Pas ngjarjes së trishtë në Elbasan, ku një person gjeti vdekjen dhe tri të tjerë, përfshi dhe një efektive të policisë, u plagosën, ka reaguar kandidati i PD për qarkun e Elbasanit, Gazmend Bardhi.
Në deklaratën e tij në media, Bardhi theksoi se ky është një konflikt politik i nxitur nga Partia Socialiste, për të mos lënë qytetarët e Elbasanit të votojnë të lirë. Mes të tjerave, Bardhi tha se Partia Demokratike ka ngritur në terren struktura të mbrojtjes së votës, të cilat kanë në përbërjen e tyre ish punonjës të Policisë së Shtetit, të pa inkriminuar, por të pajisur me armë nga Policia e Shtetit, për hir të detyrës, sic është edhe individi që qëlloi dhe është vënë në pranga nga policia.
Ai akuzoi për këtë ngjarje të rëndë kandidatin e PS-së Taulant Balla, duke thënë se është pikërisht ai që ka angazhuar eksponentë të krimit të organizuar, në mënyrë që ata të nxisin krime elektorale, në përpjekje për të blerë votën e njerëzve.
Deklarata e plotë e Gazmend Bardhit mbi ngjarjen
Ajo që ka ndodhur sot është drejtpërsëdrejti përgjegjësi e Taulant Ballës, u shpreh Bardhi. Angazhimi i eksponentëve të krimit të organiuar në zgjedhje dhe nxitja për të kryer krime elektorale, është përgjegjësi vetëm e tij. Ai po bën çdo gjë të paligjshme që të ruajë privilegjet dhe pushtetin e tij personal. Taulant Balla, në dëshpërmin e humbjes, po bashkëpunon me bandat e tij në përpjekje për të organizuar zgjedhje si ato të kaluarat, bashkë me strukturat kriminale të blerjes së votës.
Sot kur morëm informacione të sigurta që një automjet pa targa, po lëvizte në lagjen “5 maji”, e drejtuar nga një person i quajtur Met Dafllaku, dhe në mes të ditës, në mes të lagjes, në mënyrë demonstrative, në sytë e policisë së shtetit, po shpërndante para’ në këmbim të votave dhe po mblidhte karta identiteti. Menjëherë njoftuam strukturat e mbrojtjes së votës, të shkonin për të verifikuar informacionin. Strukturat e mbrojtjes së votës në degën e Partisë Demokratike Elbasan, kanë në përbërje ish punonjës të Policisë së Shtetit, të pastër dhe pa precedent penal. Pasi kjo njësi verifikoi informacionin, kërkuan menjëherë ndërhyrjen e Policisë së Shtetit. Është njoftuar drejtëpërsëdrejti drejtori i Policisë Vendore të Elbasanit.
Pas mbërritjeve të Policisë së Shtetit me në krye nëndrejtorin e Policisë, strukturat tona kanë kërkuar që policia të kryejë veprimet proceduriale, në përputhje me ligjin. Në kohën që Policia ka qenë duke kryer verifikimet përkatëse në ndihmë të shtetasit Met Dafllaku, që po shpërndante para’ në këmbim të votave, kanë ardhur disa persona të tjerë me disa makina, një pjesë prej të cilave të blinduara. Në to ndodheshin anëtarë të krimit të organizuar, që janë denoncuar nga ana jonë edhe në SPAK, si dhunues të qytetarëve të Elbasanit në Ditën e Verës.
Në këtë moment, në praninë e Policisë së Shtetit, në tentativën për të larguar makinën dhe personin që po blinte vota, një nga personat që dyshohet të jetë shtetasi Klement Xhaferri, por dhe shtetas të tjerë të paidentifikuar nga strukturat tona, kanë nxjerrë armët dhe kanë qëlluar në drejtim të anëtarëve të strukturës për mbrojtjen e votës. Aty kanë mbetur të plagosur Pavlo Vuksani dhe Emiliano Prenga, të dy ish punonjës të policisë së shtetit, pjesë e strukturës për mbrojtjen e votës në qarkun e Elbasanit. Në këtë moment ka pasur të shtëna me armë mes palëve.
Për këtë ngjarje të rëndë që cënon procesin elektoral, nxisim Prokurorinë të hetojë në mënyrë të plotë e transparente. Zona është e pajisur me kamera sigurie dhe pamjet mbi ngjarjen janë evidente dhe duhet të bëhen publike. Arbër Papleka nuk është shoqëruesi im, siç është deformuar në mendia. Une jam prej ditësh në fushatë i shoqëruar nga të rinjtë dhe ekipi im, dhe nuk kam pasur nevojë për badigard. Dhe po, ai është pjesë e strukturës për mbrojtjen e votës në qarkun e Elbasanit. Nuk është kriminel, nuk është vrasës është ish efektiv I policisë së Shtetit dhe ish shoqërues në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Për shkak të punës që kryen në këtë moment, ai disponon armë me leje nga Policia e Shtetit. Sipas infove tona, si njohës i ligjit, menjëherë pas ngjarjes, është dorëzuar vetë në polici, dhe është vendosur në dispozicion të organeve të drejtësisë. U bëj thirrje mbështetësve të PD-së të ruajnë qetësnë dhe të garantojnë zgjedhje të qeta të lira e të ndershme në qarkun e Elbasanit.