Sherri nisi fillimisht për një kafe në lokal. 21-vjeçari Daniel Pepa debaton me kamarierin për kafen. Ndërhyn 33-vjeçari Flori Paluçi, ky nxjerr armën dhe vret Aranit Kurtin që shoqëronte Pepën. Më pas ky i fundit, shkon e merr armën në makinë dhe vret Paluçin. 7 të shoqëruar në polici.
DURRËS – Një debat me kamarierin për një kafe në një lokal ka përfunduar me dy të vrarë në Manëz. Ngjarja e rëndë u shënua pranë një karburanti rreth orës 01:45, ku 33-vjeçari Flori Paluçi ka vrarë me armë zjarri 23-vjeçarin Aranit Kurti. Më pas ndaj 33-vjeçarit ka qëlluar një 21-vjeçari Daniel Pepa, duke e lënë të vdekur. 21-vjeçari është shpallur në kërkim, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje.
Në polici janë shoqëruar 7 persona, të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, Daniel Pepa së bashku me Aranit Kurtin kanë shkuar në lokal dhe Danieli i ka kërkuar kamarierit të lokalit që t’i bënte një kafe. Kamarieri i është përgjigjur që ekspresi ishte i fikur dhe se nuk mund të bënte kafe.
Më pas, sipas informacioneve, Danieli i ka kërkuar që ta ndizte ekspresin duke përdorur edhe fjalë fyese në drejtim të kamarierit. Aty ka ndërhyrë Flori Paluçi, i cili i ka thënë se nuk mund ta fyejë kamarierin, pasi është ulur në tavolinë me të. Pas këtij momenti kanë nisur debatet verbale mes tyre dhe kanë degjeneruar deri në përdorimin e armës së zjarrit. Sipas dinamikës paraprake, i pari që ka qëlluar është Flori Paluçi, i cili ka vrarë Aranit Kurtin, dhe më pas Daniel Pepa ka qëlluar duke lënë të vrarë Paluçin.
Kamarieri, i shokuar, ka dëshmuar se Daniel Pepa i ka kërkuar kafe por i është shprehur se ekspresi është i fikur, pastruar dhe se duhen disa minuta që të ngrohet për të bërë kafe. Ai thotë se ndërsa ka vazhduar të qëndrojë në tavolinë me Flori Paluçin, Danieli ka këmbëngulur dhe i ka kërkuar duke e ofenduar që të ndezë ekspresin. Më pas ka ndërhyrë Paluçi dhe ka nisur konflikti.
“Rreth orës 01:45 të datës 22.10.2025, në Manëz, pranë një karburanti, pas një konflikti dyshohet për motive të dobta, kanë mbetur të vrarë me armë zjarri shtetasit A. K., 23 vjeç, dhe F. P., 33 vjeç, të dy banues në Manëz.
Nga veprimet e para hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, dyshohet se shtetasi F. P. është vrarë me armë zjarri nga shtetasi D. P., 21 vjeç, banues në Manëz, ndërsa shtetasi A. K. dyshohet se është vrarë nga shtetasi F. P. Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet intensive për kapjen e shtetasit D. P.
Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, po vijon punën në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe administrimin e çdo prove, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të rastit.”, njofton policia.
33-vjeçari Flori Paluçi është skeduar më parë nga autoritetet italiane i akuzuar për grabitje me dhunë. Përgjatë viteve 2014-2015, Paluçi ka qenë pjesë e një bande të përbërë nga 6 sicilianë, të cilët si metodë identifikuese të punës së tyre, kishin hapjen e një vrime në muret e biznesëve që piketonin për të grabitur.
Paluçi u arrestua në vitin 2015, ndërsa prokurori e përshkruante bandën si shumë të dhunshme, veprime të cilat kërkojnë ndjekje të rënda penale.