E mërkurë, 10 Qershor, 2026
Opinion

Do Zoti, e liga është vetëm Tirja. Do Zoti, kemi ruajtur shpirtin!

· 4 min lexim
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

Nga Albana Nexhipi Lekaj

Rasti “Tire”, transmetuar mbrëmë prej emisionit investigativ Stop, ku një zonjë denonconte paratë e marra nga një sanitare në spitalin Shefqet Ndroqi (8 milion lekë),  e cila as shërbimin e detyrueshëm nuk i kishte ofruar të ëmës, ndarë nga jeta tashmë, dëshmon edhe një herë për derexhenë morale dhe profesionale ku është ngatërruar shoqëria shqiptare.

Ashtu siç tregoi edhe investigimi i Stopit, pacientes së ndjerë, jo vetëm që nuk i qe bërë shërbim plus në spital sa qe gjallë, për të justifikuar ndopak paratë e marra, por nuk i qe bërë as shërbimi minimal, i nevojshëm, i detyrueshëm ndaj një pacienti në nevojë, një pacienti  covid për më tepër, të intubuar, të cilin të afërmit s’ kanë mundësi as ta ndjekin e as t’í rrinë pranë (se kështu ka vendosur Shteti). Në këtë situatë, të vetmet ura lidhëse me familjarët në Spitalet Covid, mbeten anëtarët e stafit spitalor, mbi të cilët, sidomos pas rastit flagrant “Tire”, ka rënë një hije e madhe dyshimi për mënyrën si i trajtojnë pacientët (kujto këtu dhe të sëmurët që janë vërvitur nga katet e sipërme, duke humbur si pasojë jetën).  

Në videon e Stopit, e ndjera grua ankohet se i kanë hequr edhe bukën, se nuk i bënin as klizmën, duke i kërkuar me përvuajtje të bijës të jepte ndonjë lek e “të mos e linin me vdek”.  Por akuza më e madhe që ajo zonjë tashmë nën dhe’ i bën stafit spitalor të  Shefqet Ndroqit, është frika që ka se mos e vdesin: “Mos i thuj gjo, se po m’bojnë ndonjë gjilpanë”.

Personazhi Tire, është shembulli më flagrant i shqiptarit matrapaz me jetën, për fat të keq në shtim, që na dëshmon edhe një herë se si po katandiset një pjesë e shoqërisë, duke u kthyer në Çicikovë të mjerë, e në gjuetarë kufomash.

Pa pikën e frikës së ligjit, pushimit nga puna jo e jo, por edhe pa pikën e frikës prej Perëndie, Tirja, një si shumë prej punonjëseve që të zë syri spitaleve, gjen rastin  dhe e shfrytëzon në maksimun buzë-varrin e pacientes,  për të përmirësuar sa më tepër jetën e saj e të familjarëve të vet! Pa menduar asnjë çast sikur të qe në vend të saj! Ose sikur denoncuesja  të ishte e bija! Se Tirja nuk ishte sëmurë! Se Tirja kishte në dorë të të zgjaste lugën e të të ushqente.

Nga dialogu me vajzën pa nënë tashmë, dhe pa 8 milionë gjithashtu, ti kupton që Tires i vjen edhe rëndë, por jo nga që ka mashtruar të gjorën, duke ia shpënë të ëmën drejt vdekjes, por ngase këtë muhabet e paskan marrë vesh kolegët tek puna! Po po. Kolegët e kishin marrë vesh. Por kaq. Reaguan vetëm kur rasti u bë publik në media. Tirja qe prekur se vajza i kishte  nxjerrë bojën në spital, por aspak prej faktit që tahmaja e saj për lekë, ka ngrënë me gjasa një kokë. Kokën e të mamasë së vajzës! Asnjë ndjesë, asnjë skuqje faqeje për vjedhjen e përditshme të gjakut të dikujt, i cili ia jepte ato të holla për të shpëtuar nënën e xhanit.

Tirja sot është arrestuar. E mira është që, përdej kodit të nderit të hajdutit, që do të hajë sanduiçë përditë, të tregojë edhe shokët. Se rasti “Tire” ka shumë pikëpyetje në vetvete, të cilat e mira është të sqarohen, në mënyrë që 1) të mos njolloset tërë stafi/et spitalore, dhe 2) që modeli ‘Tire’ të mos vuloset jetë e mot si një mënyrë komunikimi e sjelljeje me pacientin.

Nevoja për të bërë klizmë, mosbërja e saj, ilaçet e  marra, ushqimi, shërbimi që i është bërë, janë të dhëna që duhet të figurojnë në kartelën e pacientit, dhe ajo grua duhet ta ketë me se s’bën gjëkundi një të tillë në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Dhe kështu gjërat mund të ballafaqohen e të kupohen.

Do Zoti, e liga është vetëm Tirja. Do Zoti, kemi ruajtur shpirtin!

\n\n

©MetropolPost.al

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top