E hënë, 24 Gusht, 2026
Bota

Nord Stream 2/ Putin reagon ashpër ndaj kritikave të kryeministrit polak Donald Tusk

· 4 min lexim
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

.
Presidenti rus Vladimir Putin ka pohuar se kundërshtimi i gjatë i Polonisë për tubacionet Nord Stream, ka qenë kryesisht një ankesë ekonomike, duke deklaruar se Varshava u tremb nga humbja e parave kur gazi rus filloi të anashkalonte atë.

Tubacionet, të cilat u përdorën për të lidhur rrjetet e gazit natyror të Rusisë me të Gjermanisë deri në pushtimin e Ukrainës në vitin 2022, u dëmtuan ndjeshëm gjatë një sulmi sabotazhi po atë vit.

Putini i bëri këto komente pasi kryeministri polak Donald Tusk, i bëri thirrje Gjermanisë të mos i ndiqte penalisht të dyshuarit e akuzuar për sabotimin e tubacioneve. Tusk tha javën e kaluar se ata që “duhet të turpërohen janë ata që ndërtuan Nord Stream 2 – më i riu nga të dy linjat – jo ata që e pamundësuan atë”, duke sjellë në vëmendje kundërshtimin që ka pasur Polonia ndaj projektit për shumë vite.

Duke folur për televizionin shtetëror të Rusisë, Putini iu kundërpërgjigj, duke pretenduar se motivet e Polonisë ishin çështje “qëndrueshmërie ekonomike”, e duke treguar po ashtu edhe humbjen e pozicionit të saj si një vend potencial tranziti gazi. për shkak se një alternativë e mundshme tokësore për kalimin e Nord Stream përmes Polonisë, ka qenë në shqyrtim për disa vite para se projekti nënujor të merrte dritën jeshile.

Kundërshtimi i gjatë i Polonisë

Megjithatë, versioni i ngjarjeve i Putinit, lë jashtë një argument qendror të përsëritur nga qeveritë polake: se lejimi i Rusisë për të furnizuar Evropën Perëndimore, do të rriste varësinë evropiane nga energjia ruse dhe do t’i jepte Moskës një ndikim më të madh ekonomik dhe politik. Duke folur me gazetarët javën e kaluar, Tusk – i cili ka qenë kryeministër polak edhe më herë midis viteve 2007 dhe 2014 – tha se Polonia e kishte kundërshtuar prej kohësh projektin Nord Stream 2 dhe kishte bërë gjithçka që mundej për të parandaluar ndërtimin e tij.

“Gjermania kishte tjetër mendim atë kohë. Ata ndryshuan mendje, por shumë vonë”, u shpreh ai. Polonia e kundërshtoi projektin fillestar të “Nord Stream” para, gjatë dhe pas mandatit të parë të Tuskut si kryeministër.

Në vitin 2008, pas pushtimit të Gjeorgjisë nga Rusia, Tusku bëri thirrje për rishqyrtimin e projektit “Nord Stream”, duke deklaruar se ishte kundër rritjes së varësisë nga Rusia dhe duke argumentuar se nevojiteshin burime alternative të energjisë, në mënyrë që Moska të mos mund të ushtronte presion mbi Evropën.

Pretendimet e rreme të Putinit

Duke diskutuar mbi këtë çështje në mediat shtetërore ruse, Putini duket se paraqiti gabim rrjedhën e ngjarjeve. Udhëheqësi autoritar u shpreh se Tusku ka qenë kryeministër i Polonisë gjatë fazës së përgatitjes dhe ndërtimit të “Nord Stream 2”. Megjithatë, Tusku u largua nga posti për herë të parë në vitin 2014, ndërsa “Nord Stream 2” u publikuar zyrtarisht në vitin 2015 dhe ndërtimi i tij filloi në vitin 2018.

Komentet e Tuskut javën e kaluar, erdhën pas arrestimit në Kroaci të një shtetasi ukrainas, i dyshuar për pjesëmarrje në sabotimin e gazsjellësve në vitin 2022. I dyshuari, i identifikuar si Vladimir Z., kërkohej në bazë të një Urdhri Evropian Arrestimi, lëshuar nga Gjermania. Prokurorët gjermanë kanë ngritur gjithashtu akuza ndaj një ish-oficeri ushtarak ukrainas, identifikuar si Serhii K., të cilin e akuzojnë se ka udhëhequr grupin që kreu sulmin. Tusku u tha gazetarëve se “Gjermania nuk duhet t’i ndjekë penalisht ata që, në një situatë kur vendi i tyre është sulmuar, ndërmarrin një veprim apo një tjetër”.

“Nuk do ta ndryshoj mendimin tim për këtë çështje dhe besoj se në siklet duhet të ndihen ata që e ndërtuan këtë gazsjellës dhe jo ata që e nxorën atë jashtë funksionit.”

Pavarësisht kundërshtimit ndaj “Nord Stream”, krahu i djathtë politik i Polonisë e ka akuzuar prej kohësh Tuskun, se nuk e ka bërë këtë me forcën e duhur, duke argumentuar se qeveria e tij ka qenë tepër tolerante ndaj Rusisë dhe Gjermanisë, edhe pse e ruajti qëndrimin zyrtar kundërshtues të Polonisë ndaj projektit.

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top