E mërkurë, 26 Gusht, 2026
Vendi

E BUJSHME/ Arrestohet Ergys Agasi. Biznesmeni që manipulonte tenderat publikë, u kap në afërsi të Plepave, Durrës

· 3 min lexim
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

Biznesmeni Ergys Agasi është arrestuar pas 8 muajsh në arrati. Mjeti me të cilin udhëtonte u pikas në Elbasan. Agasi është ndjekur për të paktën 40 kilometra, drejt Peqinit, Rrogozhinës dhe Durrësit, ku u arrestua në zonën e Plepave. Agjentët e BKH-së bënë ekzekutimin e masës së arrestit në Policinë e Tiranës. Në makinë me Agasin ishte edhe ish-efektivi Uljan Shpataraku.

Tetë muaj ka zgjatur arratia e Ergys Agasit, i shpallur në kërkim që prej dhjetorit nga SPAK-u, për dosjen me abuzimet me tenderët e AKSH-it. Biznesmeni Agasi u arrestua pasditen e sotme në Durrës, teksa lëvizte me një Audi luksoz. Operacioni është zhvilluar nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me SPAK, të cilët e kishin pikasur mjetin me të cilin udhëtonte Agasi që në qytetin e Elbasanit. Agasi është ndjekur për të paktën 40 kilometra, drejt Peqinit, Rrogozhinës dhe Durrësit, ku u arrestua në zonën e Plepave. Në momentin e arrestimit, Agasi ka qenë i shoqëruar nga ish-polici i shpallur po ashtu në kërkim, Uljan Shpataraku, cili njihej edhe si i besuari i ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda. Shpataraku po ashtu u vu në pranga, pasi ishte në kërkim prej muajit gusht, pas kërcënimit të një stafi në Dhërmi, pasi nuk i pëlqeu shërbimi.

Shpataraku po drejtonte Audin, nën shoqërinë e Agasit, ndërsa ky i fundit dallohet në pamjet e arrestimit teksa nxirret nga makina në anën e pasagjerit. Biznesmeni është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, aty ku agjentët e BKH-së mbërritën menjëherë për ekzekutimin e masës së arrestit me burg.

Agasi, sëbashku me biznesmenin Ermal Beqiraj dhe persona të tjerë, janë nën hetim nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal që manipulonte tenderët publikë. Agasi akuzohet për 7 vepra penale, nga “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë në tendera” te grupi i strukturuar kriminal, pastrimi i parave dhe korrupsioni.

Arrestimi i tj vjen vetëm një muaj pasi u kap në Francë biznesmeni tjetër Ermal Beqiri, teksa po udhëtonte me avionin e tij privat mbi një central bërthamor.

Me urdhër të SPAK, Agasit iu sekuestruan në total 29 prona, mes të cilave apartamente, vila dhe sipërfaqe toke, në zona të njohura në Tiranë dhe Durrës, disa llogari bankare dhe kompaninë EA Solution.

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top