
Eklipsi total diellor që përshkoi Hemisferën Veriore ka përfunduar, duke ofruar një spektakël të ndjekur nga mijëra njerëz.
Pasi kaloi mbi Alaskë, Rusinë Arktike, Grenlandë dhe Islandë, hija e Hënës përshkoi Spanjën veriore dhe Ishujt Baleare, duke e përfunduar udhëtimin e vet në Formentera para se të zhdukej mbi Mesdhe.
Për Evropën Perëndimore, ky ishte eklipsi i parë total diellor në 27 vjet.
Në Spanjë, ngjarja tërhoqi turma entuziastësh dhe spektatorësh; Madridi u zhyt në errësirë për më shumë se një minutë – një dukuri që nuk ishte parë aty që nga viti 1905. .
Ngjarja ofroi gjithashtu një mundësi të rëndësishme studimi për studiuesit dhe vëzhguesit ndërkombëtarë të astronomisë. Vëmendja tani zhvendoset te eklipsi tjetër total më 2 gusht 2027, i quajtur tashmë “eklipsi i shekullit” për shkak të kohëzgjatjes së tij të jashtëzakonshme.
ÇFARË ËSHTË NJË EKLIPS TOTAL?
Eklipsi diellor ndodh kur Hëna kalon drejtpërdrejt midis Diellit dhe Tokës, duke hedhur një brez të ngushtë hijeje mbi planetin tonë. Gjatë fazës së totalitetit, krijohet një atmosferë që të kujton muzgun, temperaturat bien dhe disa kafshë mund të ndryshojnë sjelljen e tyre. Ky fenomen bëhet i mundur falë një rastësie të jashtëzakonshme: Dielli është rreth 400 herë më i madh se Hëna, por ndodhet gjithashtu rreth 400 herë më larg Tokës. Si rrjedhim, për vëzhguesit që ndodhen në vendndodhjen e duhur, dy trupat qiellorë duken të ngjashëm në madhësi, duke i mundësuar Hënës të mbulojë plotësisht diskun diellor dhe të zbulojë kurorën– pjesën më të jashtme të atmosferës së Diellit.

