Kjo histori nuk është aq e gjatë, sa për të shkruar një roman. Por mjafton për të lënë një gjurmë, gjurmën kaltëroshe të asaj që ndryshoi jetën time dhe mund të kishte ndryshuar edhe botën.
Çelestja.
“Çelestja, planeti im” është romani i më i fundit i autorit francez Timothée de Fombelle, përkthyer dhe botuar tashmë në shumë gjuhë.
Kjo histori është shkruar nga një personazh që nuk ia mësojmë emrin, një djalë nga e ardhmja e afërt, një e ardhme krejtësisht vertikale, ku jetohet në kulla të mëdha: kulla banesash, kulla parkimi ku makinat rreshtohen si libra në rafte, kullat tregtare, kullat në të cilat hyhet përmes vendkalimeve, ndërsa kalimi i jashtëm lejohet brenda makinave.
Një botë ku gjithçka është teknologji, ku njerëzit i adhurojnë qeset plastike, ku mamaja e personazhit shfaqet një herë në muaj, por çdo të hënë ia mbush frigoriferin online.
Protagonisti është jonormal në krahasim me botën e tij: ai luan në piano, vizaton harta dhe ka një shok, Brisin, i cili ndryshe nga ai, i kalon orët duke luajtur video lojëra dhe duke zbrazur frigoriferin e shokut, gjëra që të gjithë do të prisnin prej tij.
Krejt ndryshe është edhe Çelestja, vajza që hyn dhe del në klasën e tij brenda disa orëve dhe me të cilën djaloshi bie në dashuri aq sa muk rri dot pa e kërkuar, kur ajo zhduket. Por Çelestja është e sëmurë me një sëmundje të veçantë që vizaton në trupin e saj njolla të të gjitha formave, forma të ngjashme me zonat e sëmura të botës: pyllin e Amazonës, shkretëtirat e Afrikës. Të këqijat e botës shfaqen në trupin e Çelestes dhe e vetmja zgjidhje për ta shëruar, është t’u bësh të ditur të gjithë qytetarëve të botës se planeti duhet shpëtuar.
Edhe një herë, duke na nxitur për një arratisje kundër kohës ashtu si në librin e e Tobisë, De Fombelle, shkrimtari i njohur francez, sjell temat ekologjike në faqet e librit të ardhmen e planetit, në një histori në gjashtë kapituj sa halucinante aq edhe reale, që përzien një botë të së ardhmes me realitetin e rëndë të botës sonë.
Por ndryshe nga Tobia, në këtë rast historia (jo vetëm e dy protagonistëve, por intriga e historisë në përgjithësi) kalon në një plan të dytë, në sfond, krahasuar me mesazhin ekologjik dhe britmën e alarmit për fatin e tokës, që duket se janë arsyeja e vërtetë pse autori e ka menduar historinë; për më tepër, ai e rrëfen që në fillim: nuk është një histori e gjatë për të bërë një roman, është më tepër një pretekst për të thirrur lexuesin të reflektojë për mjedisin, për ndotjen, për qëndrueshmërinë.
Një shkrimtar i njohur për fëmijë, Roberto Denti, ka shkruar duke komentuar këtë libër se leximi i tij rekomandohet jo vetëm për fëmijët, por edhe për “liderët politikë që kanë përgjegjësinë të na shpëtojnë nga një botë në proces vetëshkatërrimi”.
Timothée de Fombelle
I lindur më 1973 në Paris, Timothée de Fombelle kaloi një pjesë të fëmijërisë në Marok dhe Bregun e Fildishtë. Në gjimnaz themeloi një trupë teatrore, shkroi dhe drejtoi pjesë teatrale dhe kjo dashuri për dramaturgjinë nuk e braktisi kurrë. Pasi u bë profesor i letërsisë, dha mësime në Francë dhe Vietnam. Në vitin 2006, shkroi romanin e parë për të rinjtë me personazh Tobiasin: i përkthyer në tridhjetë gjuhë, historia e këtij heroi prej një milimetri e gjysmë meritoi shumë çmime të rëndësishme letrare. Që atëherë, romanet e tij kanë ndjekur njëri-tjetrin, duke i shoqëruar lexuesit e të gjitha moshave në aventura të forta, duke u dhënë vendin e nderit imagjinatës, emocionit dhe poezisë. Midis viteve 2016 dhe 2020, ai u zgjodh pesë vjet radhazi për çmimin prestigjioz suedez të të rinjve Astrid Lindgren.
Çeleste, planeti im, ilustrimet nga Julie Ricossé, përkthyer nga Venera Domi.