E mërkurë, 26 Gusht, 2026
Vendi

Arrestimi i Ergys Agasit/ Ja për cilat krime akuzohet biznesmeni

· 3 min lexim
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

Prokuroria e Posaçme ka dalë me një njoftim zyrtar për arrestimin e Ergys Agasit, i shpallur në kërkim prej muajsh në kuadër të një procedimi penal të vitit 2025 për aferën e AKSHI-t.

SPAK bën me dije se Agasi u arrestua më 26 gusht në zonën e Plepave, në hyrje të Durrësit, pas një pune disa javore në bashkëpunim me strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe BKH-së.

Sipas SPAK, Agasi u kap në autostradë, në hyrjen jugore të Durrësit, ndërsa në momentin e arrestimit shoqërohej nga Ulian Shpataraku, ish-punonjës policie, i cili është arrestuar në flagrancë dhe akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Agasi po hetohet për një sërë veprash penale, mes tyre:

“Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”;

“Heqja e paligjshme e lirisë”;

“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”;

“Grupi i strukturuar kriminal”;

“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”;

Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”;

“Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, i kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.

SPAK thekson se ndaj Ergys Agasit ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Njoftimi i SPAK:

Pas një pune disa javore në bashkëpunim të ngushtë me strukturat operacionale të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, sot më datë 26.8.2026, u bë i mundur arrestimi i shtetasit Ergys Agasi, në hyrjen jugore qytetit të Durrësit, në zonën e Plepave, në autostradë. Në momentin e arrestimit ky shtetas shoqërohej nga shtetasi, U. Sh, ish punonjës policie, i cili është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” e parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijon hetimet për procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025,  për të cilin, më datë 05.12.2025, ka regjistruar edhe emrin e shtetasit Ergys Agasi

Ky shtetas po hetohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 244 paragrafi i dytë i K. Penal.

Ndaj personit nën hetim dhe konkretisht shtetasit Ergys Agasi, me vendimin nr. 125 datë 15.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Pare Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale. Vendimi i gjykatës është dërguar menjëherë për tu ekzekutuar nga strukturat e Policisë së Shtetit me shkresën nr. 43104 prot, dt.17.12.2025.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar falenderon Policinë e Shtetit për kryerjen me sukses të operacionit.

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top