Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se mazhoranca po përgatit një draft të ri të rregullores së Kuvendit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke u përpjekur të rregullojë çështjet e ngritura nga gjykata dhe të sigurojë funksionimin normal të komisioneve parlamentare.
“Ndryshimet janë menduar prej shumë kohësh, të ndara në disa elementë, apo disa qëllime të mira, që kanë të bëjnë me përmirësimin e punës së Kuvendit të Shqipërisë, qoftë sa i përket mbarëvajtjes dhe kohës efikase të diskutimeve në seancat plenare, që kanë të bëjnë me përmirësimin dhe rritjen e efikasitetit, të kontrollit parlamentar, me qëllimin e një përqasje me Parlamente të tjera europiane. Bëhet fjalë për një problematikë që lind pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por vetë gjykata i la kohë Kuvendit për të zgjidhur teknikat e punës së komisionit deri në hyrjen në fuqi të vendimit,” tha Balla.
Ai shtoi se në mungesë të dialogut konstruktiv, propozimet po merren nga mazhoranca, por synojnë që miratimi të bëhet sa më shumë me konsensus.
Sipas draftit të ri të rregullores së Kuvendit, PS kërkon reduktimin e kohës së fjalës së deputetëve nga 10 minuta në 5 minuta dhe se numri i komisioneve parlamentare të jetë nga 8 në 11. Sipas Ballës, 5 minuta janë të mjaftueshme për të shprehur qëndrimin politik të deputetëve.
“Në mungesë të një dialogu konstruktiv parlamentar propozimet merren në mënyrë të ngjashme, por shpresoj që miratimin ta kemi me konsensus. 5 minuta janë mjaftueshëm për të thënë qëndrimin politik, ndërsa në rast diskutimi të veçantë ka përjashtim pasi mund të vendoset një kohë e caktuar ku koha e fjalës së deputetëve mund të rritet”, tha Balla.
Më herët lidhur me ndryshimin e rregullores së Kuvendit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se disa nga procedurat e ndjekura për miratimin e akteve kishin cenuar parimin e demokracisë përfaqësuese dhe lirinë e shprehjes së deputetëve. Për këtë arsye, gjykata i dha kohë Kuvendit të organizojë komisionet parlamentare sipas standardeve procedurale.





























