Kanë nisur qysh tashmë debatet mes presidentit të Turqisë Taip Erdogan dhe kreut të Bashkisë së Stabmollit Ekrem Imamoglu, për shkak se gjashtë vitet e ardhshme, presidenti aktual i Turqisë Taip Erdogan, synon të gërrmojë një tjetër kanal mes Detit të zi dhe atij Marmara, me qëllim që të lehtësojë trafikun detar në kanalin e Bosforit.
E teksa Erdogani këmbëngul se hapja e një kanali të tillë do të shmangë trafikun në Bosfor, rreziqet që sjellin petroliferet e rënda, hapjen e mijëra vendeve të punës, si dhe një pozicion më të mirë të Turqisë në botë, kreu i Bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoglu, e ka kundërshtuar me forcë një projekt të tillë, duke e cilësuar si shkatërrimtar të kryeqytetit.
Ky qytet nuk mban më ndërtime, është shprehur për mediet në vend Imamoglu, i cili për vitet të tëra ka qenë kundër projekteve të stërmëdha të qeverisë, si ndërtimi i aeroportit të ri (aeroportit më të madhe në botë!), e po ashtu edhe të një ure të tretë mbi Bosfor (ura më e madhe në botë!)
Kritikët e kanalit shprehen të shqetësuar se hapja e tij jo vetëm do ta kthejë Stambollin në ishull, duke i shkatërruar burimet ujore dhe pyjet, por do të krijonte edhe probleme për evakuimin në rast tërmeti.
E teksa mbështetësit e qeverisë i quajnë këto thjesht sulme politike, kritikët shtojnë gjithashtu se argumenti mbi lehtësimin e kanalit të Bosforit është populist dhe se nuk qëndron aspak, për shkak se Bosfori është në qendër të Traktatit të Montreux-së, i cili parashikon lëvizjen e lirë të anijeve dhe nuk mund t’i detyrosh ato të lundrojnë në tjetër kanal.
Ndërkaq, vetë qeveria ka paraqitur për publikun një raport ambjentalist shumë më pozitiv, i cili, sipas mediave të huaja, synon të japë mesazhin se këto shqetësime janë të ekzagjeruara.
Sipas pamjeve të paraqitura prej vetë qeverisë turke, ky nuk do të jetë thjesht një kanal. Në brigjet e tij do të ngrihen lagje të reja banimi, e po ashtu dhe porte turistike luksi, çka ka bërë në fakt, sipas raportimeve nga vendi, që çmimet e truallit të zonës që përkon me brigjet e kanalit, të rriten tej mase.
‘O kanalin, o Stambollin”, këmbëngul Imamoglu përmes posterave të tij, në përpjeke për ta ndaluar këtë nismë që e cilëson shkatërruese për qytetin, ndërkohë që Erdogani përgjigjet: “Të pëlqen apo jo, kanali do bëhet”.
***
Kujtojmë që Erdogani e ka deklaruar projektin e kanalit në prill të 2011-s, duke e cilësuar si një projekt të çmendur me një buxhet të madh, i cili nuk mund të krahasohej me Panamanë apo Kanalin e Suezit, çka donte të thoshte se qe projekt më i mirë se ata.
Uji, sipas deklaratave të Erdoganit do të jetë i thellë 25 metra dhe në të do të kalojnë rreth 160 anije në ditë. Kanali do të jetë i gjatë 45 kilometra dhe do ta përshkojë Stambollin nga jugu në veri.