Kreu i Shoqatës së Botuesëve Petrit Ymeri, ka bërë me dije përmes një njoftimi, se Shoqata e Botuesve po përpiqet të bëjë të mundur, organizimin e Panairit të Librit në datat 17-21 nëntor, në Pallatin e Kongreseve.
Në njoftimin e tij, Ymeri deklaron se Shoqata e Botuesëve po mendon ta zhvillojë këtë aktivitet sipas të gjitha rregullat dhe praktikat e ndjekura këtë periudhë, nisur nga situata shëndetësore që po kalon vendi.
Shoqata e Botuesve po punon shumë e angazhuar për të përgatitur dhe, në radhë të parë për të bërë të mundur, organizimin e Panairit të Librit në datat 17-21 nëntor në Pallatin e Kongreseve, shprehet Ymeri në njoftimin e tij. Sigurisht, duke njohur e vlerësuar shumë seriozisht situatën shëndetësore që po kalon Shqipëria, kemi menduar që ta bëjmë këtë aktivitet të realizueshëm duke zbatuar të gjitha rregullat dhe praktikat e ndjekura edhe në këtë periudhë. Për këtë arsye, kërkojmë nga të gjithë botuesit dhe librarët, të gjitha institucionet që do marrin pjesë në Panairin e Librit, që të marrin masa për vaksinimin e të gjithë punonjësve apo të personelit që do të jenë në stendat apo ambientet e Panairit të Librit, gjatë ditëve të aktivitetit apo ditëve përgatitore. Për vizitorët do të ketë rregulla dhe kërkesa që do i vendosim në bazë të situatës dhe të porosive të organeve kompetente. Të gjithë ekspozuesit do të dorëzojnë paraprakisht tek organizatorët e Panairit listat dhe dokumentacionin e duhur, që vërteton vaksinimin e plotë me 2 doza. Nuk do të lejohet asnjë subjekt apo person të marrë pjesë në Panair pa u vaksinuar. Kundravajtësit do të gjobiten apo penalizohen në bazë të ligjeve apo rregullave në fuqi.