E martë, 1 Shtator, 2026
Lajme

Ndahet nga jeta ish e dashura e McGonigalit Alison Guerriero. Hetimet nuk përjashtojnë vrasjen

· 5 min lexim
Shpërndaje
Ecopal, ne krye te artikullit

Allison Guerriero, 52 vjeçe, ndërroi jetë disa orë pasi publikoi një mori prej 75 postimesh në platformën X të enjten; mes tyre ishte një video ku ajo shihej duke ecur në rrugë dhe duke kërkuar që vëmendja të përqendrohej tek agjentë të tjerë federalë, si dhe një tjetër ku deklaronte: “E urrej FBI-në”.

Këto postime ishin pjesë e fushatës së saj të pandërprerë prej vitesh – zhvilluar shpesh në rrjetet sociale – kundër McGonigal-it (i martuar dhe 58-vjeçar), dhe si pjesë e luftës së saj personale kundër figurave të tjera të larta të agjencisë.

Guerriero, një mike e ngushtë e ish-kryetarit të bashkisë së Nju-Jorkut dhe mbështetësit të palëkundur të Trump-it, Rudy Giuliani, vdiq në mbrëmjen e 27 gushtit, sipas babait të saj 80-vjeçar, Bill, i cili është thellësisht i tronditur nga humbja.

Lidhja e saj 18-mujore me McGonigal-in – ish-shefin tradhtar të kundërzbulimit të FBI-së në Nju-Jork – ndihmoi në zbulimin e krimeve të tij, të cilat përfshinin punën e fshehtë për oligarkun rus Oleg Deripaska. Ai po vuan një dënim prej gjashtë vitesh e gjysmë në burgun federal, por Guerrero besonte se ai duhet të merrte një dënim më të rëndë, duke i thënë gazetës Daily Mail në vitin 2024 se “ai është një tradhtar”.

Ditën e vdekjes së saj, ajo publikoi një video “selfie” teksa shëtiste në qytetin ku banonte rishtazi, Boynton Beach në Florida, duke thënë: “Përshëndetje, mirëmëngjes të gjithëve. Miq dhe armiq… sigurisht që po kaloj një periudhë të vështirë me çrregullimin e stresit post-traumatik (PTSD) nga ngjarjet e 11 shtatorit, por po marr frymë lirisht dhe po ndiej një lehtësim të madh… Ja cili është problemi me Charles McGonigal-in. Ju e dini emrin e tij, por më parë nuk e dinit. Ju e dinit emrin e Jim Comey-t. E dinit emrin e Chris Wray-t… të gjithë emrat që i dini tashmë, i dini. Pse nuk filloni të kërkoni emrat që nuk i dini?”

Babai i saj u shpreh për Daily Mail se ende nuk i është komunikuar shkaku i vdekjes apo rrethanat e saj. “Ende nuk e dimë. Jemi në pritje të raportit të autopsisë. Besoj se do të lëshojnë certifikatën e vdekjes brenda ditës së nesërme, në mënyrë që ta marrim në shtëpi dhe ta përcjellim për në banesën e fundit,” tha ai. “Mund të ketë qenë aksident. Mund të ketë rrëshqitur. Mund të ketë qenë çfarëdo. Jemi në pritje të çertifikatës së vdekjes, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur.”

Një zëdhënës i policisë së Boynton Beach tha për Daily Mail se “për momentin nuk duket të ketë shenja të ndonjë vepre kriminale”, por se hetimi është në vazhdim.

Policia mbërriti në apartamentin e saj në adresën 1499 S. Federal Highway në Boynton Beach të enjten, në orën 20:03 dhe aktuisht po pret informacion nga zyra e mjekut ligjor.

Sipas Daily Mail, Guerriero, ish-konsulente sigurie, ishte e afërt me Roger Stone, lobistin konservator me bazë në Florida dhe aleat të Presidentit Trump. “Kam marrë një mesazh prej saj ditën që ndërroi jetë dhe dukej në gjendje shpirtërore të shkëlqyer,” i tha ai Daily Mail-it. “Mesazhet kishin të bënin me punën. Ajo po ndihmonte me disa kërkime. “Allison ishte një studiuese dhe shkrimtare brilante, me njohuri të shkëlqyera si për zbatimin e ligjit ashtu edhe për kapacitetet tona të inteligjencës, si dhe me një rrjet të gjerë kontaktesh. Ajo gëzonte respekt të madh në atë fushë.” Duke përjashtuar mundësinë e vetëvrasjes, ai vazhdoi: “Nuk ka dyshim se ajo nuk do t’i jepte kurrë fund jetës së saj. Ishte katolike romake tepër e devotshme. Nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë. Ajo kishte kapërcyer vështirësi të jashtëzakonshme në jetë. Do të më mungojë jashtë mase. Ajo ishte dukshëm ende shumë e pakënaqur me faktin se McGonigal duhej të ishte akuzuar për tradhti, por në vend të kësaj u akuzua vetëm për marrje ryshfeti. Ajo ishte tejet e indinjuar.”

Ndonëse shkaku i vdekjes nuk është bërë publik, burime të tjera kanë lënë të kuptohet se mund të ketë arsye më të errëta pas saj. Një burim tha për “Daily Mail” se ajo merrte shpesh kërcënime nga njerëz në internet, për shkak të qëndrimeve të saj. Sigurisht që kishte armiq.”

Babai i Guerrieros e hodhi poshtë këtë teori, duke thënë se “ajo nuk shfaqi asnjë shqetësim se dikush po përpiqej t’i bënte keq apo diçka të tillë. Vërtet nuk mendoj se kishte ndonjë gjë të dyshimtë, të paktën nga sa di unë për këtë çështje.”

Ecopal, poshte artikullit
Scroll to Top