Aktori dhe regjisori amerikan Sean Penn humbi ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar më 15 mars, ku fitoi Oscarin e tij të tretë, sepse po udhëtonte për në Ukrainë. Të paktën kjo është ajo që deklarojnë mediat ndërkombëtare.
Në ceremoninë e 98-të në Los Angeles, Penn mori çmimin për Aktorin më të Mirë mbështetës për rolin e tij në filmin “One Battle After Another”, e cila fitoi dhe Oscar-in si filmi më i mirë në edicionin e 2026-s. Por në vend të tij, çminin e tërhoqi aktori Kieran Culkin, i cili kishte fituar në këtë kategori vitin e kaluar.
Ndërkaq, sipas medieve botërore, Penn mbërriti në Kiev më 16 mars, ku u takua me Presidentin Volodymyr Zelensky. “Sean, falë teje, ne e dimë se çfarë është një mik i vërtetë i Ukrainës”, mësohet t’i ketë thënë Zelensky. “Ju keni qenë me Ukrainën qysh nga dita e parë e luftës. Dhe ne e dimë se ju do të vazhdoni të qëndroni me vendin dhe popullin tonë.”
Penn e ka vizituar Ukrainën disa herë që kur Rusia nisi pushtimin e saj gjerësisht në vitin 2022.
Aktori ishte në vend në ditën e parë të pushtimit dhe më vonë filmoi dokumentarin “Superpower” për luftën dhe udhëheqjen e Zelensky, i cili u shfaq premierë më 24 shkurt 2023, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin.





























