Ashtu siç edhe ishte parashikuar edhe prej IGJEUM, java që po lëmë pas u hapi dyert rreshjeve të dendura të shiut, të cilat po shkaktojnë vështirësi të mëdha dhe përmbytje në shumë zona të vendit.
Sipas Shërbimit Metereologjik Ushtarak, nga sot dhe deri ditën e hënë, në vend do të mbizotërojë moti i paqëndrueshëm, me rreshje shiu të cilat, hera-herës, do jenë në formën e shtrëngatave me rrufe. Ndërkaq, dëbora do të jetë pranishme në pjesën veriore dhe verilindore.
Nga tabelat e ofruara për këto tri ditë prej Shërbimit Metereologjik Ushtarak, vetëm ditën e sotme, dt. 9, rreshjet do të jenë në vlera mesatare në të gjithë vendin, ndërkohë që nesër dhe pasnesër priten që rreshjet e shiut të jenë në vlera të larta, kryesisht në zonat Kukës, Shkodër, Lezhë, Dibër, ndërkohë që më datë 11 janar, nga rreshjet me nivel të lartë, pritet të përfshihen edhe Tirana e Durrësi.