
Për shkak të nevojës për të konsumuar sasi të mëdha uji (për të parandaluar dehidratimin në lartësi të mëdha), alpinistët dhe udhërrëfyesit nxjerrin mbi 6,000 litra urinë në ditë, një pjesë e madhe e së cilës derdhet drejtpërdrejt në sipërfaqen e akullnajës.
Ndryshimet klimatike janë njëri faktor, por edhe urina njerëzore kontribuon në shkrirjen e akullit.
Një studim i ri ndërkombëtar – i cituar nga The New York Times dhe i botuar në revistën Regional Environmental Change – thekson se si nxehtësia e krijuar nga urina e alpinistëve ka kontribuar në humbjen e rreth 154 tonëve akull në akullnajën Khumbu, rrëzë të malit Everest në Nepalin verilindor. Sipas ekipit kërkimor, gjatë sezonit 50-ditor të ngjitjes në pranverën e vitit 2023, rreth 1,600 tenda në Kampin Bazë përdorën 824 bombola gazi, 18,935 litra vajguri dhe 5,130 litra benzinë për gatim, ngrohje dhe prodhim energjie elektrike. Ky karburant gjeneroi një sasi të konsiderueshme nxehtësie. Kur shtohet edhe nxehtësia e prodhuar nga urina e alpinistëve dhe e stafit të Kampit Bazë, energjia totale e gjeneruar vlerësohet në 849,174 megaxhul (MJ). Kjo përputhet me të dhënat që tregojnë se shkalla e humbjes së akullit në akullnajat e Everestit është dyfishuar pothuajse që nga viti 2009.
Të dhënat
Në dekadat e fundit, mali më i lartë në botë është bërë një nga destinacionet më të kërkuara për alpinistët. Kampi Bazë në anën nepaleze, i vendosur në një lartësi prej 5,364 metrash (në rrëzë të akullnajës Khumbu), mund të strehojë deri në 2,000 njerëz njëkohësisht. Analiza e të dhënave satelitore Landsat nga viti 1991 deri në 2023 tregon se temperaturat sipërfaqësore në zonën e Kampit Bazë të Everestit janë rritur mesatarisht me 0.28 gradë Celsius në vit – afërsisht dyfishi i shkallës së rritjes së temperaturës së regjistruar në zonën e afërt të akullnajës. Kjo ndodh pjesërisht për shkak të nxehtësisë së gjeneruar nga aktivitetet njerëzore, duke filluar nga ngrohja dhe ndriçimi e deri te gatimi dhe… urina. Meqenëse u duhet të konsumojnë sasi të mëdha uji për të parandaluar dehidratimin në lartësi të mëdha, alpinistët dhe udhërrëfyesit nxjerrin mbi 6.000 litra urinë në ditë, një pjesë e madhe e së cilës derdhet drejtpërdrejt mbi sipërfaqen e akullnajës.

