Në kohërat që jetojmë, duket se politika botërore, ajo europiane dhe ajo ballkanike, po përballen me një sërë çështjesh të mprehta, që me gjasa do t’ua ndryshojnë fizionominë e marrëdhënieve të deri më tanishme, duke sjellë si pasojë ndoshta një rend të ri vlerash bashkëpunimi politik.
Si e sheh gazetari i njohur serb Boško Jakšić, këtë ndërveprim politik të arenës ndërkombëtare, europiane e ballkanike?
Nën pyetjet e mprehta të Virgilius, MetropolPost ua propozon si analizën e ditës.
Virgilius: Ju jeni një gazetar me një përvojë të gjatë dhe tejet aktiv edhe sot, ndër të tjera duke shkruar çdo javë në të përditshmen [e Beogradit] “Politika”. A mund të na thoni për publikun shqiptar se kush është vlerësimi juaj për situatën aktuale në Europë e më tej? Duke pasur parasysh agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe situatën e koklavitur rreth Taivanit.
Boško Jakšić: Më lejoni të përsaktësoj diçka. Përveçse te “Politika” mbaj rregullisht nga një rubrikë tek “Oslobođenje” e Sarajevës dhe “Sloboden pečatu” e Shkupit. E tani po i kthehem pyetjes suaj. Përgjigjja në një trajtë tejet të përmbledhur është: e keqe! Prej kohësh nuk ka pasur kaq shumë kriza të mbledhura në një periudhë kohe. Duke gjykuar nga gjithë çka po ndodh lufta në Ukrainë do të zgjasë, si për shkak të ambicieve të Putinit ashtu edhe prej atyre në Perëndim që gjykojnë se ka ardhur koha që Rusia të humbasë. Bëhet fjalë për kriza energjitike dhe ushqimore, të cilat janë fllad që fryjnë në velat e inflacionit, duke i shtyrë drejt vorbullës ekonominë dhe financat globale. Mos të harrojmë që pandemia ende nuk është mposhtur. Ky është përfundimi pesimist i një njeriu që për nga natyra është optimist.
“Demokracia është gjithashtu në krizë, ndaj është pasojë logjike kriza e liderëve për çka po diskutohet vitet e fundit. Vlerat liberale po cënohen në Perëndim, i cili është ngritur mbi këto themele”
Virgilius: Kush janë sfidat me të cilat po përballen demokracisë sot e kësaj dite? Erdogani në Turqi, Orbani në Hungari, Kaszynski në Poloni, sa për të përmendur disa syresh, kanë qenë eksplicitë dhe i gjykojnë demokracitë liberale në një dritë negative. Para disa ditësh Meloni fitoi zgjedhjet në Itali, duke i rritur edhe më temperaturat e populizmit dhe të autoritarizmit në Europë. Mendoni se e gjithë kjo atmosferë ka për të pasur reperkusione edhe në vendet tona, ku sistemet demokratike konsiderohen ende tejet të brishtë?
Boško Jakšić: Demokracia është gjithashtu në krizë, ndaj është pasojë logjike kriza e liderëve për çka po diskutohet vitet e fundit. Vlerat liberale po cënohen në Perëndim, i cili është ngritur mbi këto themele. E kujt mund t’i shkonte mendja para dhjetë vjetësh që në Itali do të vinin në pushtet neofashistët? Lindja autokratike po ia imponon në mënyrë agresive modelin e vet të dashur një sëre populistësh e klerikonacionalistëve perëndimorë që kanë përfunduar në prehrin e të djathtës ekstreme. Sintagma e Orbanit e “demokracisë iliberale” i ka dhënë Hungarisë, vend anëtar i BE-së, statusin e një “autokracie zgjedhore”, çka është përvetësuar jo vetëm në Poloni e Turqi, por edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor që janë të ekspozuara ndaj nacionalizmave dhe jo të gatshme për të ndërmarrë reforma themelore. Shembull është Serbia.
Virgilius: Në prill të këtij viti, Aleksandar Vuçiç dhe partia e tij SNS fituan zgjedhjet e parakohshme në Serbi. Vuçiç fitoi një mandat të ri si president i vendit dhe partia e drejtuar prej tij do ta qeverisë vendin për katër vjetët e ardhme (në qoftë se presidenti nuk vendos ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, siç ndodhi para dy vjetësh). Pavarësisht faktit që parlamenti aktual ngjan më “pluralist” se ai paraardhës, a mendoni se përfaqëson krejt peizazhin politik në Serbinë e sotme?
Boško Jakšić: Kryesisht po. Parlamenti, pak a shumë, përmbledh rrymat kryesore politike në Serbi – me përjashtim të së majtës, e cila, ashtu si në Europë, e sheh veten në një krizë serioze. Fakti që dominojnë partitë e djathta, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, përbën një skaner besnik të gjendjes në vend. Opozita pro europiane është kaq e fragmentuar sa pa dashje e ndihmon Vuçiçin të rrijë në pushtet, duke qenë se nuk janë në gjendje të identifikojnë në Perëndim partnerë për t’i mbështetur. Çdo vend mund të ketë një qeveri të keqe, por Serbia nuk meriton një opozitë kaq të keqe.
Virgilius: Duke parë demonstratat pro ruse në Beograd, duke dëgjuar deklaratat pro Putin dhe pro të ashtuquajturit operacion special në Ukrainë – operacion që s’ngjan të jetë dhe aq special tekefundit – të disa prej politikanëve serbë, mund të na thoni se për ç’arsye ekziston ky lloj polarizimi në shoqërinë serbe?
Boško Jakšić: Po vazhdoj aty ku e lashë me përgjigjen e pakmëparshme. E djathta serbe mbart tri element: një nacionalizëm të spikatur, afërsi me qëndrimet e Kishës Ortodokse serbe dhe ndjenjat antiperëndimore që manifestohen në një shpirt të fuqishëm rusofil. Edhe pse liderëve në Beograd ua ka ënda të flasin për “miqësinë shekullore” me Rusinë, çka historikisht është e pasaktë, një rritje dramatike dhe tërheqje kundrejt Kremlinit në opinionin publik serb zuri fill me krizën në Kosovë. Me një zotësi të pashoqe Moska bëri të vetën narrativën “nuk jemi ne ata që ju bombarduan” dhe, duke iu drejtuar të drejtës së vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ia doli mbanë të shfaqet si mbrojtëse e shenjtë e “Jeruzalemit serb”. Fakti që Putini i referohet Kosovës si e si t’i jap “legjitimitet” aneksimeve në Ukrainën lindore, nuk i ka esëlltësuar rusofilët serbë e t’i bëj t’i vënë gishtin kokës. Pushtimi rus [i Ukrainës] na jep të kuptojmë se është një tjetër motiv ndarjesh të fuqishme në shoqëri.
“Nuk është e rëndësishme nëse një vend është neutral, e rëndësishme është se në krah të kujt qëndron neutral. Në këto kohë Serbia është neutrale – në krah të Rusisë’
Virgilius: Duke pasur parasysh fazën e re që ka hyrë konflikti në Ukrainë, kundërofensivën e trupave ukrainase, mobilizimin e pjesshëm në Rusi dhe mbështetjen e paepur që Perëndimi me në krye SHBA-në po i jep Ukrainës, a mendoni se zoti Vuçiç dhe ekipi i tij do t’iu bashkohen një ditë sanksioneve kundër Rusisë së Putinit?
Boško Jakšić: Presidenti Vuçiç është nën trusninë e Rusisë dhe të Perëndimit, duke qenë se kjo luftë kërkon një rreshtim të qartë, e megjithatë ai vazhdon me politikën e barazpeshimit. Krahas Bjellorusisë, Serbia është i vetmi vend në Europë që nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj regjimit të Kremlinit, çka e përligj me argumentin racional se varet njëqindpërqind prej gazit rus. Se si e qysh u katandis në këtë pozitë është tjetër histori. Por, në të njëjtën kohë, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Serbia mbështeti rezolutën që dënon pushtimin. Duket që si Perëndimi ashtu dhe Rusia po ia tolerojnë Vuçiçit këto manovra, por se sa do të zgjasë kjo gjë varet kryesisht nga zhvillimi i situatës në frontin ukrainas. Në qoftë se do të duhej të përshkruaja me dy fjalë një diagnozë, atëherë do të sillja këtu shprehjen e Uinston Çurçillit: Nuk është e rëndësishme nëse një vend është neutral, e rëndësishme është se në krah të kujt qëndron neutral. Në këto kohë Serbia është neutrale – në krah të Rusisë.
Virgilius: Sot kemi jo një e dy, por disa të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor. I fundit vjen nga Slovenia. Përtej gjithë këtij interesi të madh ndaj rajonit tonë, perceptimi i përgjithshëm është se ka një ngecje në procesin e integrimit europian. Çfarë po ndodh, sipas jush? E përtej retorikës së përfaqësuesit të lartë e zyrtarëve të tjerë të Unionit, a shihni një perspektivë të qartë europiane për vendet tona?
Boško Jakšić: Inflacioni i emisarëve të ndryshëm nuk më duket një sinjal inkurajues. Ndoshta kjo gjë i vjen për mbarë vanitetit të liderëve të rajonit, por, gjithsesi, nuk premton përparim në rrugën e integrimit europian, e cila, praktikisht ka ngrirë para shpërthimit të luftës në Ukrainë. Qysh nga samiti i famshëm i Selanikut, para afro dy dhjetëvjeçarësh, vetëm Kroacia është anëtarësuar [në BE]. Mali i Zi dhe Shqipëria kanë një pozitë më të mirë, Maqedonia e Veriut është bllokuar nga Bullgaria, Serbia është vetë përgjegjëse që ka ngecur në vend, ndërsa përsa i përket Bosnjes e Hercegovinës dhe Kosovës, të dyja këto, objektivisht, janë mjaft larg pranimit. Nga ana tjetër, sjellja kolektive e Brukselit përmes burokratëve të përgjumur ka bërë që të bjerë ndjeshëm tërheqja ndaj anëtarësimit, e cila është zbehur në krejt rajonin; diku më pak, diku më shumë. Në gjirin e Unionit ende ekziston një rezistencë e fuqishme kundër zgjerimit, rezistencë që krizat e kohës vetëm sa e përforcojnë, ndërkohë që çështjen [e anëtarësimit] e shtyjnë në periferi. Ndryshimi i metodologjisë së pranimit që ndërmori presidenti francez Emanuel Makron tërthorazi pohoi se brenda BE-së nuk ka politika dhe vizion të qartë rreth pranimit të anëtarëve të rinj. Për këtë arsye e kam aq për zemër citatin e kryeministrit Edi Rama kur flet për “shpirtin e rremë të zgjerimit”. Perspektiva është këtu, ndonëse shtyhet vazhdimisht në horizont. Dyert e Brukselit janë të hapura, por zor se ia del të mbërrish tek ato dyer.
“Serbia duhej të ishte e para që ta njihte pavarësinë e Kosovës. Qëndrimi maksimalist nga të dyja palët ka sjellë që punët sot e kësaj dite të ngecin fund e krye në vend“
Virgjilius: Le të vimë tek elefanti në dhomë: Kosova! Në shkrimet tuaja jeni shprehur qartazi lidhur me statusin e Kosovës dhe pozitën e Serbisë. A mendoni që Aleksandri ka vullnetin dhe “shpatën” (lexo: fuqinë) ta presë “nyjen gordiane”, një metaforë që presidenti serb e ka aq për zemër dhe e ka përdorur shpesh? Sipas jush, çfarë duhet bërë për ta zgjidhur këtë situatë absurde?
Boško Jakšić: Po, qysh në vitin 2007 kam shkruar se Serbia duhet të ishte e para që ta njihte pavarësinë e Kosovës. Kjo gjë do të bënte të mundur që më pas të diskutohej në mënyrë të arsyeshme rreth pozitës së pakicës serbe, pronave, mbrojtjes së monumenteve të kulturës… Por nuk ndodhi. Pikë së pari u refuzua çdo ide për të diskutuar lidhur me “fjalën më të shenjtë për serbët”. Kur u hapën negociatat u zgjidhën disa çështje teknike, por rreth asaj çka është çështja kyçe, statusi i Kosovës, qëndrimet e Beogradit e të Prishtinës janë të papajtueshme. Politikanët serbë, si ata në pushtet ashtu edhe në opozitë, me kohë u bën peng i retorikës që “Serbia nuk duhet kurrsesi ta njoh pavarësinë e Kosovës”. U krijua një atmosferë në të cilën çdo hap i hedhur në atë drejtim do të thoshte vetëvrasje politike. Unë, personalisht, disa herë kam folur për “modelin gjerman”: që Serbia t’i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në OKB – çka bën që automatikisht të bjerë kundërshtimi i Rusisë, Kinës dhe i pesë vendeve anëtare të BE-së, por edhe i shteteve të tjera – ndërsa njohja formale e ndërsjellë të shtyhet për një tjetër kohë. Para pak kohësh Vuçiç shpalli publikisht se “kurrë” nuk do të pajtohet me hyrjen e Kosovës në OKB. Qëndrimi maksimalist nga të dyja palët ka sjellë që punët sot e kësaj dite të ngecin fund e krye në vend. Pra, ka një nyje, por nuk ka një Aleksandër.
Virgilius: Si e shihni të ardhmen e Bosnje-Hercegovinës? A dëshiron Republika Srpska të jetë pjesë e Federatës apo vendit i nevojitet një Dejton i ri? Një formulë e re?
Boško Jakšić: Për shkak të kapacitetit Bosnja e Hercegovina është pika më nevralgjike e Ballkanit. Vendi që dikur përshkruhej si “Jugosllavia në miniaturë”, në vitet 1990 pati fatin e Jugosllavisë së madhe, ndërkohë që marrëveshja e Dejtonit vetëm sa e ndali luftën. Asgjë më shumë. Pasionet nacionaliste nuk i kanë shterruar as 100.000 viktimat e kësaj lufte. Bosnja po gjallon pa mundur të bëhet një shtet funksional, para së gjithash ngase në thelb kurrgjë s’ka ndryshuar. Palët drejtuese, tri popujt konstitues, boshnjakët, serbët e kroatët, janë po ato të krijuara sipas modelit nacional dhe jo politik. Boshnjakët dyshohen se duan një BeH unitare ngase kanë më shumë banorë, teksa ideja e tyre e shtetit civil hidhet poshtë si një “komplot musliman”. Republika Srpska, e cila është bastioni më i fuqishëm i ndikimit rus në rajon, kanoset me secesion. Kroatët që janë në përbërje të entitetit të dytë, Federatës së BeH, ngulin këmbë në ndryshimin e ligjit zgjedhor me ambicien për të krijuar entitetin e tretë, Herceg Bosnjën. Në zgjedhjet e 2 tetorit [2022] do të votohet rishtazi për nacionalistët. Bashkësia ndërkombëtare, para së gjithash Perëndimi, nuk shfaqet e gatshme që të merret seriozisht me Bosnjen. Pra, mbahet në fuqi një status quo shkurajuese.
“Tekefundit përshkruajeni Ballkanin e Hapur si të dëshironi, si stacion [rrugës] për të hyrë në BE ose si shinë për integrim të përshpejtuar, unë i përmbahem asaj thënies së moçme se një rrugë prej njëmijë miljesh zë fill me hapin e parë”
Virgilius: Dëshiroj ta përmbyll bisedën tonë me të shumëpërfolurin, si për mirë ashtu edhe për keq, Ballkanin e Hapur. Në qoftë se hedh një sy rreth e qark rajonit vëren se, rreth kësaj nisme, ka ende shumë dyshime dhe skepticizëm. Kosova, Bosnja-Hercegovina dhe Mali i Zi ngurrojnë të bëhen pjesë e tij. Duke e këqyrur realitetin në sy, të gjithë ne tok kemi ende një copë rrugë për të bërë kah Bashkimi Europian. Në këtë pikë, unë nuk jam në gjendje të shquaj diçka më pozitive që nxit shkëmbimet e njerëzve, mallrave dhe kapitaleve midis vendeve tona, diçka që zor se ka ngjarë më parë, të paktën deri atje ku shtrihet kujtesa historike. A mendoni se, për të gjithë ne, ka një të ardhme për të jetuar në paqe e në begati në këtë cep të botës apo jemi të dënuar të mbijetojmë në një klimë paragjykimesh dhe urrejtjeje?
Boško Jakšić: Në Ballkanin Perëndimor që e përshkrova shkurtimisht, një rajon që dëshiron të jetojë pa i larë hesapet me të kaluarën dhe ëndërron për një të ardhme të ndritur, çfarëdolloj integrimi është një nismë mëse fisnike. Kjo [e fundit] një farë bankosprove në llojin e vet për të hyrë në BE, e cila promovon lirinë e lëvizjes, mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitaleve, duke filluar qysh nga starti i vet, më 2019, ka prodhuar disa rezultate të prekshme, edhe pse nuk ia ka dalë të fshijë dyshimet e disa prej vendeve të rajonit. Ndonëse Mali i Zi, kohët e fundit, është shprehur pozitivisht për Ballkanin e Hapur, BeH dhe Kosova nuk shfaqin interes t’i bashkohen diçkaje që atyre iu shëmbëllen një surrogat i proceseve të integrimit me Unionin, një nisme të pjesshme që vetëm sa e shmang vëmendjen prej mosarritjeve të përafrimit me BE-në. Qysh nga zanafilla, projekti ndiqet nga dyshimi se më shumë se ekonomike ka motive të forta politike për t’u shndërruar ose në një Serbi të madhe, e cila dëshiron dominim politik dhe ekonomik mbi të tjerët, ose në krijimin e Jugollavisë së Katërt. Edhe pse ka një mbështetje të fuqishme nga ana e SHBA-së, në Gjermani gjykojnë se Ballkani i Hapur i kundërvihet Procesit të Berlinit ku përfshihen të gjashtë vendet e rajonit. Kritikët [e Ballkanit të Hapur] shprehen se objektivat e Ballkanit të Hapur i mbivendosen Planit të Aksionit për hapësirën ekonomike rajonale të përcaktuar në suazë të Procesit të Berlinit në samitin e Triestes të vitit 2017. Tekefundit përshkruajeni Ballkanin e Hapur si të dëshironi, si stacion [rrugës] për të hyrë në BE ose si shinë për integrim të përshpejtuar, unë i përmbahem asaj thënies së moçme se një rrugë prej njëmijë miljesh zë fill me hapin e parë. Pra, a nuk janë sot Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia më pranë nga ç’ishin para tri vjetësh
* Titulli original: Serbia është neutrale – në krah të Rusisw” Intervistë me gazetarin Boško Jakšić nga Virgilius (alias Virgjil Muçi)