E martë, 11 Gusht, 2026
Bota

Ish-presidenti sirian Assad dënohet me vdekje në mungesë për “krime lufte”

· 2 min lexim
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit


Vendimi i gjykatës së Damaskut konfirmoi krimet e kryera gjatë luftës civile në vend.
Ish-presidenti sirian Bashar al-Assad u dënua me vdekje në mungesë, nga gjykata penale e Damaskut, pasi u shpall fajtor për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit” të kryera gjatë konfliktit 14-vjeçar në Siri, i cili shkaktoi vdekjen e rreth gjysmë milioni njerëzve. Me vdekje në mungesë u dënua gjithashtu edhe vëllai më i vogël i ish-udhëheqësit sirian, Maher.


“Ndjekje penale në nivel ndërkombëtar” – Gjykata e Damaskut vendosi se ish-presidenti duhet të “ndiqet penalisht në nivel ndërkombëtar”, sipas raportimeve të medias Al Arabiya. Assad u shpall fajtor për akuza që përfshijnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës civile siriane. Ky është vendimi i parë gjyqësor kundër diktatorit, i dhënë nga autoritetet e përkohshme, të cilat këtë vit nisën gjyqe – si me praninë e të akuzuarve ashtu edhe në mungesë të tyre – kundër figurave të qeverisë së mëparshme.


Largimi drejt Moskës – Pas rënies së papritur të regjimit Ba’athist të dinastisë Assad – i cili u përmbys në vitin 2024, pas më shumë se 50 vitesh shtypjeje dhe dhune ndaj popullit sirian, – ish-presidenti u largua drejt Rusisë, së bashku me familjen e tij. Vendi i udhëhequr nga Vladimir Putin i dha azil ish-presidentit sirian dhe të afërmve të tij, dhe që atëherë diktatori sirian nuk është shfaqur më në publik. Maher al-Assad – ish-komandant i Divizionit të Katërt të Blinduar dhe prej kohësh i konsideruar si figurë kyçe në aparatin ushtarak dhe shtypës të qeverisë së mëparshme – raportohet gjithashtu se ndodhet në kryeqytetin rus.


Një jetë komode në Rusi – Informacionet lidhur me vendbanimin e saktë dhe jetën e përditshme të Assadit janë të pakta. Sipas raportimeve të ndryshme mediatike, Assadi dhe familja e tij jetojnë në lagjen Rublyovka të Moskës – një zonë rezidenciale luksoze në periferinë perëndimore të kryeqytetit, ku banojnë oligarkë, politikanë dhe milionerë rusë. Pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare, familja Assad gëzon burime të konsiderueshme financiare, falë fondeve të transferuara në Rusi para përmbysjes së regjimit.

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top