5 mijë euro grant dhe 50 milion euro për manifakturën si instrument garancie, kanë qenë dy nga zërat më pikantë të planit ekonomik të PS-së, deklaruar dje prej ministres së Ekonomisë Denaj, gjatë paraqitjes së planit të veprimit 2021-2025 të Partisë Socialiste, nëse fiton një mandat të tretë elektoral.
Teksa përshkoi situatën e vështirë ku Partia Socialiste e kishte gjetur vendin në 2013-n, ministrja Denaj renditi një sërë pikash se si Partia Socialiste kishte mundur të dilte nga gropa ekonomike, si dhe se ku do të fokusoheshin në rast të fitores së një mandate të tretë, sa takonte zhvillimit ekonomik të mëtejshëm të vendit.
Në 2013 gjetëm një borxh ndaj biznesit, u shpreh ajo, të fshehur, por jo të heshtur. Gjetëm një borxh që e kishte shndërruar biznesin shqiptar në peng të qeverisë e të shtetit, me fatura që nuk paguheshin, me punë publike të papërshpërblyera. Informaliteti qe ulur këmbëkryq kudo, procedurat tatimore dhe doganore qenë një plagë e madhe operacionale, dhe kërkonin me patjetër ndryshim. Për ta reformuar, u përballëm me kulturën e ndëshkueshmërisë. Ndërmorëm disa fushata formalizimi. Zhvilluam sistemet e para për të dixhitalizuar sistemin tatimor, duke minimizuar kontaktet inspektor-biznes. Rritëm punësimin real dhe nxorëm punonjësit nga hija e informalitetit. Në dy mandate, të ardhurat tatimore u rritën me 55 %. Thënë me thjesht, të ardhurat në buxhetin e shtetit u rritën me 1 miliardë dollarë në fund të 2020-s, një ndryshim radikal krahasuar me mandatet e PD-së, e cila la më pak të ardhura nga sa gjeti. Në 3 paketa fiskale kemi kaluar nga 10% tatim mbi fitimin, në 0 tatim fitim për të gjitha bizneset e vogla. Thjeshtuam dhe unifikuam deklaratat tatimore. Sot, 94% e shërbimeve tatimore janë onlajn, duke i kursyer biznesit rreth 215 mijë orë në vit. Rikthyem shpresën për një proces të thjeshtë rimbursimi të TVSH-së, që e zgjidhem duke e rimburusuar TVSH në kohë optimale, duke zeruar vonesat për të gjithe eksportuesit.
Në angazhimet për mandatin e tretë, ministrja Denaj renditi një sërë pikash, mes së cilave:
- rindërtimin e plotë të një procesi modern të administrimit fiskal, tatimor e doganor;
- prej 1 janarit të këtij viti, 90% e bizneseve shqiptare do të paguajnë 0 taksa dhe inspektorët do të jenë një e shkuar për biznesin e vogël;
- prej 1 janarit të 2023, rimbursimi i TVSH-së do jetë automatik. Do bashkojmë apelin tatimor e doganor në nje dritare te vetme;
- pagesat e taksave do jene vetem dixhitale;
- kemi gati një ligj të ri për Start Up-et në fushën e Inovacionit, me objektiv nxitjen e ideve novatore dhe 0 taksa per dy vitet e para;
- do vijojmë të nxisim sipërmarrjen e të rinjve. Fondi i mbështetjes për sipërmarrjet e reja start-up, do të pesëfishohet;
- do të mbështesim emigrantët të cilët do transferojnë njohuritë e tyre në Shqipëri, përmes 5 mijë eurove mbështetje në formë granti, për çdo emigrant të kthyer.
- do mbështesim proceset e transformimit të prodhimit nëpërmjet investimeve në teknologjinë e re;
- Do krijojmë instrumentin e garancisë prej 50 milionë eurosh për manifakturën, e cila ka nevojë për të përballuar kostot e ndërtimit. Shqipëria 2030 do jetë Shqipëria e gjeneratës se re, e sipërmarrjes shqiptare, e produkteve Made in Albania, që do konkurojnë denjësisht tregjet ndërkombëtare, përfundoi ajo fjalën e saj.