E enjte, 18 Qershor, 2026
Microgreen

Pema e Vitit të Ri (antipastë Krishtlindjesh &Viti i Ri)

· 2 min lexim
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

Për 6 deri 8 persona

  • Proshutë e pjekur e prerë, 100 gr
  • Gjizë pa kripë ose rikota, 100 gr
  • Ullinj pa farë, të prerë, 15 gr
  • Pesto borziloku, 20 gr
  • E verdha e një veze
  • Djathë skamorca i tymosur, i grirë, 50 gr
  • Pete sfoliatë, 1 copë

Për të përgatitur këtë antipastë të bukur dhe të shijshme, hapim në tryezë  petën sfoliatë, të cilën e kemi lënë të shkrijë plotësisht (që të mos ngjitet, shtrojmë pak miell poshtë saj).

Duke u barazlarguar nga të katër anët, shënojmë lehtë (pa e prerë petën), një trekëndësh me bazë 15 cm dhe lartësi 24 cm.

Përgatisim mbushjen, duke përzierë së bashku të gjithë përbërësit, gjizën, proshutën e prerë imët ose me kuba të vegjël, ullinjtë dhe  peston, të cilën e shtrojmë brenda trekëndëshit të shënuar në fillim.

I shtojmë sipër skamorcën, të cilën mund ta zëvendësojmë edhe me djath kackavall të butë lope.

Duke filluar nga kulmi i trekëndëshit, në drejtim të anëve të petës sfoliatë, presim me 9 rripa në drejtim të bazës së trekëndeshit nga secila anë, duke lënë bazën me të trashë për të mbyllur pjesën e trungut të pemës.

E mbyllim pemën duke ndërthurur një rrip nga e majta,  një nga e djatha, e duke i mbivendosur të gjithë rripat.

Mbushim edhe pjesën e trungut me pak pesto, proshutë dhe skamorca. I palosim të dyja anët e trungut njëra mbi tjetrën dhe e mbyllim bazën me pirun, që të mos dalë mbushja.

Rrahim të verdhën e vezës dhe me të lyejmë pemën tonë.

Për dekor mund të përdorim disa toptha të përgatitura nga mbetjet e brumit sfoliatë. E vendosim në një tepsi me letër furre, dhe e fusim në furrë me ventilim të paranxehur në temperature 185 °,  për 25 minuta, ose 195° në furrë statike për 25 minuta.

E zbukurojmë sipas dëshirës, me ullinj të mbushur, me speca të prerë në feta, rripa proshute, piper të kuq, etj.

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top