
Një statujë gjigante prej ari e Presidentit Donald Trump, e paraqitur nudo, është ekspozuar tashmë brenda një ndërtese të Parlamentit Evropian në Strasburg të Francës; artisti thotë se ajo shërben si një paralajmërim për dëmin që ai sheh në udhëheqjen e Trumpit.
Skulptura mban titullin “Murtaja Portokalli” (Orange Plague) dhe njihet gjithashtu si “Mbreti i Padrejtësisë”. Ajo është rreth 2,6 metra e lartë dhe e veshur me fletë ari 23-karatësh. Trump është paraqitur i ulur mbi supet e një burri më të vogël e të veshur, duke mbajtur peshoren e drejtësisë në njërën dorë dhe një shkop të gjatë golfi në tjetrën. Topi i golfit është krijuar në mënyrë që t’i ngjajë globit tokësor. Statuja ndodhet në një nga kalimet më të frekuentuara midis dy ndërtesave të Parlamentit.
Fjalët në piedestalin e saj thonë: “Jam ulur mbi shpinën e një burri. Ai po fundoset nën peshën time. Do të bëj gjithçka për ta ndihmuar. Përveçse të zbres nga shpina e tij.”

Artisti danez Jens Galschiot u frymëzua nga përralla e perandorit që parakalon nudo ndërsa të gjithë përreth kanë frikë ta thonë këtë, derisa më në fund një fëmijë e bën një gjë të tillë. Galschiot tha se Trumpi përfaqëson “një nga kërcënimet më të mëdha ndaj rendit botëror të bazuar në rregulla, vlerave demokratike dhe përpjekjes sonë të përbashkët për të zgjidhur krizën klimatike”.
Ekspozita organizohet nga Per Clausen, një eurodeputet danez nga grupi i së Majtës. Ai ka deklaruar se “nuk mund të pranojmë të jetojmë në frikë dhe vetëcensurë” dhe se nuk shqetësohet për mënyrën se si do të reagojë Trumpi. Sipas fjalëve të tij: “Nëse dikush është aq i ndjeshëm sa nuk e duron dot ekspozimin e kësaj skulpture në Parlamentin Evropian, atëherë nuk e ka vendin në skenën botërore.”
Statuja do të qëndrojë në Strasburg deri të enjten. Më pas, ajo pritet të dërgohet në konferencën e Kombeve të Bashkuara për klimën, të njohur si COP31, që do të mbahet në Turqi muajin e ardhshëm.

