Ndërkaq, Ariana Çela, që është marrë me programin e PD për turizmin, e ka detajuar atë më tej, duke thënë se qëllimi kryesor i këtij programi, është të mundësojë rritjen e kontributit të turizmit, nga 8% në 10% të produktit të përgjithshëm bruto, duke dyfishuar punësimin në sektorin e turizmit, nga 40 mijë, në 80 mijë vende pune. Angazhohemi të përmirësojmë klimën e biznesit dhe të stimulojmë dyfishimin e kapaciteteve akomoduese, u shpreh ajo. Do t’u kushtohet vëmendje lëhtësimit të procedurave për leje ndërtimi, hotele dhe sigurimin e energjisë elektrike për to.
- Angazhohemi të zgjasim sezonin turistik, përmes diversifikimit të produktit turistik, në 4 tipologji: turizëm bregdetar, malor, rural e kulturor;
- Çdo projekt investimi me financim të brendshëm në infrastukturë, duhet të dëshmojë përputhshmërinë me objektivat për zhvillimin e turizmit;
- Të rrisim numrin e turistëve të huaj me 15% në vit, dhe të dyfishojë netëqendrimet për turistët e huaj;
- Do investohet në aeroporte e rrugë, duke përmirësuar ndjeshëm konektivitetin e Shqipërisë me Evropën dhe botën;
- Vëmendje do t’u kushtohet fluturimeve direkte low cost, zhvillimit të infrastukturës për të lidhur destinacionet kulturore, rurale e malore, me qendrat urbane;
- Do investohet në infrastukturën e energjisë elektrike, ujit e të trajtimeve të mbetjeve të ujërave të ndotura, në destinacionet turistike kulturore, veëanërisht ato malore e rurale të Shqipërisë Veriore, Verilindore e Juglindore;
- Do investohet në përmirësimin e cilësisë së transportit ndërurban, si dhe do investohet në sinjalistikën e nevojshme, të destinacioneve turistike, veçanërisht për ato kulturore, malore e rurale, dhe orientimin e turistit përmes aplikacioneve dhe teknologjisë;
- Industria e turizmit do përfitojë nga të gjitha masat e propozuara në planin ekonomik të Partisë Demokratike, si vendosja e taksës së sheshtë 9%, ulja e sigurimeve shoqërore në vlerën 18%, ulja e taksave dhe tarifave vendore për bizneset e vogla dhe të mesme, apo edhe nga anullimi i taksës prej 24 lekë të reja mbi karburantin.
- Do ulim tvsh-në për të gjithë operatorët në industrinë e turizmit në masën 6%.
- Trajtimeve aktuale preferenciale në sektor, do t’u vijë fundi, duke krijuar kështu premise të zhvillimit të industrisë mbi baza të konkurrencës së drejtë të të gjithë aktorëve;
- Do prezantojmë paketë mbështetëse financiare për mbështetjetjen e sipërmarrjeve rekreative në zonat rurale e malore, dhe për mbështetjen e një sipërmarrjeje, tipologji e re për vendin tonë, si ato të turizmit kurativ apo të ekoturizmit, me grante, kredi të buta dhe lehtësime barre fiskale, për vitet e para të operimit;
- Do mbështesim programe të arsimit profesional dhe universitar me fokus turizmin dhe shërbimeve në funksion të turizmit;
- Do promovojmë destinacionet kulturore dhe natyrore në tregjet në rritje ekonomike dhe veçanërisht ato aziatike, si dhe, për herë të parë, do të stimulojmë edhe kërkesën turistike në vend, sidomos atë nga moshat e treta.