
Ka përfunduar mbledhja e jashtëzakonshme e Gjyqtarëve, e thirrur për situatën e krijuar nga bllokimi i pagave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore.
Në përfundim të mbledhjes, gjyqtarët kanë kërkuar zbatimin e menjëhershëm të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe zhbllokimin e pagave, duke paralajmëruar përshkallëzim të masave nëse institucionet përgjegjëse nuk veprojnë.
Në deklaratën e tyre, gjyqtarët theksojnë se çështja nuk është një mosmarrëveshje e zakonshme financiare, por lidhet drejtpërdrejt me respektimin e Kushtetutës, pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe autoritetin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tyre, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe i detyrueshëm për zbatim.
“Situata e krijuar nuk përbën një mosmarrëveshje të zakonshme financiare dhe as një konflikt për privilegje. Ajo prek drejtpërdrejt autoritetin e Kushtetutës, forcën detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe funksionimin e rregullt të gjykatave. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15/2026 është përfundimtar dhe i detyrueshëm për zbatim. Asnjë organ shtetëror nuk mund t’i pezullojë, kushtëzojë ose neutralizojë efektet e tij me akt administrativ, me interpretim financiar apo me mosveprim”, thuhet në deklaratën përfundimtare.
Në deklaratën e tyre, gjyqtarët e lidhin drejtpërdrejt pagën me pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Sipas tyre, paga e gjyqtarit është pjesë e statusit kushtetues.
“Paga e gjyqtarit është pjesë e statusit kushtetues dhe garanci konkrete e pavarësisë në ushtrimin e funksionit. Ajo nuk është favor i ekzekutivit, shpërblim që jepet sipas vlerësimit të tij apo instrument për të shprehur miratim ose pakënaqësi ndaj vendimmarrjes gjyqësore. Mbrojtja e kësaj garancie nuk i shërben vetëm gjyqtarit; ajo mbron qytetarin, i cili ka të drejtë të gjykohet nga një gjyqtar i pavarur nga çdo pushtet tjetër”, theksohet në deklaratë.
Në fund të deklaratës, gjyqtarët paralajmërojnë se, nëse institucionet përgjegjëse nuk veprojnë menjëherë për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe pagesën e pagave, masat do të përshkallëzohen.
Sipas tyre, kjo mund të shkojë deri në reduktimin dhe kufizimin e përkohshëm të veprimtarisë gjyqësore, duke u fokusuar vetëm te çështjet urgjente dhe ato që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme të gjykatës.
“Në rast se nuk veprohet menjëherë nga institucionet përgjegjëse për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ekzekutimin e pagave, masat e ndërmarra nga pushteti gjyqësor do të përshkallëzohen deri në reduktimin dhe kufizimin përkohësisht të veprimtarisë gjyqësore, vetëm në shqyrtimin e çështjeve me natyrë urgjente dhe që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme gjyqësore”, theksojnë gjyqtarët.

