
Paratë publike janë të domosdoshme për universitetet. Por ato nuk mund të zëvendësojnë formimin e drejtuesve, përgjegjësinë e organeve akademike dhe guximin e pedagogëve për të folur.
Në debatin shqiptar për universitetet përgjegjësia ka zakonisht një adresë të vetme. Qeverinë. Kur kërkohet një emër adresa bëhet edhe më e saktë. Kryeministri Edi Rama. Ky shpjegim ka një përparësi të madhe për bashkësinë akademike. Ai na lejon të flasim gjatë për krizën e universitetit pa folur pothuajse fare për rolin tonë në të.

Qeveria ka përgjegjësi për politikat arsimore, financimin dhe mekanizmat e kontrollit që i takojnë. Këto përgjegjësi duhen kërkuar me këmbëngulje. Por prej tyre nuk rrjedh se çdo dështim brenda universitetit shkaktohet në Kryeministri. Qeveria nuk e ngre dorën në vend të anëtarit të senatit. Kryeministri nuk ia formulon çdo përgjigje rektorit. Dhe buxheti i shtetit nuk e detyron pedagogun të heshtë përballë një vendimi që privatisht e quan të padrejtë.
Pas protestës studentore të vitit 2018, përgjigjja institucionale përfshiu uljen e tarifave, mbështetjen financiare për studentët dhe angazhime për transparencë e përmirësim të jetës universitare. “Pakti për Universitetin” e vendoste ndryshimin përtej çështjes së tarifave, duke përfshirë edhe vendimmarrjen dhe integritetin akademik. Pikërisht këtu duhet rikthyer debate. Sa prej mbështetjes financiare dhe zotimeve institucionale përkthehen në një universitet më të hapur, më të përgjegjshëm dhe më të lirë brenda vetes?
Sigurisht paraja mund të përmirësojë kushtet në të cilat ushtrohet pushteti, pa ndryshuar mënyrën si ushtrohet ai. Mund të rinovojë sallën e senatit, por nuk garanton pavarësinë e atyre që ulen në të. Mund të financojë një bibliotekë, por nuk plotëson automatikisht boshllëqet në formimin e drejtuesit. Mund të hapë dritare të reja në një godinë ku mendimi vazhdon të mbahet mbyllur.
Për ta kuptuar këtë dallim le të marrim një universitet hipotetik. Nuk na duhet një emër i përveçëm. Na duhet vetëm të ndjekim një mekanizëm.
Universiteti ynë ka strukturat e nevojshme, organe kolegjiale, rregullore, komisione dhe një faqe interneti ku “ekselenca” është vazhdimisht e pranishme. Mbledhjet zhvillohen, procesverbalet mbahen dhe vendimet miratohen. Nga dokumentacioni, institucioni duket në harmoni të plotë. Në korridore, megjithatë, pothuajse të gjithë kanë diçka për të kundërshtuar.
Kjo mospërputhje shpjegohet lehtë, Në mbledhje nuk pritet aq të formohet një vendim, sa të kuptohet cili vendim dëshiron drejtuesi. Diskutimi vijon brenda atij kufiri. Bashkësia ruan të drejtën të flasë, me kusht që fjala të mos ndryshojë përfundimin.
Një ditë, një pedagog e merr seriozisht rregulloren. Krahason një vendim me kriteret përkatëse dhe kërkon sqarim. Në një mjedis akademik, kjo duhet të ishte rutinë. Lexim, argument dhe përgjigje. Në universitetin tonë hipotetik, pyetja shkakton një shqetësim të një natyre tjetër. Përse e ngriti? Përse tani? Çfarë synon? Me kë është? Me kë e ka?
Çështja zhvendoset nga vendimi te karakteri i pyetësit. Në vend që të shqyrtohet argumenti, hetohet motivi. Pedagogu që deri dje konsiderohej i përkushtuar fillon të përshkruhet si “problematik”. Problemi, me sa duket, nuk qëndron te mospërputhja që ai ka evidentuar, por te mungesa e taktit për ta kaluar në heshtje.
Sa financim shtesë nevojitet për ta korrigjuar këtë sjellje? Në cilin zë të buxhetit duhet vendosur aftësia për t’iu përgjigjur një pyetjeje pa e trajtuar si cenim autoriteti?
Këtu shfaqet një çështje që debati për fondet shpesh e lë në hije. Formimi i atyre që drejtojnë. Diploma dëshmon një rrugëtim formal ndërsa kultura akademike provohet në mënyrën si arsyeton, si dëgjon dhe si përballesh me kundërshtimin. Titujt nuk e bëjnë të panevojshme këtë provë.
Le të supozojmë se drejtuesi i universitetit tonë hipotetik ka qenë një student i dobët. Kjo, në vetvete, nuk përcakton të ardhmen e tij. Njeriu mund të zhvillohet, të punojë dhe t’i kapërcejë dobësitë e dikurshme. Problemi lind kur formimi mbetet i mangët, ndërsa karriera administrative ecën përpara dhe kur njeriu fiton të drejtën të vendosë për një bashkësi intelektuale pa fituar sigurinë për të debatuar me të.
Në këto rrethana, hierarkia ofron një lehtësi të jashtëzakonshme. Ajo e mbyll diskutimin që argumenti nuk arrin ta fitojë. “Kështu është vendosur” zë vendin e “kjo është arsyeja”. Funksioni fillon të përdoret si provë kompetence dhe kundërshtimi përjetohet si mungesë respekti.
Drejtuesi nuk ka më nevojë të jetë bindës, për sa kohë arrin të jetë vendimtar.
Prej këtej, universiteti mund të fillojë të marrë trajtën e një pularie. Pedagogu shihet si realizues norme, studenti si numër regjistrimi dhe diploma si produkt përfundimtar. Raportohet sasia, dokumentohet aktiviteti dhe fotografohet rezultati. Për cilësinë ngrihet një komision.
Krahasimi, në fakt, nuk është plotësisht i drejtë ndaj pularieve: ndërmarrjet serioze kanë standarde, kontroll cilësie dhe përgjegjësi për produktin. Universiteti ynë hipotetik huazon prej tyre kryesisht përfytyrimin e një zinxhiri komandimi. Mendimi i pavarur, që duhet të jetë burim zhvillimi, trajtohet si ndërprerje e procesit të prodhimit.
Gjendja rëndohet kur drejtuesi fillon ta përfytyrojë këtë fabrikë si private. Burimet mbeten institucionale, ndërsa marrëdhëniet personalizohen. “Institucioni ju ka përzgjedhur sipas një procedure” shkurtohet në “unë ju kam marrë në punë”. Një mundësi akademike paraqitet si nder. Një e drejtë shndërrohet në borxh mirënjohjeje.
Kështu ndërtohet një pronësi pa titull pronësie. Drejtuesi është i përkohshëm, por sillet si zotërues. Kolegët janë profesionistë, por pritet të sillen si përfitues të bujarisë së tij. Universiteti vazhdon të jetë publik në financim dhe gjithnjë e më personal në administrim.
Ky mekanizëm, megjithatë, nuk mbahet vetëm nga vullneti i drejtuesit. Ka nevojë edhe për përshtatjen e bashkësisë.
Në universitetin tonë hipotetik ka pedagogë që e kuptojnë saktë çfarë ndodh. Disa e shpjegojnë me hollësi, madje me një qartësi që do t’i bënte nder çdo debati publik. Por analiza zhvillohet në kaf sepse në mbledhje “duhet kujdes”.
Njëri pret promovimin, tjetri rinovimin e kontratës, një tjetër dëshiron të mos përfshihet në konflikt. Dikush ka përjetuar koston e kundërshtimit dhe është lodhur. Këto arsye nuk duhen përçmuar. Pasiguria profesionale është reale dhe askush nuk duhet të detyrohet të provojë heroizëm për të ushtruar një të drejtë. Por mirëkuptimi për arsyet e heshtjes nuk e ndryshon pasojën e saj. Përfitimi nga korrigjimi i një padrejtësie mund t’i shkojë të gjithë bashkësisë, ndërsa kostoja e parë përqendrohet tek ai që reagon. Secili ka arsye të presë lëvizjen e tjetrit. Përfundimisht, një situatë që shumë veta nuk e dëshirojnë vazhdon falë sjelljes së tyre të përbashkët. “Ke të drejtë, por mos më përfshi” bëhet formula e këtij ekuilibri. Mbështetje e mjaftueshme për të qetësuar ndërgjegjen e atij që e jep por e pamjaftueshme për të ndryshuar gjendjen e atij që e merr.
Çfarë transferte financiare mund ta zgjidhë këtë problem? Qeveria mund të financojë kërkimin shkencor por nuk mund ta ushtrojë në vendin tonë përgjegjësinë profesionale. Edi Rama mund të përgjigjet për vendimet e tij. Votën tonë në një organ kolegjial e japim vetë.
Në këtë pikë hyn në lojë edhe autonomia universitare. Ajo është thelbësore për lirinë akademike dhe vetëqeverisjen e përgjegjshme. Por në universitetin tonë hipotetik përdoret në mënyrë të përzgjedhur. Kërkesa për llogari nga jashtë quhet ndërhyrje, ndërsa kërkesa për llogari nga brenda trajtohet si mungesë disipline.
Krijohet kështu një institucion që kërkon të mbrohet nga kontrolli i jashtëm pa lejuar të funksionojë siç duhet kontrolli i brendshëm. Autonomia ruhet në fjalor, ndërsa përmbajtja e saj ngushtohet te hapësira e veprimit të drejtuesit. Në një mjedis të tillë, edhe shtimi i burimeve mund të forcojë marrëdhëniet ekzistuese të varësisë. Më shumë fonde do të thotë më shumë mundësi për t’u shpërndarë pa kritere transparente dhe llogaridhënie, kjo mund të nënkuptojë edhe më shumë njerëz që presin miratimin personal të dikujt. Prandaj çështja e financimit duhet diskutuar bashkë me mënyrën e qeverisjes së universitetit.
Studenti e paguan këtë dështim në forma që nuk shfaqen të gjitha në faturën e tarifës. Ai paguan kur energjia akademike harxhohet për ruajtjen e ekuilibrave administrativë. Kur cilësia e punës ka më pak rëndësi se afërsia me drejtuesin. Kur mëson se parimet që i shpjegohen në auditor zbatohen me kushte jashtë tij. Ne i kërkojmë të mendojë në mënyrë kritike, ndërsa ai sheh kujdesin tonë për të mos kundërshtuar. I flasim për meritën ndërsa ai vëren çfarë shpërblehet. Ky mësim i pashkruar mund të jetë më ndikues se një semestër i tërë leksionesh. Dalja nga kjo gjendje kërkon që përgjegjësia të kthehet edhe brenda universitetit. Organet kolegjiale duhet të ushtrojnë kompetencat e tyre, drejtuesit të arsyetojnë vendimet dhe bashkësia akademike të mbrojë standardet edhe kur cenimi i tyre nuk prek drejtpërdrejt interesin personal të secilit. Reagimi duhet të jetë institucional dhe kolegjial, në mënyrë që çdo kundërshtim të mos mbetet historia e një individi përballë administratës.
Në universitetet shqiptare ka pedagogë të aftë, kërkues seriozë, punonjës me integritet dhe studentë me talent e perspektivë. Pikërisht ata kanë nevojë për një mjedis ku aftësia të nxitet dhe pavarësia të mos ndëshkohet. Gjithashtu kanë nevojë për një mjedis ku dobësia intelektuale e një drejtuesi të mos kthehet në kufi për zhvillimin e të tjerëve.
Qeverisë duhet t’i kërkojmë të përmbushë përgjegjësitë e veta. Por kërkesa për më shumë financim nuk mund të mbetet mënyra jonë për t’iu shmangur pyetjes se çfarë bëjmë me pushtetin, të drejtat dhe përgjegjësitë që kemi tashmë.
Për universitetet duhen para. Për t’i bërë vende të hapura duhen edhe akademikë që ushtrojnë lirinë e tyre. Përndryshe qeveria mund të rinovojë godinën, të pajisë laboratorin dhe të shtojë fondet. Brenda do të vazhdojë të funksionojë e njëjta pulari private, me shpenzime publike. Dhe në mbledhjen e radhës përpara se të kërkojmë një miliard tjetër, duhet të provojmë diçka që nuk i kushton asgjë buxhetit. Të themi me zë atë që e dimë të gjithë në korridor.

