
Studentët dolën para Ministrisë së Arsimit më 13 tetor me një kauzë që nuk ka nevojë për avokat: auditorë ku nuk bie suvaja, tarifa që nuk të detyrojnë të zgjedhësh mes diplomës dhe biletës për Gjermani, një shtet që i dëgjon para se të ikin. Dogjën edhe një valixhe në oborrin e ministrisë, dhe ishte gjesti më i saktë i kësaj vjeshte: nuk duam të ikim. Por valixhja nuk mbeti në kujtesë. Mbetën koshat, makinat, kati i parë i Bashkisë, një komisariat, hyrja e Ministrisë së Brendshme. Dhjetë ditë më vonë askush nuk flet më për tarifat. Flitet për molotovët.
Kjo nuk është rastësi dhe nuk ka nevojë për asnjë “dorë të huaj” që të shpjegohet. Nuk ka nevojë fare për teori konspiracioni; mjafton teoria e lojës. Dhe meqë jemi në muajin e protestave studentore, le ta bëjmë si leksion. Hyrja është falas. 😉
- Lojtarët
Teoria e lojës nuk pyet kush ka të drejtë. Pyet kush fiton çfarë, në varësi të asaj që bën tjetri. Në bulevard nuk janë dy palë. Janë katër lojtarë, me katër llogari të ndryshme:
- Studenti: ka kauzën dhe nuk ka asgjë tjetër.
- I maskuari: ka molotovin dhe nuk ka kauzë.
- Organizatori politik: nuk është në shesh, por e ka sheshin në axhendë.
- Pushteti: ka policinë, kamerat dhe buxhetin.
Ka edhe një të pestë, që nuk luan, por vendos: publiku. Ai që hap lajmet në mbrëmje dhe vendos nëse titulli i ditës është “studentët kanë të drejtë” apo “Tirana në kaos”. Çdo lojë politike fitohet ose humbet në kokën e tij, jo në shesh.
Dhe ja ironia e parë: nga këta pesë, i vetmi që ka të drejtë është i vetmi që nuk kontrollon asnjë nga variablat e lojës.
- Dilema e të burgosurit, versioni me gaz lotsjellës
Dilema e të burgosurit është loja më e njohur e kësaj teorie dhe në Shqipëri luhet çdo pasdite, pa e ditur askush emrin. Dy protestues, le t’i quajmë Arbri dhe Era. Nëse të dy qëndrojnë paqësorë, kauza fiton legjitimitet, publiku kalon nga ana e tyre dhe qeveria mbetet pa alibi. Ky është rezultati më i mirë për të dy. Por nëse Arbri hedh molotov ndërsa Era rri e qetë, Arbri merr kamerat, adrenalinën dhe statusin e trimit të TikTok-ut, kurse Era merr gazin, akuzën kolektive dhe kauzën e djegur. Prandaj secili ka tundimin të “devijojë”. Dhe kur devijojnë të gjithë, mbërrijmë saktësisht aty ku jemi: ekuilibri Nash i bulevardit. Të gjithë të lagur, të gjithë të dënuar, kauza askund.
Dilema ka një dalje, dhe ajo quhet organizim. Një protestë ka organizatorë pikërisht për ta mbajtur lojën në kuadratin e bashkëpunimit: shërbim rendi nga vetë protestuesit, distancim i menjëhershëm nga kapuçët, një mesazh i vetëm. Kur kryetari i opozitës e quan “paqësore” një ditë me nëntë orë molotovë dhe u bën thirrje të tijëve t’i mbështesin protestuesit, ai nuk po e zgjidh dilemën e të burgosurit. Po e mbyll derën me çelës nga jashtë. - Loja e pulës dhe timoni i hedhur nga dritarja
Thomas Schelling, Nobel në ekonomi për teorinë e lojës, e shpjegonte “lojën e pulës” kështu: dy makina vrapojnë ballë për ballë dhe humb ai që devijon i pari. Mënyra më e sigurt për të fituar? E heq timonin dhe e hedh nga dritarja, që tjetri ta shohë se ti nuk mund të devijosh më. Molotovi është pikërisht ky timon i hedhur. Është sinjali “ne nuk kthehemi dot mbrapsht”, dhe është arsyeja pse kërkesa e vetme ka mbetur dorëheqja: e vetmja kërkesë që nuk negociohet, pra e vetmja që e mbyll bisedën para se të hapet.
Problemi është se në Tiranë timonin e hedh njëri dhe makinën e nget tjetri. Ata që e kanë bërë përshkallëzimin strategji nuk janë në rreshtin e parë me kapuç. Janë në studio, në grupet e WhatsApp-it, ose në “solidaritet” nga një distancë e sigurt. Përplasjen e përjeton nëntëmbëdhjetëvjeçari që nesër del me emër në listën e të arrestuarve dhe me fjalën “kaos” ngjitur përgjithmonë pas emrit të tij në Google. Në lojën e pulës shqiptare, timonin e hedhin të tjerët. Makinën e ngasin studentët. - Ankandi i dollarit, ose pse nesër do të ketë më shumë flakë
Martin Shubik shpiku në vitet ’70 një lojë djallëzore: nxirret në ankand një kartëmonedhë njëdollarëshe. Rregulli i vetëm: paguan edhe ai që ofron të dytin më të lartë, pa marrë asgjë. Në laborator njerëzit përfundojnë duke paguar tre, katër, pesë dollarë për një dollar, sepse në çdo hap tërheqja duket humbje më e madhe se vazhdimi.
Protesta e dhunshme është ankand dollari me kalendar. Dita e parë: pllaka trotuari dhe kati i parë i Bashkisë në flakë. Dita e pestë: Gjykata e Lartë dhe ish-hotel “Dajti” në flakë, 37 policë të lënduar, fishekë luftarakë të sekuestruar. Dita e gjashtë: një komisariat i djegur. Dita e dhjetë: molotovë te Kryeministria. Çdo ditë duhet të jetë më e fortë se e djeshmja, sepse përndryshe e djeshmja ishte kot. Askush nuk e fiton dollarin. Kauza e studentëve u shit në ankand që ditën e dytë dhe vazhdon të paguajë çdo pasdite. - Kush e paguan faturën
Ekonomistët kanë një term për ata që përfitojnë pa paguar: udhëtari pa biletë. Në bulevard ndodh e kundërta: ata që paguajnë nuk përfitojnë. Policit që i merr flakë uniforma askush nuk i ka dhënë rrogë për të qenë “regjimi”. Është djali i një familjeje nga Kukësi apo Fieri, dhe ironia më e madhe e kësaj vjeshte është se ai dhe studenti përballë tij kanë saktësisht të njëjtën arsye për t’u ankuar. Gazetari i goditur, kalimtari i lënduar, pronari i kioskës së djegur. Dhe 344 kuti fishekzjarresh, 40 mijë euro, të gjetura në një magazinë në Tiranë: dikush i ka blerë, dhe nuk ishte studenti me bursë.
Teoria e lojës ka një koncept edhe për këtë: sinjalizimi i kushtueshëm. Një sinjal ka vlerë vetëm nëse i kushton atij që e dërgon. Studenti që rri dhjetë orë paqësor nën ujë e gaz dërgon një sinjal të kushtueshëm: jam gati të vuaj për këtë. Ai që hedh molotovin nga pas turmës dërgon një sinjal të lirë, sepse koston e paguan dikush tjetër. Dhe publiku, që nuk është budalla, e lexon sinjalin e lirë si atë që është: zhurmë. Molotovi nuk thotë “jemi të fortë”. Thotë “nuk kemi argument tjetër”. Ndërkohë që studentët e kishin argumentin.
Edhe ekranet e paguajnë faturën, por në anën e të ardhurave: nëntë orë kaos live bëjnë më shumë audiencë se nëntë minuta debat për tarifat. Askush në regji nuk e do këtë me zë të lartë. Askush në regji nuk e ndryshon as programin. - Pse pushteti nuk mërzitet aq sa duket (dhe pse as opozita)
Këtu vjen ironia e dytë, më e hidhura. Dhuna është dhurata më e mirë që një protestë mund t’i bëjë pushtetit. Një qeveri përballë njëzet mijë studentëve të qetë duhet t’u përgjigjet për tarifat, konviktet dhe buxhetin e arsimit. Një qeveri përballë komisariateve të djegura duhet të përgjigjet vetëm me autobotë, dhe me 2500 euro shtesë për çdo efektiv në “front”. Korniza ndryshon brenda një nate: nga arsimi te rendi. Dhe në lojën e kornizave, ai që zgjedh temën e ka fituar debatin para se të fillojë.
Kur një palë flet për “dorë të jashtme” dhe opozita flet për “protestë paqësore”, të dy po luajnë në të njëjtën tabelë. Asnjëri nuk ka interes që biseda të kthehet te tarifat. Njëri ka nevojë për kaosin që ta mbyllë bisedën, tjetri ka nevojë për kaosin që ta mbajë hapur. Studentët nuk janë lojtarët në këtë tabelë. Janë figurat.
Dhe kjo nuk është lojë e re. Robert Axelrod tregoi me turnetë e tij të famshëm se në një lojë të përsëritur fiton strategjia “ma bëre, ta bëj”, por vetëm nëse dikush, në një moment, fal. Përndryshe spiralja nuk mbyllet kurrë. Shqipëria e luan këtë lojë që nga viti 1997 dhe nuk ka falur kurrë. Secila palë ka hedhur gurë kur ka qenë në opozitë dhe ujë kur ka qenë në pushtet, dhe secila e ka quajtur të parën “revoltë popullore” dhe të dytën “rend publik”. Ekuilibri ynë i përsëritur është devijimi i ndërsjellë, dhe ai u shërben të dyve: asnjë palë nuk ka nevojë të fitojë, mjafton që tjetra të duket më keq. - Si fitohet loja
Për studentët ka vetëm një strategji dominuese: të dalin nga loja e të tjerëve. Të mos jenë figura në tabelën e askujt. Konkretisht: - Ndarja e sinjalit nga zhurma. Shërbim rendi i vetë studentëve, distancim publik, me emër, nga çdo kapuç. Ai që refuzon të distancohet nga molotovi e ka zgjedhur tashmë kuadratin e tij në matricë.
- Kërkesa që kanë çmim. Tarifat, konviktet, përqindja e buxhetit për arsimin, auditimi i universiteteve: kërkesa që mund të negociohen dhe të verifikohen. Kërkesa e vetme që nuk negociohet e kthen çdo ditë në ankand dollari, dhe luftën e konsumimit e fiton gjithmonë ai që ka buxhetin më të madh. Hamendësoni kush e ka.
- Numri, jo flaka. Pesëdhjetë mijë veta të qetë në bulevard e trembin çdo pushtet më shumë se pesëdhjetë molotovë, sepse molotovi fotografohet, kurse turma e qetë votohet.
Ka një lojë ku studenti fiton gjithmonë: ajo ku askush nuk hedh asgjë, përveç një pyetjeje, çdo pasdite, derisa të marrë përgjigje: ku janë paratë e arsimit? Ajo lojë quhet protestë. Tjetra quhet llogari. Dhe llogarinë, si gjithmonë në këtë vend, e paguan ai që nuk e ka bërë.

