
Teksa shikoja fotot e deputetëve me fëmijët ditën e parë të shkollës, më erdhën në mendje vargjet e këngës së Parashqevisë: “Të gjitha do t’i dhuroja, kaq të lumtur t’i shikoja/ fëmijët e gjithë globit anë e mbanë.” Të lumtur fëmijët (besoj edhe prindërit e tyre), por më të lumtura deputetet. Por le të përpiqemi të hulumtojmë burimin e lumturisë…

Shqipëria shpenzon mesatarisht 785 € në vit për një nxënës/student, ndërsa një deputet përfiton një pagë bazë prej rreth 3,100 € në muaj (37,200 € në vit). Raporti i pagës së deputetit me shpenzimet publike për çdo fëmijë, është 47 herë më i lartë. Kjo do të thotë se buxheti i shtetit alokon afërsisht 47 herë më shumë fonde për pagesën vjetore të një politikani, sesa për financimin vjetor të arsimit publik të një nxënësi/studenti.
Gjermania shpenzon afërsisht 9,200 euro për nxënës/student çdo vit në arsimin publik, ndërsa një anëtar i parlamentit gjerman (Bundestag) merr një pagë mujore prej 11,833 € ose 142,000 € në vit. Raporti i pagës së deputetit gjerman, me shpenzimet vjetore për një nxënës/student është 15 herë më i lartë. Pra, buxheti i shtetit gjerman alokon 15 herë më shumë për rrogën e një deputeti, krahasuar me financimin vjetor të arsimit publik të një nxënësi/studenti.

Gjermania është vend i zhvilluar dhe mund të mos jetë një bazë e mirë krahasimore. Ndaj, le të shikojmë Kroacinë. Shpenzimet publike vjetore të Kroacisë për një nxënës/student janë mesatarisht rreth 8,150 €, ndërsa një anëtar i Parlamentit kroat merr një pagë mujore neto prej rreth 4,000 €, duke arritur në një total prej rreth 48,000 € në vit. Pra, buxheti i shtetit kroat alokon 5.8 herë më shumë për shpërblimin e një deputeti, krahasuar me financimin vjetor të arsimit publik të një nxënësi/studenti.
Në Shqipëri ekziston kontrasti më i madh në Europë midis shpenzimeve publike për arsimin për një nxënës/student dhe shpërblimit financiar të një deputeti.
Populli kënaqet me pak begenisje. Deputetet, për ta dhënë atë me foto e video, u duhet një pamje e kuruar .Sepse kur nuk hartohen politika që ulin hendekun e shpenzimeve publike që harxhojmë për një nxënës a student që kemi me rajonin e më gjerë , fotoja zëvendëson politikat , edhe look-u i deputetit në foto duhet financuar . Në një mentalitet të tillë politik nuk ka sesi që rroga e deputetit të mos jetë 47 herë më e lartë sesa financimi për edukimin e një nxënësi.
Dhe thoni po të doni që këto nuk dhurojnë lumturi me anë të një përqafimi!

