
Në politikë, forma më e lartë e dominimit nuk është asnjëherë mposhtja fizike e kundërshtarit, por programimi i lëvizjeve të tij.
Kur qeveria arrin ta detyrojë opozitën të bëjë saktësisht çka i shërben më shumë mbijetesës së qeverisë, beteja ka marrë fund para se të nisë realisht.
▪️Karriget, tymi dhe asfalti i rilindur

Në pamje të parë, ngjarja duket thjesht një kronikë e zakonshme në rrugët e Tiranës: një grusht të rinjsh që protestojnë, karrige plastike të vendosura si dekor para Kryeministrisë, dhe tymi i ndonjë molotovi që ngrihet mbi asfaltin e sapolarë. Një shfaqje mikroskopike e përditshmërisë sonë politike, ku zemërimi shoqëror dhe spektakli mediatik ndërthuren në një koreografi të njohur.
Por çfarë tregon kjo për natyrën e vërtetë të regjimit tonë?
▪️Çfarë është regjimi ynë sot?
Regjimi nuk është kurrë thjesht një aparat burokratik apo një grup njerëzish që mbajnë vulat e shtetit. Regjimi është shpirti i shoqërisë, forma mentis që përcakton se si mendojmë, si reagojmë dhe çfarë iluzionesh konsumojmë. Lëvizjet e Ramës nuk janë thjesht taktika elektorale. Ato janë pjesë e një mbylljeje operacionale të sistemit, ku çdo cënim i jashtëm përthithet dhe shndërrohet në ushqim për rigjenerimin e pushtetit.
▪️Sistemi dhe iluzioni i vullnetit
Sistemi politik modern, thotë Luhmann, nuk interesohet për të vërtetën dhe drejtësinë; ai interesohet për komunikimin dhe riprodhimin e vetvetes. Kur protestës së studentëve po i binte intensiteti, Rama e ndryshoi fushën e lojës përmes tri akteve kirurgjikale:
Karriget dhe Dialogu – duke krijuar një fasadë institucionale ku kundërshtari detyrohet të pozicionohet publikisht, duke u zhveshur nga monopoli i rebelimit.
Shkarkimet Administrative – duke sakrifikuar disa drejtorë të vegjël, për të krijuar iluzionin e lëvizjes, pa e lejuar përgjegjësinë të ngjitet në majë të piramidës.
Publikimi i Fotove – duke e zhvendosur vëmendjen nga kauza e të rinjve, te debati moral për identitetin e dhunuesve.
Nga ana tjetër, kampi opozitar i udhëhequr nga Berisha, ra me dëshirë të plotë në kurthin strukturor të sistemit.
Duke iu përgjigjur kësaj strategjie me djegie objektesh, përplasje me policinë dhe molotovë, opozita i dha qeverisë pikërisht gjënë që i duhej: ALIBINË E RENDIT PUBLIK.
▪️Kur opozita, padashur, bëhet ushtria e qeverisë
Këtu qëndron paradoksi i madh i politikës sonë. Opozita beson se po rrëzon qeverisjen përmes presionit të rrugës.
Në realitet, çdo tentativë e saj për të përvetësuar lëvizjen e të rinjve, shërben vetëm për ta copëtuar frontin e pakënaqësisë dhe për t’i dhënë Ramës argumentin e mungesës së alternativës.
Të besosh se dhuna dhe kapja e protestës nga partitë do të sjellë ndryshimin, do të thotë të mos kuptosh se në shpellën e medias dhe spektaklit tonë modern, zëri i të rinjve mbytet, sapo mbi ta bie hija e simboleve politike të vjetra.
Rama nuk ka nevojë ta mundë Berishën në ndonjë betejë heroike.
Atij i mjafton ta lërë të lirë që, përmes zellit për të drejtuar çdo revoltë, Berisha të bëjë saktësisht atë që sistemi pret prej tij: ta ndajë shoqërinë, ta zhvendosë vëmendjen nga shkaqet reale të krizës te pasojat e dhunës, dhe ta lërë qytetarin të pashpresë, mes dy poleve të së njëjtës skenë teatrore.

