E enjte, 17 Shtator, 2026
Politikë

Kuvendi/ Jorida Tabaku: “Keni shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese!”

· 2 min lexim ·
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku kërkoi që maxhoranca të tërheqë nga rendi i ditës projektligjin për pagat e magjistratëve, edhe pse kërkesa e tyre u rrëzua pak më herët me votat e socialistëve.

Teksa mori fjalën në Kuvend, ajo theksoi se Komisioni i Ligjeve mbylli diskutimet me shpejtësi dhe miratoi një version tjetër. Ajo theksoi se maxhoranca ka shkelur procedurën parlamentare për kalimin e këtij projektligji në Kuvend, si dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ajo përmendi gjithashtu dhe rastin e ish zv kryeministres dhe ish ministres Belinda Balluku, teksa tha se maxhoranca i cenoi integritetin SPAK-ut kur refuzoi që t’i heqë imunitetin e deputetes.

“Deri në orën 6 të së martës, kemi qenë duke dëgjuar mendimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Komisioni i ligjeve i mbylli diskutimet duke miratuar një version tjetër, pa marrë mendimin e komisioneve përgjegjëse, duke shkelur rregulloren dhe vendimin e Gjykatën Kushtetuese. Shqipëria është vendi i vetëm në rajon dhe në botë që ka qenë dy vite pa GJK, ka dy muaj që nuk paguhen anëtarët e sistemit gjyqësor, vendi i vetëm ku ministri i financave dhe kryeministri sulmojnë mbi gjyqësorin për pagat.

Vendi i vetëm që ka cenuar integritetin e një institucioni si SPAK që nuk ka miratuar kërkesën për imunitetin e ish zv kryeministres. Vendi i vetëm ku gjyqësori është në presion politik, tashmë edhe nën presion financiar. Procesi parlamentar për miratimin e këtij ligji është shkelur. Siç thanë edhe gjyqtarët dhe Prokurorët, nuk negociohet mbi Kushtetutën dhe vendimet e GJK. Nuk mund të trajtohet vendimi i GJK si listë dëshirash, që kur keni dëshirë e plotësoni dhe sa herë keni dëshirë nuk e plotësoni. “, tha ajo.

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top