
Fondi Kombëtar i Strehimit do të jetë mekanizmi i ri përmes të cilit qeveria synon të menaxhojë politikat e strehimit në vend. Kryeministri Edi Rama tha se fondi do të mbëledhë të ardhurat nga të gjitha bashkitë sipas kontributit të tyre dhe se do bashkëpunojë me Entin Kombëtar të Banesave dhe kompanitë publike, duke ndryshuar mënyrën e ndërhyrjes së shtetit në sektorin e strehimit.
“Do të krijohet Fondi Kombëtar i Strehimit dhe ai do t’i mbledhë të gjitha. Bashkitë, sipas kontributit të tyre, do të bashkëpunojnë me Fondin Kombëtar, Entin e Banesave dhe kompanitë publike. Nuk do të bëjë tendera siç ka bërë deri më sot, por do të bëjë partneritete, do të ndërtojë, do të nxjerrë fitim për shtetin dhe do ta riinvestojë”, tha Rama.
Sipas Ramës, modeli i ri synon që fondet dhe asetet publike të përdoren në mënyrë më të strukturuar për krijimin e banesave të përballueshme.
Në vend të modelit tradicional të tenderëve, qeveria synon të përdorë partneritete dhe kompani publike, me qëllim që fitimet të rikthehen sërish në sektorin e strehimit.
“Ne kemi hyrë në një fazë të re të shtetndërtimit ku kemi ndërtuar kompani publike që nuk ekzistonin. Dhe pikërisht këto kompani do të jenë pjesë e këtij mekanizmi të ri, së bashku me bashkitë dhe Fondin Kombëtar të Strehimit”, tha Rama.
Fondi do të jetë pjesë e paketës së re të politikave të strehimit, e cila përfshin edhe kredi të buta për çiftet e reja dhe qira të subvencionuara.
“Në nëntor hapet thirrja për 4000 kredi të buta për çiftet e reja në 2027, ku 2000 kredi do të jenë me interes 0% për apartamentet nën 60 mijë euro dhe 2000 kredi të tjera me interes 3% për apartamentet mbi 60 mijë euro. Tavani i të ardhurave do të rritet në 2700 euro, që është mbi pagën mesatare të dy bashkëshortëve në sektorin publik apo privat. Këta njerëz, që janë shtresa e re e mesme e vendit, duhen mbështetur. Vijmë te politika 2, që janë 3000 çelësa të tjerë me qira të subvencionuara me 50%. Këtu flitet për një apartament me qira me tavan 400 euro, nga të cilat 200 euro t’i subvencionojë shteti. Kemi politikat e banesave të përballueshme”, tha Rama.

