Përgatiti Albana Nexhipi Lekaj
Ajo quhet Olimpia Gargano dhe prej tri vitesh ka publikuar një studim mbi imazhin e Shqipërisë e shqiptarëve nga shekulli XVI-XIX, me titull “Au pays des skipetares”, publikuar në Francë më 2019-n nga botimet “Spinelle”, botim i cili pasoi studimet e saj doktorale po me të njëjtën temë, në Nisë të Francës.
Siç edhe e shpjegon vetë gjatë intervistës për MetropolPost.al, njohja e saj me Shqipërinë ka qenë tejet rastësore, por me gjasa një prej atyre rastësive fatlume, që të hapin shtigje e dritare drejt njohjes së të tjera botëve, kaq pranë e kaq larg njëkohësisht. E dritarja e hapur ishte ajo e Shqipërisë, që, për fatin e mirë tonin, na hedh dritë mbi një anë tejet të debatuar të Shqipërisë e shqiptarëve (mes vetes e në botë), atë të imazhit të tyre.
“Ajo që më tërheq nga puna ime, është që zbulohet kaq shumë mbi Shqipërinë”, shprehet Olimpia përgjatë intervistës së bashku, teksa rrëfen se Shqipëria nuk është aspak e panjohur siç rëndom pretendohet. “Domethënë”, vazhdon ajo, “aktualisht nuk jemi ndërgjegjësuar ende, se sa, e jo vetëm përsa i takon Evropës, por edhe Shqipërisë, se sa kultura, traditat shqiptare, kanë frymëzuar dhe vazhdojnë të frymëzojnë imagjinaren europiane. Them europiane, sepse studimet e mia, për çështje hapësire, janë përqendruar vetëm në imazhin e Shqipërisë aty”.
Imazhi i shqiptarëve, si na ka parë dhe si na sheh bota, është një temë që edhe personalisht e kam shumë për zemër, e kështu ngacmoj Olimpian se çfarë ka të re mbi imazhin e Shqipërisë e shqiptarëve, ndërkohë që ne (shtatë vite gjithësej), nuk jemi parë. Ajo ka ardhur në Shqipëri për një konferencë shkencore në Vlorë me temë “Shqipëria post-komuniste në shkrimet e udhëtarëve”, dhe pikërisht në kërkimet që ka bërë për të, i ka rezultuar edhe një tjetër risi: “Shqipëria vetëm zbulohet e rizbulohet, zbulohet e rizbulohet, e çdo kush që vjen për herë të parë këtu, mendon se e ka zbuluar vetë”, më thotë , gjë që sipas saj është shumë interesante, dhe tregon se sa pak njihet ende Shqipëria, pavarësisht se për të është shkruajtur shumë.
“Në seminarin e Vlorës, bëhej fjalë të shihej se si paraqitej imazhi i shqiptarëve dhe Shqipërisë në narrativën bashkëkohore, në periudhën paskomuniste”, rrëfen Olimpia. “Gjëja më e jashtëzakonshme, pra secila prej këtyre gazetave, se kërkimi shtrihej nëpër romane, blogje, tuiter, Instagram, postime fejbuku, etj, ishte se fjala më e përdorur që shoqëronte Shqipërinë, ishte “zbulimi”. Shumë blogje franceze shkruajnë “de couver del Albanie”! Po çfarë zbulimi? Domethënë, si mund të flasësh për zbulim të Shqipërisë? Nëse unë e zbuloj një vend për herë të parë, është zbulimi im, nuk është kolektive, por ndoshta kjo shet mirë, e në kuptimin e marketingut, edhe pse ka ende diçka. Mbase për një gazetë është mirë që “Shqipëria është për t’u zbuluar”, por ky nuk është realteti […]
Gjëja që për mua është e pabesueshme, është se duke nisur që prej Bajronit, por edhe më parë, Shqipëria është përshkuar gjatë e gjerë, kartografuar, përshkruar në detaje, ka studime etnografike, shto këtu edhe famshmen të preferuarën time, së cilës i kam publikuar edhe “Shqipërinë e Epërme”, High Albania, pra flas per Mari Edit Durhamin, e cila ka publikuar këtë libër të mrekullueshëm për Shqipërinë e Veriut. Domethënë, publikimet për Shqipërinë, si në letërsi, fikshën, nëpër ese, janë shteruese, ka një bibliografi shteruese, e pavarësisht kësaj, është një refren që përsëritet, të cilin studiuesi francez profesor Bernad Festfal, e që mua më duket iluminant si përcaktim, e ka clësuar si “paradoksi i Shqipërisë”. Paradoksi i Shqipërisë” sqaron Olimpia, “është që çdokush mendon se e zbulon për herë të parë”.
Dhe ja ku mbërrijmë në pikën e fillimit, mbi imazhin e një vendi që zbulohet e ribzbulohet, për t’u zbuluar e rizbuluar pafundësisht dhe në një pyetje që mua nuk më rrihet pa e bërë: a ka një identikit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. që studiuesja Olimpia Gargano ka mundur ta ndërtojë teksa ka qëmtuar përmes dokumenteve, që vijnë prej udhëtarëve të shekujve XVI e deri në XIX?
“Faleminderit për këtë pyetje” , vazhdon Olimpia, “që nxjerr në pah një nga aspektet, edhe pse në fushëm e imagologjisë nuk mund të flitet për një imazh në njëjës, sepse janë imazhet, pastaj natyrisht është një imazh që mbizotëron. Shqipëria konsiderohet ende si një vend ekzotik. Por çfarë është ajo që e bën ende ekzotike. Teoria ime, ajo që mund të vlejë nisur nga studimet e mia, janë sidomos dy faktorë që e bëjnë “ekzotike”, mes thonjëzave Shqipërinë. E para, uniciteti i saj gjuhësor, dhe u kujtojmë tërë atyre që na ndjekim, se gjuha shqiptare është një unikum në gjuhët europiane, kështu që udhëtarët mbeten disi të habitur, sepse ndërsa vendet e tjera europiane kanë lidhje me vendet sllave, me gjuhët neo-latine, shqipja godet me unicitetin e saj gjuhësor.
Një tjetër gjë që e ka karakterizuar tej mase ketë bërjen e saj ekzotike, është fakti që, duke qenë për 500 vjet nën sundimin otoman, është konsideruar dhe konsiderohet edhe sot, sidomos dhjetëvjeçarët e shkuar, jo se është, si një vend i islamit në Evropë. Por për këto që e njeh sado pak Shqipërinë, kjo të bën të qeshësh, sepse Shqipëria nuk është vetëm vendi i tolerancës, por edhe i integrimeve.
Për t’iu përgjigjes pyetjes tënde, “Si shihet Shqipëria”? Sipas meje, po zhduket më në fund imazhi, sepse ka qenë, nuk duhet fshehur, imazhi i shqiptarëve si të këqinj. Përse ky imazh? Sepse emigrmi sjell pasoja, e vala e parë e tij solli imazhin e shqiptarit që duhej t’i trembeshe .
Gjëja interesante nga pikëpamja e studimeve kompratiste, të imagologjisë, është që ky imazh ka ekzistuar edhe më parë. Kur Edith Duhram, në 1901-in, ajo ishte udhëtarja anlgleze par excellence, shkoi në Mal të Zi, Mali i Zi aso kohe ishte një vend i preferuar turistik, një Montekarlo e ditëve të sotme, ajo pa disa male të kaltra nga Mali i Zi, një imazh shumë i bukur, ku flet për këto male të kaltra tej tutje, dhe shumë kureshatare pyet, “Po ç’vend është ai?” . Dhe shoqëruesi i saj i thotë: “Ajo është Shqipëria, por aty nuk duhet të shkosh kurrë” . Reagimi i saj qe se ai ishte vendi ku do të shkonte vitin e ardhshëm Dhe që prej asaj kohe, kur perceptoi tërë këtë ndjesi armiqësie, ndjesi frike, ajo tha po, unë dua të shkoj në këtë vend. Dhe Edith Durham jo vetëm shkoi në Shqipëri, por ajo u bë një njeri shumë i dashur për ta, kam parë fotot e saj ngado, dhe në tërë ditaret e saj, nuk përshkroi sikur një fije frike për Shqipërinë dhe shqiptarët”, thotë mes të tjerave Olimpia, duke theksuar se imazhi i Shqipërisë dhe shqiptarëve, sa ç’varet prej këtyre të fundit, varet po aq edhe prej interesave (politike ose jo) të vendeve që përfshihen në studimin e shqiptarëve, të cilat ndikojnë shpesh edhe në mënyrën se si përshkruhet apo shihet Shqipëria dhe shqiptarët në një moment të caktuar. “Marrim rastin e Italisë, për shembull”, thotë , “kur Italia nisi politikat e saj koloniale, dhe Shqipëria ishte bregu më afër saj, shkrimet e etnografëve, studiuesëve, udhëtarëve, ndikoheshin ca nga nga politikat e regjimit. Por nëse do të duam të nxjerrim një të përbashkët të tërë autorëve, është fakti që të tërë nisen me pritshmëri disi frike, misteri, kurioziteti, për ta zbuluar këtë vend, pastaj mbërrijnë në Shqipëri dhe pushtohen prej ndjesisë së mikpritjes, që kthehet në një temë të përbashkët, në një “luogo commune” dhe ndjejnë se është shumë ndryshe nga imazhi që publicistika kishte ndërtuar mbi këtë Shqipërinë misterioze, si një vend nga i cili duhet të trembesh”, përfundon ajo, duke më dhënë kështu një farë shprese edhe mua, se Shqipëria e bukur dhe shqiptarët mikpritës të zbuluar rishtazi për të njëqindën herë, nuk do të humbasin më hullirave e politikave të mbrapshta të kohërave.
©Të tëra të drejtat e publikimit MetropolPost.al. Nuk lejohet botimi pa e cituar