E hënë, 8 Qershor, 2026
Intervista

Datëlindja e Lasgushit. E bija Maria rrëfen kujtimet

· 4 min lexim
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit
Në foto, Marie Poradeci me të atin, poetin Lasgush Poradeci (fotot janë marrë nga arkivi i Maries)

Të bisedosh me Marie Poradecin është përherë kënaqësi. E dashur, e thjeshtë dhe me mirësinë që të ngroh në çdo fjalë, ajo të prin drejt kujtimeve me shkrimtarin e madh, atin e saj të vyer, poetin Lasgush Poradeci.

Dje Lasgush Poradeci kishte përvjetorin e 121 të lindjes, një përvjetor, i cili në fakt, në këtë vit të vështirë që po lëmë pas, na nxit jo vetëm t’u kthehemi edhe një herë vargjeve të tija për t’u përkundur në muzikalitetin e tyre të papërsëritshëm në letrat shqipe,  por edhe për shijuar sërish e pafundësisht, një dashuri më të fshehtë se dashuria, për të kapërcyer veten përmes një dashurie me llaftari, për t’u ngitur gjer tek yjet si fingjill/ Që vërtiten palë-palë/, buzë liqerit të qetë, që buçet! që, ah!, kur e sjell ndërmend, as rroj as vdes, po jam pa mend.

Marie, –  e pyes, – si ndihesh në këtë përvjetor ditëlindjeje të babait?

– Siç ndihen të tërë fëmijët, kur baballarët u kanë ditëlindjen, – ma kthen.

Po, por Lasgushi ka qenë një baba ndryshe, një baba që ka bërë histori në letërsinë shqipe. Ke mbresa me të nga ditëlindjet? I festonte?

– Jo, jo, në shtëpinë tonë s’kemi festuar kurrë ditëlindje, vetëm ditën e emrit. Babai festonte një javë para Pashkës së Madhe kur ishte Shën Llazari, motra më 21 maj kur qe Shën Konstandini dhe unë më 15 gusht, kur ishte Shën Maria.

– Po dhurata e dashur, i bënit? Çfarë pëlqente?

– Sigurisht, im atë ishte shumë fisnik, i çmonte dhuratat. Dhurata të preferuara nuk kishte, por bënte dhurata që të gëzonin në shpirt.

Çfarë ndërmend ti?

– Më kujtohet një herë, unë dhe motra i kërkuam shtiza për të bërë triko. Unë ia kërkova të kuqe dhe Kostandina të verdha. U gëzua jashtëzakonisht. Sepse thoshte m’u rritën çupat. Dhe na i bleu. Na i vendosi te koka e krevatit, dhe kur u ngritëm në mëngjes, i gjetëm. Çfarë gëzimi!

– Po brenga e dashur, kishte babai? Ditët e lindjeve janë ditë gëzimi, por ndonjëherë edhe ditë bilancesh…

– Kishte plot. Ka një poezi të pabotuar ku thotë:

E në dhembjet venë e vinë,

Tërë dhembje, tërë lot,

Kush ma diti poezinë,

Brengat nuk mi diti dot.

Ti i kujton të tëra poezitë e babait , e dashur?

– Ky është një variant i poezisë ‘Kur nuk ndjehesh fare mirë’. Në fillim babai e ka quajtur ‘Dy Sokratët’. Njëri qe Sokrati i Greqisë dhe tjetri Sokrati që punonte në mencën e studentëve ku hante dhe babai, në Bukuresht. Ky Sokrat, e ndihmonte me ushqim, sepse qe një kohë kur babai nuk kishte bursë dhe punonte punë të ndryshme për të vazhduar shkollën, – përgjigjet Maria, e cila, si dhuratë për të tërë ne, në këtë 121 përvjetor të lindjes së poetit të madh, na risjell këtë poezi tijën.

Ç’punë bëj e ku kam lerë,

Në kam nënë e strofkë e atë,

Në kuvendin e përzierë,

Pate pyetur, o Sokrat.

Më pat’ lindur vendi i Zotit,

Shes gazeta për studim,

Dhe për prind, o sytë e mija

Ç’lagi kaq me mallëngjim

Qoftë e ëmbël si një çupë,

Qoftë plot me vrer e gjak,

Do ta pi të shkretën kupë,

Siç e piu Sokrati plak.

E në dhembjet venë e vinë,

Tërë dhembje tërë lot,

Kush ma diti poezinë

Brengat nuk m’i diti dot.

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top