
Nënë Shefiko ka punuar 34 vjet e 6 muaj në Uzinën Metalike të Gjirokastrës. Sot merr një pension të pjesshëm prej 25,500 lekësh në muaj. Ajo nuk përfiton asnjë shtesë mujore nga skema e qeverisë, sepse i mungojnë gjashtë muaj për të plotësuar 35 vite pune për të marrë pension të plotë edhe 25,500 lekë në muaj qenkan tepër për të merituar një shtesë!
Por historia e nënë Shefikos nuk është thjesht historia e një pensionisteje që mbetet jashtë një skeme mbështetëse. Ajo ngre një pyetje shumë më të rëndësishme ekonomike dhe sociale: A synon qeveria që me anë të bonusit t’i shpërblejë pensionistët sipas kontributit apo t’i mbrojë ata nga varfëria?
Sepse këto janë dy objektiva krejtësisht të ndryshme, që mbështeten në parime të ndryshme ekonomike.

LE T’Ë SHOHIM SHIFRAT!
Nga 640,000 pensione pleqërie, sipas të dhënave të paraqitura:
352,000 janë pensione të pjesshme, nga të cilat: 285,000 pensionistë me pension nën 22,000 lekë përfitojnë shtesën mujore prej 800 lekësh, e cila parashikohet të arrijë në 1,600 lekë në vitin 2027. 67,000 pensionistë me pensione të pjesshme mbi kufirin 22,000 lekë nuk përfitojnë shtesë.Në këtë kategori bën pjesë edhe nënë Shefiko.
288,000 janë pensione të plota, nga të cilat: 250,000 pensionistë me pension nën 40,000 lekë përfitojnë shtesën mujore prej 1,800 lekësh, e cila parashikohet të bëhet 3,600 lekë në vitin 2027. 38,000 pensionistë me pensione mbi kufirin 40,000 lekë nuk përfitojnë shtesë.
Pra, nga 640,000 pensionistë, 535,000 (83.6%) përfitojnë shtesë, ndërsa 105,000 (16.4%) nuk përfitojnë asnjë shtesë. Por problemi nuk qëndron vetëm te numri i atyre që mbeten jashtë skemës. Ai qëndron edhe te logjika ekonomike e shpërndarjes së mbështetjes.
Në ekonominë publike dhe teorinë e sigurimeve shoqërore ekziston një dallim themelor midis pensionit kontributiv dhe transfertës sociale.
Pensioni kontributiv mbështetet në parimin e lidhjes midis kontributeve dhe përfitimit. Vitet e punës, pagat mbi të cilat janë paguar kontributet dhe historia e sigurimit ndikojnë në masën e pensionit, sipas formulës ligjore.Kjo lidhje është e rëndësishme sepse nxit formalizimin e punës, deklarimin e pagave dhe pagimin e kontributeve.
Ndërsa bonusi social, nëse jepet për të mbrojtur pensionistët nga varfëria dhe rritja e kostos së jetesës, mbështetet në një parim tjetër: nevojën ekonomike. Në këtë rast, rëndësi kanë niveli i të ardhurave, fuqia blerëse, hendeku nga kufiri i varfërisë dhe nevojat reale të përfituesit.
Ky është një dallim themelor në teorinë ekonomike. Vitet e punës duhet të pasqyrohen në pensionin kontributiv. Nuk mundet që ato të përcaktojnë edhe masën e ndihmës kundër varfërisë.
Natyrisht, qeveria mund të vendosë të shpërblejë kontributet e gjata. Ky është një objektiv legjitim i politikës së pensioneve që reflektohet tek formula,e përcaktimit të pensionit kontributiv . Nëse shtesa është shpërblim për kontributet, duhet të lidhet me kontributet edhe duhet të të konsiderohej pjesë e pensionit kontributiv por nuk është kështu as për qeverinë . Vet ajo nuk e konsideron bonusin të tillë përsa kohë nuk aplikon Indeksimin edhe mbi shumën e bonusit . Si e tillë edhe në optikën e saj mbetet një transfertë që duhet të lidhet me nevojën.
Por përdorini i logjikës së sigurimeve shoqërore për të justifikuar një transfertë sociale dhe pastaj paraqitja e saj si politikë kundër varfërisë, klasifikohet tek propaganda .
PARADOKSI: AI QË KA MË PAK, MERR MË PAK!
Le të marrim dy pensionistë. I pari merr një pension të pjesshëm prej 20,000 lekësh në muaj. Sipas skemës së paraqitur, ai përfiton një shtesë prej 16 ,000 lekësh, ose 8% të pensionit. I dyti merr një pension të plotë prej 30,000 lekësh në muaj. Ai përfiton një shtesë prej 36,000 lekësh, ose 12% të pensionit. Një politikë që synon uljen e varfërisë duhet të vlerësohet nga aftësia e saj për të zvogëluar hendekun midis të ardhurave të pensionistëve dhe përballimit të kostos së një jetese dinjitoze. Jo thjesht nga numri i përfituesve apo shuma totale që qeveria shpërndan.
Por problemi i nënë Shefikos është edhe më i thellë. Ajo më shkruan dhe më pyet përse nuk merr asnjë shtesë.
Përpiqem të gjej një arsyetim ekonomik për t’ia shpjeguar. Mund t’i shpjegoj formulën, kufijtë, kategoritë dhe kriteret administrative. Mund t’i them se i mungojnë gjashtë muaj për të plotësuar vitet e kërkuara për pensionin e plotë. Mund t’i them se pensioni i saj prej 25,500 lekësh e kalon kufirin prej 22,000 lekësh.
Por nuk mund t’i shpjegoj përse një grua që ka punuar 34 vjet e gjashtë muaj në një uzinë metalike duhet të mbetet jashtë mbështetjes, nëse qëllimi i saj është lehtësimi i varfërisë. Nuk mund t’i shpjegoj përse 25,500 lekë në muaj konsiderohen të mjaftueshme për ta përjashtuar nga një shtesë që synon të lehtësojë koston e jetesës. Por mbi të gjitha , nuk gjej dot një justifikim të pranueshëm për pabarazinë relacionale që mund të krijojë një trajtim i tillë.
Barazia relacionale nuk kërkon që të gjithë njerëzit të marrin domosdoshmërisht të njëjtin pension. Ajo kërkon që institucionet të mos krijojnë dallime arbitrare në trajtimin e njerëzve sepse varfëria nuk është vetëm mungesë të ardhurash. Ajo ka edhe një dimension shoqëror, mënyrën sesi njeriu trajtohet, respektohet krahasimisht me të tjerët.
Nënë Shefiko nuk kërkon privilegj, nuk kërkon që t’i njihen vite pune që nuk i ka, nuk kërkon të marrë atë që nuk i takon nga skema kontributive.
Ajo kërkon të kuptojë përse gjashtë muaj që i mungojnë për pensionin e plotë duhet të ndikojnë edhe në trajtimin e saj nga një politikë që pretendohet se synon mbrojtjen nga varfëria

