E shtunë, 25 Korrik, 2026
Politikë

Përplasje në mbledhjen e socialistëve/ Rama kritika ministrave dhe deputetëve, Braçe largohet nga takimi

· 2 min lexim
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

Një debat i fortë mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Erion Braçe ka shoqëruar mbledhjen e përbashkët të qeverisë me grupin parlamentar të Partisë Socialiste këtë të premte. Pas replikave mes tyre, Braçe ka zgjedhur të largohet nga mbledhja në mënyrë demonstrative.

Përpara reflektimeve të kryeministrit Rama për protestën e flamingove, takimi me dyer të mbyllura është shoqëruar me një situatë të tensionuar, ku mes kreut të qeverisë dhe deputetit Erion Braçe ka pasur një përplasje të fortë verbale.

Gjatë diskutimeve, Rama ka përsëritur kritikat ndaj disa anëtarëve të kabinetit dhe deputetëve për mënyrën e komunikimit dhe qasjen e tyre publike.

Kryeministri ka kritikuar ministrin e Brendshëm për mënyrën e menaxhimit të protestave, ndërsa ndaj ministrit të Bujqësisë ka ngritur rastin e një qytetari, të cilit, sipas tij, kërkesa për një investim i ishte lënë pa përgjigje për tre vite.

Ndaj deputetëve, Rama ka kërkuar që shqetësimet dhe diskutimet që bëhen në ambiente të mbyllura apo në tavolina të shpreheshin edhe në mbledhje.

Gjithashtu, ai është rikthyer te kritikat për atë që e ka cilësuar si “luftë bërrylash” brenda Partisë Socialiste, duke paralajmëruar se përplasjet e brendshme dëmtojnë imazhin e partisë.

“Të gjithë duhet ta kuptojnë se sulmet mes njëri-tjetrit nuk bëjnë gjë tjetër veçse ulin aksionet e ndërmarrjes sonë të përbashkët, e kësisoj edhe aksionet e secilit prej jush”, mësohet të ketë deklaruar Rama.

Sipas burimeve brenda grupit parlamentar, situata ka marrë një kthesë të papritur pas fjalës së deputetit Erion Braçe, e cila është pasuar nga një replikë e kryeministrit.

Debati më pas ka kaluar në një përplasje të ashpër verbale mes tyre, me tone të larta. Ndërhyrja e kreut të grupit parlamentar, Taulant Balla, i cili kërkoi një pushim, ka ndihmuar në qetësimin e situatës.

Pas kësaj, Erion Braçe ka vendosur të largohet nga mbledhja, në një veprim që u interpretua si demonstrativ

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top