
Një skandal i ri korrupsioni po trondit Ukrainën dhe po godet në zemër presidencën.
Presidenti Volodymyr Zelensky (i cili nuk është i përfshirë drejtpërdrejt), ndërhyri menjëherë duke larguar nga detyra zv.shefen e stafit, Iryna Mudra, e cila u përfshi në hetim.
Vetëm pak orë pas një kontrolli të kryer nga agjencia kundër korrupsionit NABU, ish-zv.shefja e zyrës presidenciale u arrestua – ndonëse avokati i saj e mohon këtë fakt.
Lajmi u bë i ditur në Telegram nga deputeti ukrainas Alexey Goncharenko dhe u raportua nga media ukrainase RBC.
Më herët atë mëngjes, NABU dhe prokuroria e specializuar (SAP) kishin njoftuar për një “operacion të posaçëm për shkatërrimin e një organizate kriminale” të dyshuar për pastrim parash; grupi dyshohet se vepronte nën drejtimin e një deputeti aktual dhe një ish-ligjvënësi, “me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të presidencës ukrainase dhe individëve të tjerë”. Ky hetim i ri vjen në një periudhë tensioni të lartë politik, pas thirrjes së ish-ministrit të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, për t’iu rikthyer zgjedhjeve pavarësisht luftës në vazhdim.
Hetimi kundër korrupsionit: Sipas NABU-s, individët e përfshirë në hetim dyshohet se kanë pastruar 150 milionë hrivna (rreth 2.8 milionë euro) për të paguar garancinë pasurore të një të pandehuri në një çështje tjetër të madhe korrupsioni. Kjo e fundit kishte të bënte me një skemë të gjerë përvetësimi fondesh në sektorin e energjisë, e cila vitin e kaluar çoi në dorëheqjen e ministrave të Drejtësisë dhe Energjisë, si dhe në largimin nga presidenca të Andriy Yermakut – ish-bashkëpunëtorit më të ngushtë të Zelenskyt. Hetuesit besojnë se skema drejtohej nga biznesmeni Timur Mindich, një mik i presidentit, i cili aktualisht ndodhet jashtë vendit dhe në arrati. Kështu, Mudra është ndër personat e përfshirë në operacionin e nisur nga NABU kundër një grupi të dyshuar për pastrim parash. Megjithatë, avokati i saj, Artem Krykun-Trush, e mohon arrestimin.
“Raportimet se Iryna Mudra është arrestuar nuk janë të vërteta,” deklaroi avokati Artem Krykun-Trush, sipas agjencisë ukrainase të lajmeve UNN; kjo deklaratë pasoi një raportim të “Interfax Ukraine” – që citonte informacione të përhapura nga deputeti Oleksiy Honcharenko – ku pretendohej se ish-zëvendësshefja e kabinetit të Zelenskyt ishte arrestuar.
Emërime të reja nga qeveria e Kievit: Ndërkohë, parlamenti ukrainas ka miratuar emërimin e Andrii Sybiha-s si Ministër të Jashtëm dhe të Yevhenii Khmara-s si Ministër të Mbrojtjes, me propozim të Presidentit Zelensky. Pas thirrjeve për zgjedhje, ish-Ministri i Mbrojtjes Mykhailo Fedorov po shqyrton mundësinë e një vizite në Shtetet e Bashkuara, sipas zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas të njohur me çështjen, të cilët folën për gazetën Kyiv Independent. Vizita, e cila mund të realizohet që javën e ardhshme, vjen në një kohë kur Fedorov po shfaqet gjithnjë e më shumë si një kritik i zëshëm i sistemit politik ukrainas të krijuar gjatë luftës. Dje, ai i bëri thirrje Ukrainës të gjejë një mënyrë për të rivendosur një proces të plotë demokratik – edhe ndërsa pritet përfundimi i konfliktit – dhe kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

