
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, me të mbërritur në mbledhjen e Këshillit të Punëve të Jashtme në Luksemburg, ka deklaruar se BE e mirëpret armëpushimin energjitik, me kusht që ai të respektohet: “Ne e mirëpresim armëpushimin në sektorin e energjisë, me kusht që ai të respektohet”, u shpreh ajo. “Mbetet për t’u parë nëse edhe Rusia do t’i përmbahet atij. “Natyrisht, në nivel personal, do të doja që armëpushimi të vlente edhe për njerëzit – në mënyrë që të mos humbasin jetë. Duhet të ushtrojmë presion mbi Rusinë për t’i dhënë fund luftës. Sepse, nëse ajo ndalon, ukrainasve nuk do t’u duhet të marrin masa për të mbrojtur vendin e tyre.”
Ndërkaq, tjetër deklaratë vjen prej kampit rus, ku zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se Zelenski nuk po tregon asnjë gatishmëri për ta ndalur konfliktin, ndaj dhe presidenti i Amerikës Trump, është i mërzitur me të. “Trump,” deklaroi Peskov, “tha se beson që ka ardhur koha për një president të ri. Pse? Sepse presidenti ukrainas duhet të marrë vendime shumë të rëndësishme dhe shumë të vështira për ta ndalur këtë luftë. Ose Zelensky e pranon këtë përgjegjësi dhe tregon vullnetin politik për ta bërë këtë, ose jo.”
Vetë Ukraina, pasi deklaroi se qe dakord me armëpushimin energjitik, ka reaguar duke thënë se Rusia e ka shkelur këtë armëpushim menjëherë pasi ai u shpall.
“Rusia e shkeli armëpushimin energjetik menjëherë pasi ai u shpall”, deklaroi ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, i cili raportoi se Moska kishte nisur një sulm ndaj Termocentralit Nr. 5 të Kharkiv-it. Përmes një postimi në Telegram raportuar nga agjencia UNIAN, Sybiha shkroi se e kishte informuar homologun e tij gjerman Johann Wadephul për incidentin. “E informova Johann-in për sulmin rus ndaj Termocentralit Nr. 5 të Kharkiv-it, i cili ndodhi pak orë më parë,” thuhet në mesazhin e Sybihas.

Dje, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi zbatimin e një “armëpushimi energjetik” me efekt “të menjëhershëm”. Në një bisedë telefonike me Axios, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e përshkroi njoftimin e manjatit si “lajm”. “Nëse presidenti Trump ka arritur një marrëveshje me Putinin, ju lutem na njoftoni se kur do të fillojë armëpushimi. Ne jemi gati dhe do ta respektojmë atë,” deklaroi ai.

