
August Hanning dyshohet se siguroi mbi dy mijë dokumente të klasifikuara nga një ish-bashkëpunëtor, për t’ua rishitur ato klientëve privatë dhe agjencive të huaja të sigurisë.
Mga mediet e huaja, raportohet se ai mori më shumë se dy mijë dokumente – shumë prej të cilave të klasifikuara ose tepër sekrete – dhe më pas ua “rishiti” informacionin klientëve të ndryshëm tek të cilët punonte si konsulent privat.
Për dymbëdhjetë vjet, August Hanning – i cili drejtoi Agjencinë gjermane të Inteligjencës së Jashtme (BND) nga viti 1998 deri në 2005 – shfrytëzoi miqësinë me Manfred D., ish-shefin e tij të zyrës, për të siguruar dosje sekrete të inteligjencës. Sipas zyrës së prokurorit federal, ky bashkëpunim bëri që, të paktën në një rast, Hanning të përdorte informacione të klasifikuara, për një “agjenci të huaj të inteligjencës dhe sigurisë”. Der Spiegel raporton se klientët ishin shërbimet e inteligjencës së Azerbajxhanit.

Bashkëpunimi me Manfred D. dhe qarkullimi i dokumenteve: I përballur me akuza për spiunazh dhe tentativë për tradhti, 80-vjeçari Hanning u arrestua të martën në mëngjes, për një çështje që mund të rezultojë si një nga shkeljet më të rënda të sigurisë kombëtare në historinë gjermane, që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Hetuesit deklarojnë se kontaktet fillestare midis ish-kreut të BND-së dhe Manfred D. nisën në pranverën e vitit 2010, kur oficeri i inteligjencës premtoi t’i siguronte Hanning-ut informacionin e brendshëm të BND-së në këmbim të parave. Manfred D. arriti ta luante shumë mirë rolin e “spiunit të infiltruar” , pasi kishte shërbyer për një kohë të gjatë si shef zyre për disa presidentë të BND-së. Kështu, ai mund të futej lirisht në shumë dokumente të klasifikuara, veçanërisht në ato që kishin të bënin me të ashtuquajturën “situatë të shërbimeve të inteligjencës”, të destinuara për Kancelarinë Federale. Manfred D. akuzohet për bashkëpunim në tentativë për tradhti e spiunazh në favor të një fuqie të huaj.
Këto dosje “tepër sekrete” thuhet se janë përdorur nga August Hanning për punën e tij private si konsulent, të cilën e nisi pasi u largua nga Bundesnachrichtendienst (BND) dhe pasi kishte mbajtur poste të ndryshme politike, përfshirë atë të Sekretarit të Shtetit në Ministrinë Federale të Brendshme. Hanning dyshohet se përfshiu disa nga dokumentet e siguruara në një vlerësim të destinuar për një zyrtar të një shërbimi të huaj të inteligjencës, e sipas informacioneve të mbledhura nga shtypi gjerman, bëhet fjalë për Azerbajxhanin. Ky është një vend me të cilin Hanning ka lidhje të ngushta; ai madje figuron në listën e ish-anëtarëve të bordit të Forumit Gjermano-Azerbajxhanas.
Ish-kreu i BND-së gjithashtu thuhet se ka mbajtur një “shkëmbim intensiv” për disa vite me radhë me një anëtar të një shërbimi tjetër të huaj të inteligjencës, të cilit i ka ofruar informacione politike. Për BND-në, ky skandal vjen në momentin më të keq të mundshëm, pasi qeveria ishte në prag të dhënies së kompetencave të reja të rëndësishme agjencisë për të kundërshtuar Moskën – konkretisht, autoritet shumë më të gjerë për të kryer akte sabotimi, operacione ofensive kibernetike dhe aktivitete më agresive spiunazhi.
August Hanning, ish-kreu i Bundesnachrichtendienst (BND) – shërbimit gjerman të inteligjencës së jashtme – u ndalua mëngjesin e djeshëm me akuza për spiunazh, sipas gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung. Përveç Hanning-ut, u arrestua edhe një ish-bashkëpunëtor i tij i ngushtë, i identifikuar vetëm si Manfred D.
Hanning e drejtoi BND-në nga viti 1998 deri në vitin 2005. Më pas, ai mbajti poste të larta në aparatin gjerman të sigurisë, duke shërbyer si Sekretar Shteti në Ministrinë Federale të Brendshme deri në fund të vitit 2009.

