
Darina Nikolaeva Yotova, e njohur më tepër si Dara, është 27 vjeçe dhe vjen nga Varna, qyteti i tretë më i madh në Bullgari. Ajo u bë e njohur për herë të parë në vitin 2015, kur mbërriti në finalen e variantit bullgar të konkursit “X Factor”.
Publiku e kujton atë për hitet “Thunder”, “Call Me” dhe “Mr Rover”, të cilat dominuan top listat muzikore për javë të tëra. Përveç karrierës së suksesshme muzikore, Dara ka qenë mentore në shfaqjen “Zëri i Bullgarisë” në vitet 2021 dhe 2022. Në vitin 2025, ajo publikoi një album të ri, duke e forcuar më tej pozicionin e saj në skenën ndërkombëtare.
Në një intervistë me “The Independent”, Dara foli për sa shumë do të thotë për të përfaqësimi i vendit të saj në Eurovision. “Eurovision merret shumë seriozisht në Bullgari. Nuk kemi qenë në këtë konkurs për tre vite dhe suksesi ynë më i madh mbetet vendi i dytë i Kristian Kostov në vitin 2017. Kristiani është një mik i shkëlqyer i imi dhe ky rezultat do të thotë shumë për vendin tonë”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se fitorja është e rëndësishme për të, por pas gjithë kësaj fshihet një dëshirë shumë më e gjerë. “Sigurisht që dua të fitoj, por për mua është po aq e rëndësishme që Bullgaria të spikasë. Ne jemi një vend i vogël me një shpirt të madh kulturor, të lashtë, të shtresëzuar e kokëfortë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne kemi një trashëgimi të pasur muzikore, që bota ende nuk e ka zbuluar”, theksoi ajo.
Ajo u shpreh mes të tjerave se do të donte që kënga e saj t’i inkurajonte njerëzit të eksploronin Bullgarinë, muzikën, bregdetin, letërsinë dhe kulturën e saj.
Dara e përfaqësoi Bullgarinë me këngën “Banagaranga”, të cilën e përshkruan si një përzierje të tingullit pop dhe elementëve folklorik. Ajo shpjegoi gjithashtu origjinën e titullit të këngës.
“Fjala vjen nga zhargonet xhamajkane dhe do të thotë rebelim, kaos, por në një mënyrë të bukur dhe energjike. Është një fjalë që fillimisht e ndjen dhe mandej e kupton”, tha këngëtarja.
Bullgaria nuk mori pjesë në Eurovision vitin e kaluar dhe ka qenë jashtë garës që prej vitit 2023. Ajo performoi për herë të fundit në vitin 2022, ku nuk arritën të arrinin në finale.
Konkursi i Këngës në Eurovision i këtij viti u shënua gjithashtu nga polemika të shumta rreth vendimit për ta lejuar Izraelin të performonte në vendin e dytë, pavarësisht luftës në Gaza. Si rezultat, disa vende vendosën ta bojkotonin konkursin.

