor, ashtu edhe pikëpamje të rritjes së tyre profesionale. Ata e shohin mirësjelljen si angari, e si një pengesë që po u lodh kokën, teksa ATA “punojnë”. Dhe unë nuk po bëj me faj ata, jo. Ata janë në thelb viktimat e një sistemi vlerash kaotike, ku mirësjellja është degdisur si virtyt i më të dobëtit, jo si element dinjiteti individual, që tregon një nivelin e individit. Të rinjtë nëpër shkolla, nëntëvjeçare, më përpara e më tutje nuk marrin edukatë mirësjelljeje. Dhe nuk e kam fjalën për kurrikulat mësimore, se aty, mes librave, gjërat edhe mund të jenë shkruar e bardha mbi të zezë. E kam fjalën për modelin social që e ka rritur këtë brez, nga politikanët, artistët, zyshat. Thellë-thellë, unë dyshoj se ata janë edukuar me sistemin e vlerave “të rrjepjes”, një kulturë që dashur padashur i ka përfshirë teksa janë rritur, mes shifrave të majme të korrupsioneve shpallur zëshëm nëpër ekranet e shtëpive të tyre, apo allishverisheve poshtë e përpjetë “na-nëm” që gëlojnë në çdo qoshe në shoqërinë shqiptare.
Përfundimi? Kujdes kur merreni me të rinjtë sotdita. Provojini njëherë në momente vështirësie, që të kuptoini se cilët janë, ju siguroj unë që shumica janë egoistë, arrogantë, të pacipë, si sistemi i vlerave sociale që (pa dashur ata natyrisht) i ka rritur. Provojini, dhe nëse janë njerëzorë, jepuani shansin të ndërtojnë. Jo për gjë, por që të kthehemi në shoqëri njerëzore. Në të kundërt, ne do plakemi, e rinia, teksa rritet arrgogante e e pacipë, e paditur e e paedukuar njëkohësiht, do na lërë mënjanë po e po, por edhe ato ilaçe që mund të na takojnë, nuk ka për të na i dhënë, se do t’i duhen paratë për të tjera gjëra. Se nuk kanë nga ta dinë një kur moshohesh, fjala e ëmbël e mirësia vlejnë më shumë se paraja. E këtë duhet ta marrin vesh edhe ata që bëjnë politikat e sotme, se nesërdita, sado para të kenë e të marrin sanitare e më the të thashë, sërish shërbimet do u bëhen me arrogancë, e nuk ka gjë më të keqe se një pleqëri e vetmuar. Ndaj kujdes, është koha për të edukuar rininë me vlerat e vërteta, me njerëzillëk e njerëzore. Njerëzillëku nuk duhet jetë luks vetëm i të lexuarëve, por edhe i atyre që e refuzojnë shkollën, sepse është njerëzore ta përcjellim këtë vlerë, që me sa duket nuk po dimë t’ua mësojmë të rinjëve.
.